10 km në shirit s’janësoj si 10 km në natyrë

Eksperti i fitnesit, Arbër Peci, shpjegon një diferencë që shumë persona e kuptojnë vetëm kur e krahasojnë me përvojën e tyre: 10 kilometra në shirit nuk janë të njëjta me 10 kilometra në natyrë. Ai thekson se vrapimi në ambient të mbyllur dhe vrapimi jashtë nuk e ngarkojnë trupin në të njëjtën mënyrë, duke ndikuar si te muskujt ashtu edhe te kyçet e këmbëve.

Sipas Pecit, shpesh në palestër vijnë njerëz që thonë me krenari: “Sot i bëra 10 kilometra në shirit!”. Kjo është e lavdërueshme, sepse sigurisht që përfshin përpjekje fizike dhe punë të qëndrueshme. Por problemi lind kur i njëjti person del më pas të vrapojë në Gërmi apo në ndonjë park tjetër dhe pas vetëm rreth 3 kilometrash ankohet se “i janë këputur” këmbët.

Arsyeja, sipas ekspertit, është se nuk është njësoj vrapimi i njëjtë kudo. Kur vrapon jashtë, je ti ai që e shtyn trupin përpara dhe çdo hap kërkon forcë. Në këtë rast, trupi aktivizon fuqishëm muskujt e pasmë të kofshës dhe të pasmet, të cilët luajnë rolin kryesor “të motorëve” për ecjen dhe vrapimin. Pra, energjia dhe ngarkesa shpërndahen ndryshe, sepse ke nevojë të punosh më shumë për të ecur përpara.

10 km në shirit nuk i përgatitin njësoj këmbët për natyrën

Ndërkaq, në shiritin e vrapimit ndodh një ndihmë artificiale. Rripi i motorizuar rrotullohet vetë dhe, në momentin që e vendos këmbën, rripi ta tërheq atë mbrapa për ty. Për rrjedhojë, makineria po e bën një pjesë të punës që ndryshe do ta bënte trupi yt. Kjo bën që muskujt e pasmë të kofshës dhe të pasmet të angazhohen shumë më pak. Nëse një person vrapon vetëm në shirit, këta muskuj mund të mbeten të pa zhvilluar dhe më të dobët krahasuar me pjesën e përparme të këmbës.

Ka edhe një aspekt tjetër që, sipas Pecit, mund të jetë madje më i rrezikshëm: mënyra si është ndërtuar sipërfaqja e shiritit. Sipërfaqja e tij është e rrafshët dhe e parashikueshme; çdo hap është praktikisht identik me tjetrin. Kjo i bën muskujt e vegjël stabilizues rreth kyçeve të këmbëve të “bien në gjumë”, sepse nuk kanë nevojë të përshtaten vazhdimisht me asgjë të re. Me kalimin e kohës, këta stabilizues dobësohen, pasi nuk marrin stimul të mjaftueshëm për të ruajtur kontrollin në situata të ndryshme.

Më pas, kur ky person del të vrapojë në natyrë, terreni nuk është uniform. Pabarazia e tokës – një guralec, pak bar, një gropë e vogël apo ndryshim i vogël i sipërfaqes – kërkon reagim të shpejtë nga kyçet dhe trupin. Eksperti thekson se stabilizuesit e dobësuar nuk e përballojnë dot këtë ngarkesë të papritur. Rezultati, sipas tij, është rritje e rrezikut për ndrydhje ose lëndime më të rënda të kyçit të këmbës.

Arbër Peci nuk e paraqet shiritin si diçka të keqe. Përkundrazi, ai thotë se shiriti është fantastik sidomos kur bie shi, kur është ftohtë, ose kur thjesht dikush do të bëjë stërvitje pa dalë jashtë. Megjithatë, për të pasur këmbë më të forta, muskuj të zhvilluar më në mënyrë të barabartë dhe kyçe që të mos të lënë “në baltë”, rekomandimi është të dalësh patjetër edhe në natyrë. Zgjidhja, sipas tij, është kombinimi i të dyjave: shiritit për komoditet dhe natyrës për përshtatje reale të trupit, pa e barazuar kurrë automatikisht kilometrin e bërë në palestër me atë të bërë jashtë.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version