Spanja po i afrohet një ndeshjeje vendimtare në Kupën e Botës, ku në 1/16 përballet me Austrinë. Ekipi spanjoll ka udhëtuar drejt Los Angelesit për takimin që zhvillohet të enjten, me fillim nga ora 21:00, ndërsa vëmendja kryesore është te sulmuesi i krahut Lamine Yamal.
Spanja hyn në këtë fazë si një nga favoritët për ta fituar turneun. Kombëtarja iberike u rendit e para në Grupin H, duke e siguruar kualifikimin pa dyshime të mëdha që në fillim. Megjithatë, performanca e saj në ndeshjet e grupit nuk ishte krejtësisht bindëse, veçanërisht në përballjet kundër Kepit të Gjelbër dhe Uruguait. Pikërisht këtu futet në skenë roli i Yamalit, i cili po kërkon ta rikthejë ritmin dhe formën më të mirë pas një rikuperimi nga lëndimi.
Sipas ritmit të minutave që ka pasur Yamal në këtë Kupë Bote deri tani, duket qartë se ai nuk ka qenë gjithmonë në dispozicion të plotë. Ai luajti vetëm 19 minuta në ndeshjen kundër Kepit të Gjelbër, pastaj 45 minuta kundër Arabisë Saudite, ndërsa në sfidën ndaj Uruguait i ka qëndruar në fushë 76 minuta. Në total, kjo paraqitje tregon se spanjollët po e menaxhojnë gradualisht dhe po e rikthejnë atë në rolin ku mund të bëjë diferencën.
Derist tani, Lamine Yamal ka arritur të shënojë një gol në këtë Kupë Bote. Por pritshmëria te tifozët dhe te vetë skuadra është edhe më e madhe, sepse ai shihet si një nga yjet e mëdhenj të futbollit të momentit dhe pjesë e emrit më të njohur në klubin e Barcelonës. Për spanjollët, sfida ndaj Austrisë shihet si një mundësi konkrete për të shkëlqyer, duke e përdorur talentin e tij për të rritur intensitetin në sulm.
Spanja synon shkëlqimin e Yamali-t për të kaluar Austrinë
Historia në fazat nokaut e Kupës së Botës i mban spanjollët nën vëzhgim. Kampionia në fuqi e Evropës ka humbur dy ndeshje në raundet nokaut të Kupës së Botës që nga triumfi i vitit 2010. Megjithatë, ka një statistikë që mban shpresat më lart: Spanja nuk ka pësuar asnjëherë tre humbje rresht në fazën nokaut të Kupës së Botës. Kjo i jep një peshë të veçantë këtij 1/16, ku rezultati do të jetë kritik për të rikthyer ritmin e duhur dhe për të mos u futur në një seri negative.
Në krahun tjetër, Austria e siguroi kualifikimin për në fazën e dytë si skuadra e dytë në Grupin J. Ajo e arriti këtë pas një ndeshjeje të fundit të fazës së grupeve, kur barazoi 3:3 kundër Algjerisë. Kjo tregon se austriakët kanë aftësi për të bërë ndeshje të hapura dhe për t’i rikthyer rezultatet, çka e bën sfidën ndaj Spanjës më të paparashikueshme.
Raportet mes dy ekipeve në histori japin gjithashtu sinjale. Austria ka arritur një fitore 2:1 ndaj Spanjës në Kupën e Botës të vitit 1978. Por në pesë ndeshjet e fundit mes tyre, Spanja është e pamposhtur ndaj Austrisë, duke e bërë përballjen e së enjtes një test të rëndësishëm edhe për austriakët. Me Yamal në qendër të planit spanjoll dhe me një ndeshje që nis në ora 21:00, të dy ekipet hyjnë në fushë me objektiva të qarta: Spanja për të avancuar, Austria për të rrëmbyer një rezultat të madh në një moment vendimtar të turneut.
Botuar fillimisht në Koha.net
