Oda Amerikane e Kosovës ka bërë thirrje që institucionet e reja ta kenë si prioritet qasjen në infrastrukturën e gazit amerikan të lëngshëm natyror (LNG). Në një letër drejtuar publikut, Oda thekson se, me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e institucioneve të reja, bartësit e mandatit institucional duhet ta trajtojnë përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane si çështje me rëndësi të veçantë për energjetikën e vendit.
Sipas Odës Amerikane, ky orientim duhet të shqyrtohet seriozisht dhe të merret në konsideratë si pjesë e politikës së ardhshme energjetike. Oda thekson se institucionet e reja kanë mundësinë të ndërtojnë një politikë energjetike të bazuar në analiza profesionale dhe në interesin afatgjatë të Kosovës, duke vendosur theksin te qasja në zinxhirin rajonal të LNG-së amerikane.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se institucionet e reja kanë mundësinë të ndërtojnë një politikë energjetike të bazuar në analiza profesionale dhe interesin afatgjatë të vendit. Për këtë arsye, Oda Amerikane u bën thirrje atyre që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë me prioritet dhe ta vlerësojnë këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në thirrjen e Odës.
Oda Amerikane vlerëson se Kosova gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik. Në këtë kontekst, sipas njoftimit, vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim do të ndikojnë jo vetëm në mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe në nivelin e sigurisë energjetike, në konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe në aftësinë e vendit për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim.
Vlerësim gjithëpërfshirës për LNG-në dhe sigurinë energjetike
Oda thotë më tej se diskutimi mbi orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet vetëm në krahasimin e kostove fillestare të investimeve apo në opsionet që janë prezantuar deri më tani. Sipas Odës Amerikane, politikat moderne energjetike kërkojnë një qasje më të gjerë, që merr në konsideratë disa aspekte kyçe, si shpejtësinë e realizimit të projekteve, sigurinë e furnizimit, mundësinë e sigurimit të financimit dhe ndikimin e këtyre vendimeve në konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Në thirrje theksohet se një vlerësim i tillë duhet të përfshijë edhe fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik, si dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve. Oda e lidh këtë nevojë me faktin se vendimet e periudhës së ardhshme do të përcaktojnë sa i përgatitur do të jetë sistemi energjetik i Kosovës ndaj sfidave të tregut dhe nevojave në rritje të konsumit.
Oda Amerikane e Kosovës e paraqet situatën energjetike të vendit si të karakterizuar nga mbështetja në kapacitete të vjetruara gjeneruese dhe nga importe të konsiderueshme të energjisë elektrike. Në këtë kuadër, sipas saj, koha e nevojshme për ndërtimin dhe vënien në funksion të kapaciteteve të reja prodhuese paraqet një faktor me rëndësi strategjike. Mungesa e kapaciteteve të reja, sipas Odës, sjell pasoja të drejtpërdrejta në tregun rajonal dhe në kostot që i paguan vendi për importet.
Oda paralajmëron se çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, rritje të kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit. Për këtë arsye, Oda Amerikane thekson se prioriteti duhet t’u jepet vendimeve që përmirësojnë sigurinë energjetike dhe që krijojnë kushte më të qëndrueshme për ekonominë e Kosovës në planin afatgjatë.
Botuar fillimisht në Koha.net





