Edhe pse kalendari ka kaluar në tetor, Thethi vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në veri të vendit. Grupet e vizitorëve nga vende të ndryshme të botës vazhdojnë të mbushin bujtinat dhe shtigjet e këtij fshati malor, duke treguar se interesi për Alpet shqiptare nuk mbyllet me muajt e verës.
Mes turistëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë në këtë periudhë janë edhe vizitorë nga Izraeli. Ata udhëtojnë kryesisht në grupe të mëdha, shpesh me makina, duke përshkuar jo vetëm Thethin, por edhe destinacione të tjera në Shqipëri. Për disa prej tyre, kjo nuk është vizita e parë, çka e bën të qartë se zona po tërheq vazhdimisht interes nga të huajt.
Në këtë kontekst, një turist nga Izraeli tregon se është kthyer në disa raste në vendin tonë. Ai thotë se grupet e tyre lëvizin me automjete dhe shëtisin në pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria është shumë e bukur dhe zhvillimi i zonës vërehet, por thekson se ka nevojë për më shumë infrastrukturë dhe shërbime. “Vij nga Izraeli për të disatën herë në Theth. Udhëtojmë në grupe me makina dhe shëtisim të gjithë Shqipërinë. Ne e adhurojmë Shqipërinë, është shumë e bukur. Na pëlqen shumë, por do të duhet të ketë më shumë facilitete, si rrugë dhe shërbime. Por është shumë bukur këtu dhe po zhvillohet”, tha ai.
Ndërkohë, për disa vizitorë të tjerë kjo është hera e parë në Theth. Helena, e cila vjen nga Izraeli, tregon se ajo që e ka impresionuar më shumë është natyra dhe mikpritja e banorëve. Ajo e veçon peizazhin malor dhe e konsideron atë të veçantë edhe kur e krahason me destinacione të tjera që ka vizituar jashtë vendit. Helena shpreh se njerëzit janë shumë të dashur dhe mikpritës, ndërsa natyra është “diçka speciale”.
“Jam Helena dhe vij nga Izraeli. Është hera e parë këtu dhe më pëlqen shumë, sidomos njerëzit janë shumë të dashur, mikpritës. Natyra këtu është diçka speciale dhe më pëlqen shumë. Kam udhëtuar në shumë vende të botës, por asnjë nuk është si këtu, sidomos malet. Zoti duket sikur i ka krijuar malet vetëm për ju”, u shpreh Helena.
Menaxhimi i mbetjeve mbetet sfidë për turizmin në Theth
Krahas bukurive natyrore, turistët sjellin në vëmendje edhe problematika që, sipas tyre, kërkojnë më shumë vëmendje. Një çift nga Gjermania, i cili viziton për herë të parë Thethin, tregon se është impresionuar nga peizazhi dhe se ka vizituar edhe Syrin e Kaltër. Megjithatë, ata sugjerojnë të tregohet më shumë kujdes për menaxhimin e mbetjeve, duke e parë këtë si një element që duhet përmirësuar gjatë pritjes së vizitorëve.
Turisti nga ky çift thotë se kanë ardhur nga Gjermania dhe se kjo është hera e parë e tyre. “Është hera e parë që jemi këtu dhe vijmë nga Gjermania. Pamë Syrin e Kaltër, që është shumë i bukur. Kemi vizituar edhe jugun, por na u duk pak më shumë i zënë me njerëz. Çdo gjë është e bukur këtu, ndoshta duhet të bëjmë diçka më mirë me mbeturinat”, tha ai. Sipas rrëfimit të tij, edhe pse destinacioni vlerësohet për natyrën, mbetjet përmenden si çështje që nuk është zgjidhur plotësisht.
Edhe bashkëshortja e tij vlerëson natyrën e Thethit dhe përmirësimet në infrastrukturë, të cilat, sipas saj, kanë qenë më të mira nga sa priste. Ajo megjithatë thekson problemin e mbetjeve, duke thënë se, në perceptimin e saj, ato janë të pranishme në zona të ndryshme. Përveç kësaj, ajo përmend se para se të vinte këtu kishte dëgjuar informacione për temperaturat e larta dhe vështirësi në rrugë, por realiteti rezultoi më i mirë se pritshmëritë, pasi disa rrugë ishin bërë të reja. “Para se të vija këtu dëgjova disa informacione se ishte nxehtë këtu dhe kishte vështirësi me rrugët, por doli pak më mirë se prisja, pasi disa rrugë ishin bërë të reja. Problemi është i nxehti. Natyra këtu është fantastike dhe më pëlqen shumë, por ka pak problem me mbeturinat që janë prezente kudo”, u shpreh ajo.
Temperaturat e larta përtej normales së kësaj periudhe, së bashku me fluksin e vizitorëve, po e mbajnë Thethin të frekuentuar edhe në vjeshtë. Bukuria e Alpeve dhe mikpritja e banorëve mbeten ndër arsyet kryesore që tërheqin turistë nga e gjithë bota, ndërsa infrastruktura, shërbimet dhe menaxhimi i mbetjeve vijojnë të shfaqen si sfida të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonë.
Botuar fillimisht në Telegrafi
