Shumë njerëz i ndajnë tabletat përgjysmë, qoftë për të ulur dozën, qoftë thjesht për ta gëlltitur më lehtë. Vija ndarëse që ndodhet në disa tableta duket si një udhëzim i qartë për përdoruesin. Por fakti që një tabletë ka një vijë përgjatë saj nuk do të thotë automatikisht se ato dy gjysma japin një dozë të barabartë, apo se mund të ndahen pa ndikuar te mënyra si vepron bari në organizëm.
Çështja kryesore është efikasiteti dhe siguria e terapisë. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) thekson se jo të gjitha tabletat janë të përshtatshme për ndarje, sepse veprimi i tillë mund të ndryshojë dozën që merret, si dhe mënyrën e çlirimit të substancës aktive. Kjo do të thotë që një ndarje “në dukje e thjeshtë” mund të ndikojë në atë se sa shpejt vepron bari, sa substancë përfundon realisht në organizëm dhe në fund të fundit në rezultatet e trajtimit.
Përtej dozës, ka edhe një element tjetër: funksioni i vijës ndarëse. Në disa raste, ajo është aty vetëm për të lehtësuar gëlltitjen, jo për të garantuar se secila pjesë përmban saktësisht gjysmën e dozës së përshkruar. Në praktikë, për një trajtim të duhur mund të kërkohet që të dyja gjysmat të merren së bashku, ashtu siç është parashikuar nga mjeku. Këtë dallim e rithekson edhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në udhëzimet e saj për format farmaceutike.
Vija në tabletë s’garanton gjithmonë dozë të barabartë
Ka disa kategori tabletash ku ndarja përgjysmë mund të jetë problematike. Kujdes i veçantë nevojitet me tabletat me çlirim të zgjatur të substancës aktive, të shënuara si XR, ER, SR ose CR. Këto barna janë formuluar që ta çlirojnë substancën gradualisht gjatë kohës, dhe ndarja mund të prishë pikërisht atë mekanizëm. Po ashtu, nuk rekomandohet ndarja e tabletave me çlirim të vonuar (DR), sepse edhe këto kanë një renditje të saktë të çlirimit të përbërësit aktiv.
Një tjetër rast janë tabletat me veshje gastrorezistente. Ato janë të mbuluara në mënyrë të tillë që ta mbrojnë substancën aktive nga aciditeti i stomakut. Nëse tableta ndahet, veshja mund të dëmtohet ose të mos funksionojë siç është projektuar, duke rritur rrezikun që bari të çlirohet në vendin e gabuar. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe tableta për të cilat kërkohet saktësi shumë e lartë e dozimit. Në këto raste, ndarja mund të çojë në devijime të mëdha nga doza e duhur dhe rrjedhimisht në ndryshim të efektit terapeutik ose rritje të rrezikut të efekteve anësore.
Përpara se të vendosni ta ndani një tabletë, rekomandohet të ndiqni udhëzimin e saktë të barit. Ato nuk duhen ndarë pa konfirmuar shprehimisht në fletudhëzim ose udhëzim profesional që një veprim i tillë lejohet. FDA këshillon gjithashtu të mos i ndani paraprakisht të gjitha tabletat e një paketimi. Arsyeja është se ekspozimi ndaj lagështisë dhe nxehtësisë mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e barit, pra në efektin e tij gjatë kohës.
Nëse ndarja lejohet, mënyra ka rëndësi. Rekomandohet përdorimi i një prerësi të posaçëm për tableta, i cili mundëson ndarje më të saktë dhe zvogëlon rrezikun që gjysmat të mos dalin të barabarta në masë. Para çdo vendimi, duhet lexuar me kujdes fletudhëzimi i ilaçit dhe, nëse ka paqartësi, është e udhës të konsultoheni me mjekun ose farmacistin. Në fund, një rregull i rëndësishëm është mosndryshimi i dozës së përshkruar me iniciativën tuaj, edhe kur tableta ka vijë ndarëse.
Botuar fillimisht në Telegrafi




