Negociatat mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për një periudhë 60-ditore drejt një marrëveshjeje po ndiqen me vëmendje edhe nga figura të njohura të diplomacisë. Ish-ambasadori i Kosovës në Katar, Amir Ahmeti, i ka dhënë interpretimin e tij këtij procesi, duke theksuar se sipas tij, Irani po e përdor këtë fazë si “blerje kohe”.
Ahmeti e ka bërë këtë vlerësim në emisionin “Interaktiv” në KTV. Ai ka argumentuar se në Iran kanë ekzistuar tendenca për ndryshim të regjimit, dhe se për këtë arsye Teherani, sipas tij, po synon të rikthejë situatën nën kontroll. Në këtë logjikë, 60-ditëshi i bisedimeve shërben si një dritare ku Irani rrit presionin dhe shfaq forcë, duke e vendosur SHBA-në në pozicionin e të ulurit në tavolinë për negociata.
“Ajo çka i bën më të rëndësishme këto bisedime është ky 60-ditëshi i bisedimeve. Unë mendoj se është blerje e kohës edhe për Iranin, për rikthimin e situatës nën kontroll sepse ka pasur tentativa të ndryshimit të regjimit dhe ajo tash po tregon një forcë që ja unë e detyrova shtetin më të fuqishëm të botës të ulet në negociata me neve”, ka thënë Amir Ahmeti.
Në të njëjtën kohë, Ahmeti ka lidhur këtë dinamikë me kontekstin politik rajonal. Ai ka përmendur konfliktin “tërhiq dhe mos e këput” si një qasje që lidhet edhe me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 27 tetor në Izrael. Sipas tij, në këtë periudhë Izraeli do të kërkojë të ketë një pozicion më të favorshëm dhe të ndikojë në rrjedhat e rajonit.
Negociatat 60-ditore, Iranit i duhet kohë për të forcuar pozicionin
Ahmeti ka vijuar më tej me argumentet e tij për interesat e Izraelit dhe qasjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Ai ka thënë se nëse nuk i ndalet hovi i Netanyahu-t, atëherë sipas tij mund të nisë një rishkrim i hartës së Lindjes së Mesme. Në këtë interpretim, pretendohet se synimi i ardhshëm i Netanyahut është Turqia, një skenar që, sipas Ahmetit, do të ndryshonte ekuilibrat e rajonit dhe do të hapte një valë të re konfliktesh.
Kur bëhet fjalë për alternativat ndaj përplasjes, Ahmeti e sheh negociimin si “varianti më i mirë në këtë situatë”. Sipas tij, një bashkim i vendeve në rajon do të mund t’i shërbente Iranit. Një tjetër opsion, sipas tij, është aleanca me Turqinë, ndërsa ai ka argumentuar se Izraeli nuk synon paqe me asnjë shtet, por dëshiron nënshtrim. Për këtë, Ahmeti ka thënë se “atë e ndalë vetëm një forcë e madhe”, duke lidhur këtë me mundësinë që nëse hovi nuk ndalet, pretendimi i ardhshëm mund të jetë pikërisht një konflikt me Turqinë.
Sa i përket vetë luftës mes SHBA-së dhe Iranit, Amir Ahmeti e ka përshkruar atë si një lojë më të gjerë sesa një luftë e kufizuar vetëm në raketa. Ai ka theksuar se bisedimet mes këtyre dy vendeve nuk janë risi, por proces që kanë ndodhur edhe më parë për çështje të tjera. Ai ka kujtuar shembuj historikë ku, sipas tij, është negociuar me Iranin në periudha të ndryshme.
Ahmeti ka përmendur, mes të tjerash, vitet 1979-1981, kur në kontekstin e ardhjes së regjimit të Ajetollahëve u diskutua lirimi i pengjeve nga ambasada amerikane në Teheran. Ai ka vazhduar me referenca të viteve të 80-ta, ku ka përmendur shitjen e armëve amerikane ndaj Iranit siç e ka quajtur “Republikë e Re” pas periudhës së “perandorit”. Për më tepër, Ahmeti ka përmendur edhe negociatat irano-amerikane në vitin 2001, duke e vendosur këtë përplasje aktuale dhe këto bisedime në një vijimësi të mëparshme të marrëdhënieve dhe negociatave.
Botuar fillimisht në Koha.net








