Vajzat në Botërorin 2027/ Grima: Duhet maksimumi ndaj Çekisë e Malit të Zi

Kombëtarja e vajzave ka nisur nga mesdita e djeshme grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të Botërorit 2027 për vajza. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Çekinë dhe më pas me Malin e Zi, në kuadër të kualifikueseve, ku çdo pikë mban peshë për fatin e skuadrës.

Atmosfera në ekip është pozitive, ndërsa stafi teknik dhe futbollistet janë të përqendruara në arritjen e rezultateve që duhen. Grumbullimi i fundit shihet si një moment vendimtar, jo vetëm për përballjet në fushë, por edhe për mënyrën si skuadra do të menaxhojë presionin e ndeshjeve në fazën finale të kualifikueseve.

Trajneri Armir Grima vlerësoi gjendjen e mirë me të cilën futbollistet i janë bashkuar kombëtares dhe theksoi rëndësinë e këtij grumbullimi. Sipas tij, ky fazë ka një peshë të veçantë sepse dy ndeshjet e ardhshme mund të përcaktojnë nëse skuadra do të mbetet në Ligën B apo jo. “Ky grumbullim ka rëndësi më shumë se çdo herë tjetër, sepse janë dy ndeshje ku do të vendoset nëse ne do të qëndrojmë në Ligën B apo jo. Besoj që gjërat i kemi vetë në dorë. Duhet të marrim maksimumin”, u shpreh trajneri kuqezi.

Grima theksoi gjithashtu motivimin që kanë sjellë futbollistet në grumbullim, duke nënvizuar se vajzat vijnë nga rezultate pozitive në ekipet e tyre. Ai përmendi “Vllaznia, Teuta, Mitrovica” si shembuj të klubeve nga ku vijnë disa prej futbollisteve, duke shtuar se edhe pjesa tjetër e grupit, pavarësisht se kanë luajtur në kampionate të tjera, i kanë mbyllur ndeshjet me sukses dhe do të kërkojnë të shprehen në mënyrën më të mirë në këto dy takime. Objektivi i Kombëtares, sipas trajnerit, është ruajtja e pozicionit në Ligën B.

Grima: maksimumi në dy ndeshjet vendimtare

Kur foli për përballjet e fundit dhe mënyrën si skuadra mund të menaxhojë rivalët, trajneri Grima i referohej paraqitjes ndaj Uellsit në ndeshjen e fundit. Ai tha se “Shenjat i dhamë që në ndeshjen e fundit ndaj Uellsit”, pavarësisht se rezultati nuk shkoi në favor të ekipit. Sipas teknikut shqiptar, loja që skuadra zhvilloi ishte e mirë dhe përballë kundërshtarëve të fortë u pa se ekipi di të bëjë performanca konkurruese. Grima shtoi se, megjithëse në disa ndeshje mund të ketë rënie te rezultati, skuadra do të shpresojë që në takimin me Çekinë të vijë një paraqitje e fortë.

Trajneri u ndal edhe në faktin se skuadra po rikthehet e bashkuar në këto ndeshje, duke e parë forcën e grupit si një nga elementët kryesorë. Ai theksoi se pika më e fortë e kësaj përfaqësueseje është grupi dhe se, edhe kur ka mungesa, skuadra e përballon gjithçka në mënyrën e duhur. “E kam thënë dhe vazhdoj ta them që pika më e fortë e kësaj skuadre është grupi. Dhe normalisht, edhe kur kemi mungesa, grupi i përballon dhe kam shumë besim te grupi që kemi në skuadër”, tha trajneri.

Ndeshja e parë e kombëtares së vajzave është planifikuar për më 5 qershor në transfertën e Çekisë, me fillim në ora 17:30. Takimi i fundit i këtyre kualifikueseve do të zhvillohet më 9 qershor, në ora 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, ku vajzat do të luajnë për të mbyllur ciklin e ndeshjeve me rezultat që i afrohet objektivit të ruajtjes së vendit në Ligën B.

Botuar fillimisht në Sport Ekspres

Exit mobile version