Luftërat e shekullit XXI po tregojnë se mënyra tradicionale për të matur fuqinë ushtarake po ndryshon me shpejtësi. Në të kaluarën, epërsia në fushëbetejë lidhej kryesisht me numrin e tankeve, avionëve luftarakë, artilerisë dhe trupave tokësore. Sot, gjithnjë e më shpesh roli vendimtar po i takon teknologjisë, inteligjencës artificiale, sistemeve autonome dhe aftësisë për të zhvilluar operacione me kosto më të ulët, por me efekte të larta strategjike.
Konfliktet e fundit në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme e kanë bërë të qartë se po hyjmë në një fazë të re të luftimit. Dronët, raketat precize, sistemet autonome dhe robotika ushtarake po transformojnë mënyrën si ndërtohen operacionet ushtarake dhe si përgatiten doktrinat e mbrojtjes. Ky ndryshim po konsiderohet si një revolucion i vërtetë në artin ushtarak, sepse po ndikon jo vetëm në mjetet, por edhe në logjikën e planifikimit në terren.
Në këtë kuadër, lufta asimetrike po e sfidon fuqinë ushtarake tradicionale. Kur Rusia nisi agresionin kundër Ukrainës në vitin 2022, shumë analistë ushtarakë parashikuan një fitore të shpejtë. Po kështu, gjatë konfliktit të fundit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, pritshmëria e disa ekspertëve ishte kolapsi i shpejtë i kapaciteteve ushtarake iraniane. Por ajo që u pa në terren doli ndryshe: palët ushtarakisht më të dobëta arritën të kompensonin mungesën e epërsisë ajrore dhe të teknologjisë tradicionale përmes përdorimit masiv të dronëve, raketave dhe sistemeve të luftës asimetrike.
Rezultati ka krijuar një realitet të ri strategjik, ku fuqia e madhe ushtarake nuk garanton më domosdoshmërisht fitore të shpejtë. Sot, një dron që kushton disa mijëra dollarë mund të neutralizojë sisteme që kushtojnë miliona dollarë. Kjo po e detyron ushtritë të rishikojnë qasjen e tyre operacionale dhe të llogarisin më fort raportin kosto-efektivitet në planifikimin e goditjeve dhe mbrojtjeve.
Dronët dhe robotika po e ndryshojnë balancën e fuqisë në luftë
Dronët janë teknologjia që po e transformon luftën moderne më shpejt se çdo tjetër. Lufta në Ukrainë ka treguar përdorimin masiv të dronëve FPV, dronëve kamikazë, dronëve të zbulimit, dronëve logjistikë dhe dronëve detarë. Sipas dinamikës së konfliktit, Ukraina ka arritur të godasë baza ajrore, depo municionesh, qendra komanduese dhe rafineri nafte thellë brenda territorit rus.
Në anën tjetër, Rusia ka shfrytëzuar gjerësisht dronët Shahed, të zhvilluar fillimisht nga Irani, për të transformuar sulmet strategjike kundër infrastrukturës ukrainase. Ndërsa në konfliktin e vitit 2026 ndërmjet Iranit dhe Izraelit, ky trend u konfirmua edhe më shumë: mijëra dronë kamikazë iranianë kanë arritur të krijojnë kosto të konsiderueshme ekonomike dhe ushtarake për kundërshtarët e tyre, pavarësisht nivelit të lartë të neutralizimit nga sistemet moderne të mbrojtjes ajrore.
Për herë të parë në histori, dronët po përdoren jo vetëm si mjete mbështetëse, por edhe si armë strategjike që mund të ndikojnë në balancën e fuqisë në nivel rajonal. Kjo nënkupton se vendimmarrja dhe strategjia po zhvendosen nga konceptet tradicionale drejt aftësive për të planifikuar përdorim masiv, për të goditur objektiva kyç dhe për të krijuar presion të vazhdueshëm.
Ndonëse vëmendja shpesh përqendrohet te dronët, raketat balistike dhe raketat precize vazhdojnë të mbeten faktor vendimtar. Konflikti Izrael-Iran ka treguar se raketat balistike mund të godasin objektiva strategjikë në distanca të mëdha dhe të krijojnë efekte të rëndësishme politike, ekonomike dhe psikologjike. Në luftën moderne, dronët dhe raketat po funksionojnë gjithnjë e më shumë si sisteme të integruara: dronët përdoren për zbulim, identifikim objektivash dhe mbingarkim të mbrojtjes ajrore, ndërsa raketat kryejnë goditjet kryesore strategjike. Ky kombinim po krijon një formë të re të luftimit të koordinuar, që po sfidon sistemet tradicionale të mbrojtjes.
Një nga zhvillimet më tërheqëse të viteve të fundit janë edhe robotët tokësorë autonomë, të njohur gjerësisht si “qenë robotikë”. Ajo që dikur dukej si fantashkencë po shndërrohet në realitet operacional. Këta robotë janë të pajisur me kamera termike, sensorë të avancuar, sisteme navigimi, inteligjencë artificiale dhe komunikim në kohë reale me qendrat komanduese. Përvoja në Ukrainë ka treguar se qentë robotikë mund të përdoren për zbulim dhe vëzhgim të pozicioneve armike, inspektim të tuneleve dhe objekteve të braktisura, zbulim të minave dhe mjeteve shpërthyese, transport të municionit dhe furnizimeve logjistike për njësitë në brendësi të strukturave të armikut, si dhe për mbështetje të komunikimeve taktike. Po ashtu, ata përdoren në operacione në zona me rrezik të lartë për personelin ushtarak.
Avantazhi kryesor i tyre është se mund të hyjnë në zona ku ushtari do të ekspozohej ndaj rrezikut të menjëhershëm nga snajperët, minat apo dronët armikë. Në shumë raste, këto sisteme kanë ndihmuar komandantët të marrin vendime më të sakta duke siguruar informacion të drejtpërdrejtë nga terreni. Ndërsa teknologjia vazhdon të përshpejtohet, inteligjenca artificiale po shihet si elementi që po krijon “ushtrinë e së ardhmes”, duke e bërë analizën, koordinimin dhe reagimin në fushëbetejë gjithnjë e më të shpejtë dhe të automatizuar.
Botuar fillimisht në Bota Sot






