Edhe kur me kalimin e viteve arrihet mirëqenia ekonomike, përvojat e hershme të privimit mund të vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën si njerëzit mendojnë dhe veprojnë me paratë. Kur fëmijëria është shoqëruar me shqetësim të përhershëm për shpenzimet e përditshme, zakonet që krijohen në atë periudhë shpesh nuk zhduken menjëherë, edhe në momentin kur kushtet materiale përmirësohen ndjeshëm.
Mënyra si prindërit administrojnë buxhetin, kursejnë dhe marrin vendime financiare ka rol të drejtpërdrejtë në mënyrën se si fëmijët e shohin veten me paratë. Në disa raste, ata që janë rritur në familje ku mezi ia dilnin financiarisht zhvillojnë sjellje që të tjerëve mund t’u duken të pakuptueshme. Megjithatë, pas tyre shpesh qëndron nevoja për siguri dhe për kontroll, që është krijuar gjatë kohëve kur pasiguria ishte pjesë e përditshmërisë.
Pesë zakone që mbeten edhe kur paratë nuk janë problem
1. Mbajnë rezerva për çdo eventualitet. Kur gjatë fëmijërisë ka pasur mungesa të ushqimeve apo produkteve bazë shtëpiake, në moshën madhore mund të shfaqet frika se një ditë gjithçka mund të mungojë sërish. Për këtë arsye, disa persona blejnë dhe grumbullojnë produkte edhe kur nuk u duhen realisht. Në mendjen e tyre vazhdon të ekzistojë shqetësimi se mund të mbeten pa gjërat e nevojshme, prandaj dollapët dhe depot e mbushura u japin ndjenjën e sigurisë.
2. Mbajnë gjithmonë para rezervë për raste emergjente. Një tjetër zakontësi tipike tek njerëzit që kanë kaluar pasiguri financiare është preferenca për të pasur kursime të gatshme. Disa prej tyre i mbajnë paratë jo vetëm në llogari bankare, por edhe të fshehura në shtëpi. Për ta, nuk është vetëm shuma që ka rëndësi, por siguria se kanë një rezervë në rast se u ndodh diçka e vështirë. Kjo i ndihmon të ndihen më të qetë dhe u jep ndjesinë se e kontrollojnë më mirë jetën e tyre.
3. Ndihen në faj kur blejnë diçka të bukur për veten. Edhe kur në moshën madhore të ardhurat janë të mjaftueshme, disa njerëz e kanë të vështirë të pranojnë blerjet që nuk janë të domosdoshme. Nëse gjatë fëmijërisë kanë parë prindërit duke llogaritur çdo qindarkë dhe duke hequr dorë nga kënaqësitë e vogla, mund të jetë formuar një bindje e brendshme se shpenzimi për veten është papërgjegjshmëri. Për më tepër, vështirësitë financiare të së kaluarës mund të lidhen edhe me ankthin dhe vetminë, prandaj edhe kur rrethanat materiale ndryshojnë, ndjenja e pasigurisë mund të mbetet.
4. Përpiqen të përfitojnë maksimalisht nga çdo qindarkë e shpenzuar. Kjo sjellje shfaqet si nevojë për të mos lënë “pa u përdorur” asgjë që është paguar. Për shembull, një person mund të vazhdojë të përdorë një shërbim që nuk i nevojitet më, vetëm sepse e ka paguar, ose të konsumojë ushqimin e mbetur edhe kur nuk ka dëshirë, sepse i vjen keq ta hedhë. Kur dikush rritet me bindjen se paratë nuk duhen shpërdoruar, i ka më të vështirë të pranojë se ndonjëherë është më mirë të heqë dorë nga diçka që nuk i shërben më, sesa ta mbajë vetëm për të “justifikuar” pagesën.
5. E kanë të vështirë t’i hedhin ose t’i zëvendësojnë gjërat e prishura. Për shumë njerëz, zgjidhja e menjëhershme kur një pajisje prishet nuk është zëvendësimi i saj, por riparimi. Në vend që të blejnë diçka të re, ata përpiqen ta rregullojnë sërish me çdo kusht. Kjo lidhet me faktin se në të kaluarën blerja e produkteve të reja nuk ishte gjithmonë e mundur. Por pas kësaj sjelljeje shpesh fshihet diçka më shumë sesa kursimi: një lidhje emocionale me objektet që simbolizojnë sigurinë materiale, një kujtesë se dikur “mbijetesa” varej nga mënyra se si ruheshin gjërat.
Zakonet financiare formohen që në fëmijëri. Ato lindin nga vëzhgimi i mënyrës si prindërit përballen me shpenzimet, si i menaxhojnë vështirësitë ekonomike dhe çfarë prioritetesh vendosin kur buxheti shtrëngohet. Për këtë arsye, krahas edukimit të fëmijëve për kursimin dhe administrimin e përgjegjshëm të parave, vlen të përmendet edhe një dimension tjetër: t’i mësohen të flasin për financat pa frikë, pa turp dhe pa ndjenjë faji. Kur fëmijët kuptojnë se paratë mund të diskutohen hapur dhe me qetësi, është më e lehtë që në moshën e rritur të mos mbeten peng i përvojave të vështira.
Botuar fillimisht në Telegrafi




