Si u bë moda e Michelle Obamës diplomaci

Gardëroba e Michelle Obamës nuk u pa vetëm si një shfaqje elegance, por si pjesë e një mesazhi më të gjerë që e shoqëroi gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë. Në jetën moderne politike amerikane, pak familje janë vëzhguar aq nga afër sa familja Obama: jo vetëm për politikat dhe vendimet, por edhe për imazhin që projektonte në publik. Në këtë vëmendje të vazhdueshme, Michelle Obama u shndërrua në një nga Zonjat e Para më të dukshme në histori, ndërsa veshjet e saj u analizuan pothuajse në kohë reale dhe u bënë pikë referimi për stil, frymëzim e ndikim kulturor.

Edhe vite pasi ajo u largua nga Shtëpia e Bardhë, ndikimi në modë vazhdon të ndihet. Këtë trashëgimi tani e gjen të ruajtur në Obama Presidential Center, në pjesën jugore të Chicagos, i cili u hap për publikun në qershor. Në kuadër të kësaj hapësire, është ngritur një ekspozitë me disa nga veshjet e Michelle Obamës gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë. Ekspozita përfshin shembuj të veçantë, si fustani i zi me të kuqe nga Narciso Rodriguez, të cilin ajo e veshi natën e zgjedhjeve të vitit 2008. Një tjetër veshje e rëndësishme është fustani rose gold nga Atelier Versace, i veshur në darkën e fundit shtetërore në vitin 2016.

Mes veshjeve të ekspozuara, ka edhe detaje që lidhen drejtpërdrejt me preferencat e saj personale. Një nga pamjet e preferuara të Barack Obamës është përmendur edhe në episodin e fundit të serisë video “Behind the Seams” të revistës InStyle. Ai ka thënë se “Ajo gjithmonë dukej bukur dhe ende duket bukur”, duke shtuar se nuk ka pasur ndikim në përzgjedhjen e fustaneve për ekspozitë. Megjithatë, është gëzuar që në të është përfshirë një nga të preferuarat e tij: fustani që Michelle Obama kishte veshur në Konventën Kombëtare Demokratike të vitit 2012. Në këtë mënyrë, në ekspozitë shfaqet jo vetëm një kronologji veshjesh, por edhe lidhja e stilit me momentet kyçe të jetës publike.

Ndryshe nga monumentet që mund të duken larg qytetarëve, Obama Presidential Center ka si synim të jetë i hapur dhe i qasshëm. Vizitorët nuk ftohen vetëm ta shohin trashëgiminë nga distanca, por të hyjnë brenda saj. Për këtë, Valerie Jarrett, drejtoreshë ekzekutive e Obama Foundation, ka shpjeguar se afërsia lidhet edhe me mënyrën sesi Michelle Obama e përjetoi rolin e saj në Shtëpinë e Bardhë, ku vëmendja publike ishte e pashmangshme. “Fustanet e Michelle janë ikonike. Të gjithë e shikojnë se çfarë vesh Zonja e Parë”, ka thënë Jarrett, por theksoi se ajo që e dalloi periudhën e Obamëve nuk ishte vetëm madhësia e vëmendjes, por qëllimi me të cilin ajo lëvizte brenda saj.

Moda e Michelle Obamës u kthye në ftesë për afërsi

Jarrett ka argumentuar se moda për Michelle Obamën nuk ishte një mburojë. Ishte një mënyrë për t’u afruar me njerëzit, për t’u bërë më e kuptueshme dhe më njerëzore. Sipas saj, Michelle Obama gjithmonë vishte rroba ku ndihej rehat, rroba në të cilat edhe një person tjetër do të ndjehej rehat për t’iu afruar dhe për ta përqafuar. Ajo e përshkruan si një figurë që i përqafonte njerëzit, qoftë në takime të mëdha, në grupe të vogla apo edhe gjatë kalimeve të shkurtra mes publikut. Në këtë qasje, veshja nuk krijonte distancë, por shërbente si një ftesë për afërsi.

Një pjesë tjetër e asaj që ekspozita përcjell lidhet me mënyrën si thjeshtësia kthehet në mesazh. Zgjedhjet e vogla, si përsëritja e veshjeve ose kombinimi i markave luksoze me marka më të qasshme, janë përmendur si elementë të një përpjekjeje më të gjerë për ta zvogëluar distancën mes figurës publike dhe qytetarëve. Michelle Obama e kishte të rëndësishme që rrobat të mos visheshin vetëm një herë dhe më pas të mbylleshin në dollap. Jarrett ka nënvizuar se kjo është diçka që e bëjnë të gjithë: një fustan që e pëlqen e vesh për një rast dhe më pas e vesh përsëri. Brenda muzeut, kjo filozofi shfaqet edhe në mënyrën si është ndërtuar rrëfimi.

Rrëfimi i ekspozitës nuk i ndan fustanet nga historia personale e Michelle Obamës. Ato vendosen brenda një kronologjie më të gjerë të jetës së saj: nga fëmijëria në Chicago, tek karriera e hershme, vitet në Shtëpinë e Bardhë dhe periudha pas saj. Louise Bernard, drejtoreshë themeluese e Obama Presidential Center, ka thënë se qëllimi ka qenë që historia e zonjës Obama të jetë e ndërthurur në gjithë rrëfimin. Ekspozita nis me veshjen që Michelle Obama e veshi natën e zgjedhjeve në Grant Park, në nëntor 2008: një fustan elegant i zi me të kuqe nga Narciso Rodriguez. Më pas, në rrëfim zë vend edhe kompleti i Isabel Toledo, të cilin ajo e veshi në inaugurimin e vitit 2009, moment kur po hynte zyrtarisht në rolin e Zonjës së Parë. Ekspozita përfshin veshje të ndryshme që tregojnë sesi ajo ndërthurte modën e lartë me zgjedhje më të qasshme, veshje për raste shtetërore dhe për udhëtime jashtë vendit. Rrëfimi përmbyllet me fustanin që ajo mban në portretin e saj zyrtar në National Portrait Gallery, një krijim nga marka Milly.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version