Sporti sot nuk ka vetëm kuptimin e garës dhe të rezultatit në fushë. Kur flitet për aktivitete të mëdha sportive, ndikimi shkon përtej asaj që ndodh gjatë 90 minutave: ato mund të shërbejnë si motor për promovimin ndërkombëtar të një vendi, për zhvillimin e turizmit, për rritjen e aktivitetit ekonomik dhe për forcimin e imazhit të tij. Në këtë kuadër, futbolli, si sporti me ndjekjen dhe ndikimin më të madh publik, ka një potencial të veçantë për të krijuar vlerë jo vetëm në kuadër sportiv, por edhe në dimensione të tjera.
Në periudhën e fundit, diskutimet në opinionin publik për ndikimin e eventeve të mëdha sportive në promovimin e Shqipërisë dhe në zhvillimin e turizmit kanë sjellë sërish në vëmendje një realitet tashmë të dëshmuar. Investimi në futboll dhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare nuk është vetëm investim në sport; është një mundësi konkrete zhvillimi për vendin. Kjo qasje shihet qartë kur merret në konsideratë se Shqipëria ka arritur të mbajë në territorin e saj ngjarje të rëndësishme europiane dhe të shfaqë kapacitetet për pritjen e tyre.
Një nga dëshmitë më konkrete ka qenë finalja e UEFA Europa Conference League 2022 në Tiranë. Kjo ngjarje u rendit ndër aktivitetet më të rëndësishme sportive ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri dhe tregoi se ndikimi i futbollit nuk kufizohet vetëm te rezultatet sportive. Organizimi i finales solli vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare për Shqipërinë, tërhoqi vizitorë dhe kontribuoi në promovimin e turizmit. Po ashtu, forcoi besimin se vendi ka kapacitetet për të mirëpritur dhe organizuar me sukses aktivitete të niveleve të larta europiane.
Një event i madh futbolli krijon zhvillim përtej fushës
Për Federatën Shqiptare të Futbollit, finalja e vitit 2022 nuk u konsiderua si sukses i rastësishëm dhe as si arritje e izoluar. Ajo është parë si rezultat i një strategjie afatgjatë, e cila synon zhvillimin e futbollit shqiptar, forcimin e pozicionit të Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare të futbollit dhe përdorimin e sportit si instrument konkret për promovimin dhe zhvillimin e vendit. Po ashtu, kur FSHF-ja aplikoi pranë UEFA-s për organizimin e finales së parë historike të UEFA Europa Conference League, objektivi nuk ishte vetëm sjellja e një ndeshjeje të madhe në Tiranë.
Qëllimi ishte që Shqipëria të prezantohej para një audience të gjerë ndërkombëtare, të tërhiqte vizitorë, të promovonte turizmin dhe të dëshmonte se vendi është i aftë të organizojë evente sportive me përmasa europiane. Por finalja e vitit 2022 nuk u pa si pikë fundi e një procesi të vetëm. Ajo krijoi një standard të ri dhe hapi rrugë për mundësi të tjera për futbollin shqiptar dhe për Shqipërinë në përgjithësi. Në vazhdim, FSHF-ja ka punuar për organizimin e Kampionatit Europian U-17, për mbledhjen historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, si dhe për një sërë konferencash, turnesh dhe aktivitetesh të tjera ndërkombëtare.
Këto iniciativa kanë dhënë kontribut në forcimin e pozicionit të futbollit shqiptar në arenën europiane, në rritjen e kapaciteteve organizative dhe profesionale, në promovimin e Shqipërisë dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e futbollit në vend. Në këtë drejtim, sot vijnë edhe të dhëna konkrete: studimi i fundit i realizuar nga UEFA dhe Nielsen tregon se interesi i shqiptarëve për futbollin është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Sipas të njëjtit studim, perceptimi për ekipet kombëtare është përmirësuar, ndërsa interesi dhe lidhja e publikut me futbollin janë forcuar. Këto zhvillime nuk lidhen me rastësi, por me një punë të vazhdueshme dhe një strategji që përfshin investime në infrastrukturë, zhvillimin e ekipeve kombëtare, futbollin e fëmijëve dhe të rinjve, futbollin e vajzave, rritjen e standardeve organizative dhe forcimin e bashkëpunimit me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë kuadër, FSHF-ja deklaron se do të vazhdojë përpjekjet për të sjellë në Shqipëri aktivitete të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Në vitin 2027, Shqipëria do të bashkëorganizojë Kampionatin Europian U-21. FSHF-ja ka paraqitur gjithashtu kandidaturën për organizimin e finales së UEFA Super Cup 2028 dhe po punon për organizimin e Samitit Botëror të Futbollit, si dhe të aktiviteteve të tjera që mund të sjellin vlerë të shtuar për futbollin dhe për vendin. Natyrisht, organizimi i eventeve të tilla kërkon angazhim, kapacitete profesionale dhe investime të konsiderueshme, por përfitimi nuk kufizohet vetëm te futbolli dhe as vetëm te Federata.
Nga këto aktivitete përfitojnë qytetet pritëse, turizmi, hoteleria, bizneset lokale, shërbimet dhe ekonomia. Ato rrisin ekspozimin ndërkombëtar, promovojnë Shqipërinë dhe forcojnë imazhin e vendit si një destinacion i aftë për të mirëpritur e organizuar aktivitete të rëndësishme. Për këtë arsye, organizimi i eventeve sportive ndërkombëtare duhet parë si një investim strategjik dhe si një mundësi zhvillimi, jo thjesht si një shpenzim apo si një përgjegjësi vetëm e Federatës. FSHF-ja do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj: të investojë në zhvillimin e futbollit shqiptar, të rrisë standardet dhe të punojë për sjelljen e aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare në Shqipëri. Megjithatë, projektet e këtij niveli nuk mund dhe nuk duhet të mbeten vetëm përgjegjësi e Federatës; realizimi i tyre kërkon një bashkëpunim më të strukturuar mes FSHF-së, institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe aktorëve të tjerë publikë e privatë. Sepse, në fund të fundit, një aktivitet i madh sportiv nuk është vetëm një projekt i futbollit.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres






