Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka reaguar ashpër ndaj planit të FIFA-s për të shitur aksione të ngjarjeve të mëdha, duke i hapur kështu derën investitorëve privatë. Vendimi i UEFA-s është i prerë: konfederata thotë se do të bojkotojë turnetë e FIFA-s nëse presidenti i saj, Gianni Infantino, vazhdon me propozimin për kalimin e interesave të pronësisë së Kupës së Botës.
Sipas informacionit të publikuar, UEFA e ka marrë këtë qëndrim në një takim urgjent ku janë përfshirë të gjitha 55 federatat nacionale anëtare. Takimi u mbajt të enjten pasdite, pas rritjes së shqetësimeve lidhur me drejtimin që po synon të ndjekë FIFA. Në komunikim thuhet se bojkoti do të kishte si qëllim të rrëzonte në mënyrë praktike propozimin e Infantinos, duke pasur parasysh se investitorët nuk do të kishin interes të investonin në turne pa përfaqësim evropian.
Një nga turnetë e parë që UEFA thotë se mund ta bojkotojë është Kupa e Botës për futbolliste, e cila zhvillohet vitin e ardhshëm. Botërori i futbollisteve është parashikuar të nisë më 24 qershor 2027. Për UEFA-n, kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si menaxhohet trashëgimia sportive e futbollit dhe me kufijtë që, sipas saj, nuk duhet të kalohen.
UEFA: Kupa e Botës s’është produkt investimi
Komunikata e UEFA-s thekson se qëndrimi është unanim dhe pa lëkundje. UEFA shkruan se e hedh poshtë propozimin e FIFA-s për transferimin e interesave të pronësisë në Kupën e Botës dhe në garat e tjera të FIFA-s tek investitorët privatë. Në reagim nënvizohet se ky lloj qasjeje nuk përputhet me parimet që UEFA i konsideron thelbësore për garat botërore të futbollit.
Ideja e FIFA-s doli në pah pasi u zbuluan planet për të kërkuar investime private për Kupën e Botës. Reagime ka pasur edhe nga vende të tjera evropiane, ndërsa edhe konfederata të tjera janë duke e kundërshtuar idenë, e lidhur me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. UEFA e ka ngritur kundërshtimin e saj edhe para se planet të zyrtarizoheshin nga FIFA, duke e cilësuar qasjen si një hap që rrezikon të ndryshojë natyrën e turneve.
FIFA, nga ana e saj, ka njoftuar se synon të nisë programin “FIFA Forward Enterprise”. Sipas planit të bërë publik, kjo nismë do të përfshijë shitjen e të drejtave komerciale të FIFA-s, duke përfshirë transmetimin, sponsorizimin, biletat dhe licencimin. Në të njëjtën linjë, FIFA ka shpjeguar se, sipas propozimit, do të mblidhte deri në 4,2 miliardë dollarë nga investitorë të jashtëm përmes shitjes së aksioneve. Në dokumentet e përmendura thuhet se të gjitha aksionet do të kishin një vlerë rreth 20 miliardë dollarë.
UEFA thotë se me planin e ri të ardhurat për federatat nacionale do të ishin më të mëdha, por pavarësisht kësaj konfederata nuk e ka pranuar qasjen. UEFA argumenton se propozimi tejkalon kufirin që, sipas saj, nuk duhet të kalohet. Në deklaratë theksohet se “Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si produkt investimi”, duke e përshkruar si një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit, e ndërtuar gjatë brezave nga lojtarët, ekipet përfaqësuese dhe tifozët në të gjithë kontinentin. Në këtë pjesë të reagimit shtohet qartë se asnjë pjesë e Kupës së Botës nuk duhet t’u dorëzohet kurrë investitorëve privatë dhe se, sipas UEFA-s, Kupa e Botës nuk është në shitje.
Botuar fillimisht në Koha.net






