Rusia po i shfrytëzon të njëjtën logjikë rekrutimi që i ka shërbyer asaj për të plotësuar numrin e njerëzve në luftën kundër Ukrainës: Bjellorusia po shfaqet si një rezervë e përshtatshme, veçanërisht pas humbjeve të rënda që Moska ka pësuar në front. Në muajt e fundit, në Bjellorusi janë vënë re një numër i madh reklamash që u ofrojnë qytetarëve mundësinë për të nënshkruar kontratë me ushtrinë ruse.
Mesazhet shfaqen në hapësira të shumta dixhitale dhe shpërndahen gjerësisht. Ato qarkullojnë në kanalet Telegram, në bisedat e Viber dhe në faqet e komuniteteve lokale, ku njerëzit diskutojnë çështje të përditshme. Reklamat vijnë të maskuara mes temave të tjera, si postime për shitjen e perimeve apo kërkesa për të gjetur një mësues privat. Por, herë pas here, në këto kanale del edhe një ofertë e papritur: “pagë të lartë, përfitime dhe shtetësi ruse” në këmbim të shkuarjes në luftë.
Hetimet kanë dokumentuar një rritje të ndjeshme të postimeve të tilla. Kjo nuk paraqitet si një rastësi apo një incident i izoluar, por si pjesë e një fushate sistematike që synon pikërisht njerëzit në nevojë sociale. Premtimet që u bëhen rekrutëve të mundshëm janë të shumta dhe shpesh të formuluara në mënyrë të tillë që ta bëjnë pjesëmarrjen në konflikt të duket si një zgjidhje “praktike” e problemeve financiare.
Çfarë u premtohet konkretisht bjellorusëve? Oferta përfshin ekuivalet për dhjetëra mijëra euro, paga të larta, strehim dhe ushqim, si dhe përmenden një pension ushtarak dhe sigurim jete. Në disa reklama, shfaqen edhe formulime që premtojnë “zgjidhjen e problemeve me ligjin”, një element veçanërisht i rrezikshëm, duke pasur parasysh se pjesëmarrja në një konflikt të armatosur jashtë vendit bie nën nenin mbi aktivitetet mercenare në kodin penal të Bjellorustisë. Ky nen parashikon dënim me burgim deri në shtatë vjet.
Fushata: “pagë të lartë” dhe “shtetësi ruse” për rekrutët
Pavarësisht kësaj, rekrutuesit këmbëngulin se shërbimi është i “ligjshëm”. Ata pretendojnë se nuk bëhet fjalë për aktivitet mercenar, por për “shërbim në ushtrinë e Shtetit të Unionit”. Hetimet tregojnë edhe mënyrën se si zhvillohet kontakti me personin që po i afrohet ofertës: shumica e të rekrutuarve janë burra nga qytete dhe nga fshatra të vogla, me të ardhura të ulëta, me borxhe ose me probleme ligjore ekzistuese. Shumë prej tyre, sipas skemës së dokumentuar, nuk i kuptojnë pasojat ligjore, ndërsa një pjesë të tyre thjesht kërkojnë para të shpejta.
Skema e rekrutimit është e thjeshtë dhe efektive. Një person sheh një reklamë në rrjetet sociale dhe i shkruan rekrutuesit, i cili përdor një numër telefoni bjellorus. Më pas, ai i tregon pagesat, përfitimet dhe “ligjshmërinë” e supozuar të shërbimit. Pas kësaj, rekrutëve u ofrohet një dokumentacion i shpejtë dhe udhëtimi drejt Rusisë, më shpesh përmes Smolenskut ose Pskovit. Në atë pikë, personi nënshkruan një kontratë dhe bëhet pjesë e forcave të armatosura ruse. Hulumtimet theksojnë se, pasi nënshkruhet kontrata, praktikisht nuk ka pothuajse asnjë rrugë kthimi.
Për ata që pranojnë të nënshkruajnë, pasojat mund të jenë tragjike: përtej rrezikut të vrasjes, përballen edhe me përgjegjësi penale në Bjellorusi, humbje të mundshme të shtetësisë ose kufizime të të drejtave. Aktivistët e të drejtave të njeriut theksojnë se ushtarët e huaj me kontratë shpesh vendosen në njësi sulmi, ku shkalla e viktimave është veçanërisht e lartë. Ndërkohë, shoqëria bjelloruse ka reaguar me alarm: qytetarët ankohen për rekrutim masiv të mesazheve të padëshiruara dhe disa i drejtohen Ministrisë së Brendshme, por praktikisht nuk ka përgjigje. Regjimi i Aleksandër Lukashenkos nuk e pranon zyrtarisht se po ndodh rekrutimi, por nuk ndërmerr veprime për ta ndaluar.
Në sfondin e kësaj situate, Bjellorusia mbetet e varur nga subvencionet ruse për të përballuar hapur qëndrimin ndaj Kremlinit. Për më tepër, masat e mobilizimit brenda vendit po shtohen, duke krijuar presion shtesë mbi burrat në moshë që të rekrutohen. Rekrutimi i bjellorusëve, sipas analizës së bërë në kuadër të strategjisë së Kremlinit, nuk lidhet me reklama të rastësishme apo iniciativa të veçuara, por shihet si pjesë e një fushate të koordinuar për zgjerimin e fuqisë punëtore të përdorur në luftën kundër Ukrainës. Korniza ligjore e Shtetit të Unionit, në këtë kuptim, i jep Moskës hapësirë manovrimi: formalisht, qytetarët e Bjellorusisë dhe Rusisë kanë “të drejta të barabarta”, dhe institucionet ruse po përpiqen ta paraqesin këtë si “detyrime të barabarta”, përfshirë edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) paralajmëron se një interpretim i tillë mund të shërbejë si bazë për të ushtruar presion mbi bjellorusët dhe për të rritur përpjekjet për t’i mobilizuar ata.
Botuar fillimisht në Telegrafi
