Përkushtimi ndaj eurointegrimit ka qenë një nga prioritetet më të larta politike dhe qytetare për Maqedoninë e Veriut që nga themelimi i shtetit në vitet ’90. Për dekada, qytetarët kanë investuar besimin, durimin dhe optimizmin e tyre në idenë se projekti evropian do të sjellë stabilitet, demokraci funksionale, barazi ndëretnike dhe avancim institucional. Por rruga drejt strukturave euroatlantike nuk ka qenë lineare: pothuaj çdo hap është shoqëruar me pengesa të reja, herë të nxitura nga faktorë të jashtëm me agjenda gjeopolitike dhe herë si rezultat i dinamikave të brendshme politike që kanë frenuar reformat dhe konsensusin shtetëror.
Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, të pasqyruara në deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetërorë për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese dhe vendosjen e “vijave të kuqe”, sinjalizojnë fillimin e një faze të re tensionesh institucionale dhe diplomatike. Kjo fazë mund të ketë pasoja afatgjata si për stabilitetin e brendshëm, ashtu edhe për orientimin strategjik euroatlantik të vendit. Në këtë kuadër, deklarata e ministrit të Jashtëm Timço Mucunski, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, se shteti “nuk është i gatshëm për ndryshime kushtetuese”, nuk paraqitet thjesht si qëndrim politik i zakonshëm apo si pjesë e një debati procedural.
Refuzimi i ndryshimeve kushtetuese rrezikon kursin eurointegrues
Fjala e tij sinjalizon një ndryshim të qartë në diskursin zyrtar, i cili po largohet gradualisht nga paradigma integruese dhe po hyn në një fazë të retorikës më konfrontuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë. E gjithë kjo vjen në një moment të ndjeshëm, në prag të debatit të rëndësishëm që pritet të zhvillohet në mesin e qershorit në Parlamentin Evropian. Në atë debat, eurodeputeti Thomas Waitz do të paraqesë raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Ky diskutim shihet si një nga më të ndjeshmit dhe më të diskutueshmit në vitet e fundit.
Fokusi i debatit pritet të përqendrohet jo vetëm te bllokimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese, por edhe te shqetësimet për funksionimin demokratik, respektimin e standardeve evropiane dhe ruajtjen e karakterit multietnik të kornizës kushtetuese. Vendimi i ardhshëm i Parlamentit Evropian mund të marrë një ton paralajmërues dhe kritik politik, duke sinjalizuar se eurointegrimi i Maqedonisë së Veriut po kalon një fazë vendimtare. Kjo fazë lidhet me rrezikun e një izolimi më të gjatë institucional dhe diplomatik, që do të ndikonte drejtpërdrejt në ritmin e reformave dhe në pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Një element tjetër që e bën situatën më shqetësuese është perceptimi në rritje në qarqet ndërkombëtare se esenca e Marrëveshjes së Ohrit po zbehet gradualisht. Kjo lidhet me politikat e centralizimit institucional, relativizimin e të drejtave kolektive dhe rritjen e tensioneve ndëretnike. Marrëveshja e Ohrit, e konsideruar historikisht si themel i stabilitetit dhe bashkëjetesës në vend, duket se po humb peshën e saj politike. Paralelisht, çështje si përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi institucional dhe balanca ndëretnike po trajtohen gjithnjë e më shumë si tema të zakonshme politike, e jo si parime të pandryshueshme të rendit kushtetues. Efekti i kësaj është paqëndrueshmëria politike dhe psikologjike, sidomos për shqiptarët, të cilët e shohin Marrëveshjen e Ohrit si garanci për ekzistencën e tyre politike dhe institucionale.
Në analizën e komunikimit politik, retorika aktuale qeveritare paraqet një model tipik të ndërtimit të narrativës së “rrethimit politik”, ku përgjegjësia për krizën zhvendoset jashtë dhe aktorët ndërkombëtarë shihen si pengesë për sovranitetin dhe identitetin kombëtar. Ky model zakonisht përdoret nga qeveritë që përballen me krizë legjitimiteti ose me vonesa reformash, duke synuar mobilizimin e opinionit të brendshëm përmes diskursit emocional dhe nacionalist. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, një qasje e tillë mbart rrezik serioz politik, sepse mund të thellojë polarizimin ndëretnik, të rrisë tensionet me partnerët euroatlantikë dhe të minojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Komuniteti ndërkombëtar, në këtë moment, duhet ta trajtojë zhvillimin me seriozitet të shtuar dhe jo ta kufizojë çështjen te detajet teknike të ndryshimeve kushtetuese apo te mosmarrëveshjet bilaterale. Kriza aktuale, sipas mënyrës si po shfaqet, ka marrë karakter strukturor dhe ndikon drejtpërdrejt në drejtimin strategjik të vendit. Çdo vonesë në angazhimin diplomatik dhe politik mund të ketë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin rajonal, veçanërisht duke pasur parasysh ndjeshmërinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, mungesa e një angazhimi të qartë dhe transparent për të garantuar standardet demokratike, për të mbështetur procesin e reformave dhe për të ruajtur balancat thelbësore, mbetet sfidë që kërkon veprim të shpejtë dhe të koordinuar.
Botuar fillimisht në Bota Sot


