Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur në një intervistë ekskluzive për emisionin “Top Story” nga Haga rreth disa zhvillimeve të rëndësishme politike dhe procesit të tij gjyqësor. Gjatë bisedës, ai u ndal edhe te Samiti i NATO-s që është paralajmëruar të mbahet në Tiranë, te raportet me kryeministrin shqiptar Edi Rama, si dhe te themelimi i Gjykatës Speciale.
Thaçi e cilësoi organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike të Shqipërisë. Ai tha se konfirmimi për mbajtjen e samitit gjatë vitit të ardhshëm në kryeqytetin shqiptar, krahas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, përbën pikën kulminante të kësaj historie. Sipas tij, ky fakt lidhet edhe me besimin e perëndimorëve për progresin euro-atlantik të vendit.
Thaçi pret hapësirë ligjore për Kosovën në margjinat e samitit të NATO-s
Duke iu referuar mungesës së Kosovës në Samitin e Ankarasë, ish-presidenti shprehu shpresë që kryeministri Edi Rama të gjejë një mënyrë ligjore për pjesëmarrjen e Kosovës në Tiranë, edhe nëse ajo do të jetë “në margjinat” e samitit. Thaçi tha se pas dështimit të Kosovës për prezencë në samitin e Ankarasë, ai shpreson që Rama të gjejë një hapësirë që lejon përfshirjen e delegacionit kosovar në aktivitetin e ardhshëm në Shqipëri.
Ai theksoi se Rama, sipas tij, ka lehtësuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, duke nënvizuar se Samiti i NATO-s mund të jetë më i vështirë për përpjekjet për pjesëmarrje. Megjithatë, Thaçi tha edhe se Kosova duhet ta ndihmojë vetveten në këtë drejtim, duke iu referuar nevojës për angazhim për të gjetur format e mundshme të prezencës.
Gjatë intervistës, Thaçi foli edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ai tha se Rama e ka vizituar disa herë gjatë periudhës së tij të qëndrimit në Hagë. “I jam mirënjohës nga zemra”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se sipas tij Rama, përmes reformave, po synon ta çojë Shqipërinë drejt një orientimi më evropian.
I pyetur nga Grida Duma për deklaratën e Ramës drejtuar presidentit amerikan Donald Trump lidhur me procesin ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Thaçi tha se pret vetëm një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar. Ai theksoi se të vërtetën e kanë parë gjyqtarët dhe realitetin e ka parë edhe bota, ndërsa tani, sipas tij, vendimi i takon gjyqtarëve dhe mbetet në duart e tyre.
Intervistuesi e pyeti gjithashtu Thaçin nëse, duke parë zhvillimet e deritanishme, ai e konsideron gabim vendimin e vitit 2015 për themelimin e Gjykatës Speciale. Thaçi u shpreh se Kosova në atë kohë ishte përballë dy mundësive: themelimit të gjykatës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ose krijimit të saj përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai tha se u përcaktuan për të keqen më të vogël për Kosovën, duke evituar Rusinë dhe Kinën nga procesi, sepse sipas tij, nëse do të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën si në planin legal, politik dhe historik.
Thaçi shtoi se kishte qenë i zotuar që Kosovës të mos i ndodhte asgjë e keqe. “Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time”, deklaroi ai, por pohoi se kjo vështirësi, sipas tij, do të kapërcehet. Në fund, ai u pyet nëse kishte informacione se Presidenca e Kosovës dhe presidentja Vjosa Osmani ishin kërcënuar për shkak të refuzimit për të lejuar kontrolle nga Prokuroria e Hagës. Thaçi u përgjigj shkurt: “Nuk kam koment”.
Botuar fillimisht në Telegrafi
