Bosnja dhe Hercegovina ka pësuar një humbje minimale në Suedi, teksa u mposht nga skuadra suedeze me rezultatin 3:2 në ndeshjen e zhvilluar në Stokholm. Takimi u zhvillua në kuadër të xhiros së pestë të Ligës B të Kombeve, një fazë ku të dyja skuadrat kërkonin pikë të rëndësishme për objektivat e tyre në grup.
Pjesa e parë solli një paraqitje shumë të dobët nga boshnjakët. Suedia e shfrytëzoi menjëherë momentet e krijuara dhe në pak minuta ndërtoi një epërsi të qartë, ndërsa Bosnja dukej e paorganizuar sidomos në mesfushë. Diferenca u shfaq që në fillimin e ndeshjes, duke e vendosur herët nën presion ekipin mysafir.
Skuadra suedeze kaloi në epërsi që në minutën e pestë. Pas një topi të humbur nga boshnjakët në mesfushë, Anthony Elanga harkoi nga krahu i djathtë, ndërsa Daniel Svensson, i lënë i lirë në zonë, shënoi me kokë për 1:0. Rrugëtimi drejt golit u përshkallëzua edhe më tej kur Bosnja pati mundësi të reagojë menjëherë, por goditja me kokë e Haris Tabakoviqit nga afërsia u ndal nga portieri vendas.
Vetëm pak më vonë, në minutën e 11-të, Suedia dyfishoi avantazhin. Një ndërhyrje e Stjepan Radeljiqit ndaj Viktor Gyokeresit solli penallti, të cilën sulmuesi suedez e realizoi për ta çuar rezultatin në 2:0. Bosnja nuk arriti ta kthejë ritmin para pushimit, ndërsa në fund të pjesës së parë erdhi edhe penalltia e dytë për suedezët. Këtaj radhe, Sead Kolashinac shkaktoi ndërhyrje ndaj Daniel Svenssonit, dhe Gyökeres ishte sërish i saktë nga pika e bardhë për 3:0.
Bosnja i afrohet 3:2, por Suedia e ruan fitoren
Pjesa e dytë ndryshoi krejtësisht skenarin. Bosnja u rikthye në fushë me një fytyrë krejt tjetër dhe u afrua me shpejtësi te goli. Vetëm dy minuta pas rifillimit, Ermin Mahmiq harkoi bukur në zonë dhe Armin Gigoviq shënoi për 3:1, duke rikthyer shpresën te mysafirët. Goli i dha energji ekipit boshnjak, i cili vazhdoi të kërkonte ritëm sulmi, ndërsa Suedia mundohej të mbronte hapësirat.
Ndërkohë, portieri suedez Johansson doli vendimtar disa herë. Ermedin Demiroviq dhe Kerim Alajbegoviq patën mundësi të mira për të ndryshuar rezultatin, por ndërhyrjet e portierit i mbajtën shpresat e boshnjakëve nën kontroll. Moment vendimtar erdhi në minutën e 62-të: pas një harkimi nga këndi nga Allajbegoviq, Sead Kollashinac u gjend bukur në zonë dhe shënoi golin e tij të parë me fanellën e përfaqësueses, duke e ngushtuar rezultatin në 3:2.
Bosnja tentoi ta çonte ndeshjen drejt barazimit edhe në minutat në vijim. Rastin më të mirë për ta bërë këtë e pati në minutën e 85-të: pas një aksioni të bukur dhe harkimit të Allajbegoviqit, Memiq goditi me kokë, por Johansson reagoi shkëlqyeshëm dhe shpëtoi portën e tij. Në minutën e 90-të, një aksion i rrezikshëm i mysafirëve u mbyll me goditje të bllokuar të Allajbegoviqit, ndërsa mundësia e fundit erdhi në minutën e katërt të shtesës, kur Kollashinac goditi pak pranë portës.
Në fund, Suedia doli fituese me rezultat 3:2 dhe ruajti vendin e parë në grupin e 4-t, duke mbledhur 13 pikë. Për Bosnjë-Hercegovinën, disfata e lë ekipin në pozitën e dytë me 8 pikë, me çka do të përballet në barazh për inkuadrim në Ligën A të Kombeve. Përplasja në Stokholm u mbyll kështu me një ndryshim të madh mes dy pjesëve: Suedia kontrolloi pjesën e parë, ndërsa Bosnja u rikthye fort në të dytën, por nuk arriti ta rrëmbente pikën e radhës.
Botuar fillimisht në Bota Sot