Komandanti legjendar Adem Jashari, figura qendrore e rezistencës së armatosur në Kosovë, sot do të kishte mbushur 71 vjet. Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, në një familje ku sakrifica dhe vendosmëria do të shënonin rrugën që do ta ndiqte më pas.
Adem Jashari ishte djali i tretë i Shaban Jasharit dhe Zahide Jasharit. Ai kreu shkollën e mesme teknike në Skenderaj, një hap që i dha formim profesional, por që nuk e largoi nga rruga e vendimmarrjes për të ardhmen e Kosovës. Me rënien dhe shuarjen e të gjitha institucioneve në Kosovë në vitin 1990, nisi një periudhë ku idetë për organizim morën përmasa të reja dhe ku përgatitjet për luftën e mundshme u bënë gjithnjë e më të domosdoshme.
Në atë kohë, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak mori një dimension të ri edhe për shkak të veprimtarisë së LPK-së, e cila ende nuk vepronte plotësisht publikisht. Vetëm pak më vonë, më 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh. Qëllimi ishte t’i kryenin ushtrimet e duhura ushtarake dhe të përgatiteshin për luftën e armatosur.
Por shërbimet sekrete serbe arritën të merrnin informacion për formacionin e armatosur. Ata i vunë në shënjestër veprimtarët, ndërsa policia serbe ndërhyri për rrethim dhe kapje. Më 30 dhjetor 1991, një ekspeditë policore-ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas përleshjes që pasoi me forcat e policisë serbe, i gjithë grupi i Adem Jasharit kaloi në ilegalitet. Kjo gjendje vazhdoi deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së nisi me sulmin e shtatorit 1997, i cili u drejtua kundër 12 stacioneve policore. Nga aksionet kundër forcave policore, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, lëvizja kaloi në një fazë të re: përballje të drejtpërdrejta në terren, pra beteja me forcat serbe. Në fundin e nëntorit 1997, në Rezallë të Re u zhvillua një betejë ku luftohej me forcat e shumta të policisë serbe.
Adem Jashari dhe beteja që theu kolonat drejt Vojnikut
Në atë betejë, u arrit të ndërpritej rruga e kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe. Kolona kishte mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë patrullat e maskuara të policisë serbe ishin qëlluar me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë përballje printe Adem Jashari, së bashku me luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra dhe Ilaz Dërguti. Kjo u konsiderua beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së, ndërsa jehona e saj u përcoll në opinionin publik.
Pas kësaj, policia serbe dyshohet se kishte arritur të shënjonte edhe vendbanimin e familjes Jashari. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe mësynë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar edhe me mjete të rënda artilerike. Përforcimet kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.
Në shtëpi ndodheshin pothuajse të gjithë anëtarët e familjes. Sulmi dhe qëndresa heroike e tyre zgjati tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës, njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë pasur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner, ka deklaruar se nëse do të kishte një Çmim Nobel për sakrificë për liri, atëherë do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij. Ndërsa me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.
Botuar fillimisht në Bota Sot