Nëse për të blerë produkte ushqimore në Tiranë do t’i duhen 100 euro, me të njëjtën shumë Në Prishtinë mund të blini rreth 46% më shumë mallra. Krahasuar me kryeqytete të tjera të Ballkanit Perëndimor, diferencat në kosto dalin qartë: në Shkup me 100 euro blen rreth 34% më shumë, në Podgoricë rreth 25% më shumë, Në Sarajevë rreth 22% më shumë dhe në Beograd rreth 17% më shumë.
Diferencat në çmimet e ushqimeve mes kryeqytetit shqiptar dhe vendeve të tjera të rajonit vlerësohen si të ndjeshme, sidomos kur flitet për produktet e përditshme të konsumit. Nga qumështi dhe vezët, te djathi, mishi dhe frutat, artikujt që përdoren pothuajse çdo ditë rezultojnë me çmime më të larta në Tiranë, sipas një krahasimi që lidhet me të dhëna nga platforma ndërkombëtare Numbeo.
Në krahasim për një shportë me 15 produkte bazë, rezulton se kosto në Tiranë është më e larta në listë ndër kryeqytetet e krahasuara. Shporta ilustruese kushton 54.6 euro në Tiranë, ndërsa në Beograd është 46.9 euro. Në Sarajevë çmimi i shportës shkon në 44.6 euro, në Podgoricë në 43.8 euro, në Shkup në 40.7 euro dhe në Prishtinë në 37.3 euro.
Shporta e përditshme: në Tiranë kushton dukshëm më shumë
Kur diferencat ulen te produktet individuale, pabarazitë bëhen edhe më të dukshme. Një shembull është çmimi i vezëve: në Tiranë, vezët kushtojnë pothuajse dyfishin e çmimit që paguhet në Prishtinë. Po ashtu, për një paketim me 12 kokrra, çmimi mesatar në kryeqytetin shqiptar është 3.24 euro, ndërsa në Prishtinë është vetëm 1.61 euro dhe në Shkup 2.2 euro.
Edhe qumështi është një nga produktet ku diferencat shfaqen më fort. Një litër qumësht kushton mesatarisht 1.97 euro në Tiranë. Në Sarajevë çmimi është 1.05 euro, në Shkup 1.12 euro, në Prishtinë 1.13 euro, në Podgoricë 1.16 euro dhe në Beograd 1.27 euro. Në raport me Sarajevën, qumështi rezulton gati 88% më i shtrenjtë në Tiranë.
Diferencat prekin edhe bulmetin e përditshëm. Për djathin vendas, një kilogram kushton mesatarisht 11.4 euro në Tiranë. Në Prishtinë dhe Shkup çmimi qëndron rreth 7 euro, në Podgoricë 7.7 euro, në Sarajevë 9.2 euro dhe në Beograd 10.2 euro. Përtej djathit, çmimet e mishit gjithashtu shfaqin diferenca të konsiderueshme. Për shembull, fileto pule shitet 8.2 euro për kilogram në Tiranë, ndërsa në Beograd dhe Prishtinë çmimi është rreth 6 euro. Ndërkohë, mishi i viçit shitet mesatarisht 15.2 euro për kilogram, ndërsa në Podgoricë dhe Prishtinë çmimi rreth 11 euro.
Edhe tek frutat e perimet diferencat nuk mungojnë. Bananet kushtojnë 2.2 euro për kilogram në Tiranë, rreth 75% më shumë se në Shkup. Për sallatën jeshile, diferenca me Shkupin rezulton edhe më e madhe, ndërsa te qepët, Tirana del 75% më e shtrenjtë se Beogradi. Megjithatë, nuk ndodh që të gjitha produktet të jenë më të shtrenjta në Shqipëri: domatet kushtojnë më shumë në Beograd dhe Podgoricë, ndërsa orizi rezulton pak më i shtrenjtë në Beograd.
Të dhënat e krahasimit bazohen në çmime të raportuara nga përdoruesit dhe krahasojnë kryeqytetet mes tyre, jo mesataret kombëtare. Shporta ilustruese përfshin nga një njësi të secilit prej 15 produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike, pa përfshirë pijet alkoolike dhe duhanin. Përveç të dhënave të Numbeo, edhe statistikat europiane japin një panoramë të ngjashme. Eurostat konfirmon se Shqipëria është ndër vendet me çmime më të larta të ushqimeve në rajon: për vitin 2025, Shqipëria del vendi më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor për ushqimet, duke kaluar për herë të parë edhe mesataren e Bashkimit Europian.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ka arritur në 102.9% të mesatares së BE-së në vitin 2025, nga 99.6% në vitin 2024 dhe rreth 85% në vitin 2022. Në Serbi niveli është 96.6%, në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 84.6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vetëm 74.3%. Me fjalë të tjera, nëse një shportë ushqimore në BE kushton mesatarisht 100 euro, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rreth 74 euro.
Diferencat vërehen edhe te produktet e bulmetit. Sipas Eurostat, në vitin 2025 çmimet e qumështit, produkteve të tjera të bulmetit dhe vezëve në Shqipëri janë 35.6% mbi mesataren e Bashkimit Europian, duke i renditur këto kategori ndër ato me çmimet më të larta në raport me tregun europian. Ndërkohë, Shqipëria ka të ardhura për frymë rreth 43% të mesatares së BE-së dhe konsum individual për frymë rreth 48% të saj. Në praktikë, kjo do të thotë që konsumatorët përballen me çmime ushqimore të krahasueshme e madje më të larta se mesatarja europiane, por me fuqi blerëse më të ulët. Ushqimet zënë rreth 40% të shpenzimeve të familjeve shqiptare, ndaj kostot e larta të produkteve bazë ndikojnë drejtpërdrejt te buxhetet familjare. Forcimi i vazhdueshëm i Lekut ndaj Euros gjatë viteve të fundit e ka ulur koston në monedhën vendase të mallrave të importuara, por ky përfitim nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Botuar fillimisht në Telegrafi








