Në vitin 2001, kur Pep Guardiola ishte ende futbollist, ai sapo kishte mbyllur një kapitull të rëndësishëm te Barcelona. Pak më pas, ai mbërriti në Brescia, ku do të gjente mes të tjerëve Roberto Baggion dhe Igli Taren. Për këtë të fundit, periudha në Itali nuk ka mbetur e lidhur vetëm me fushën e lojës, por edhe me një mënyrë të veçantë që Guardiola kishte për ta parë futbollin.
Rreth 25 vite më vonë, ish-sulmuesi shqiptar sjell në vëmendje një detaj të pazakontë nga ditët që i kaloi bashkë me Guardiolën. Tare rrëfen se Guardiola, edhe kur ishte ende lojtar dhe jo trajner, gjente mënyra për t’u shpjeguar të tjerëve idetë e tij. Në darkë, ai përdorte sende krejt të zakonshme nga tavolina për të bërë më të qartë atë që donte të përcillte për lojën.
Rolet në tavolinë: Guardiola vizatonte skemat me bukë e pirun.
“Një nga gjërat më të bukura që kam pasur në eksperiencat e mia, ka qenë edhe fakti se si ai e shikonte botën e futbollit që në atë kohë. Ai në darkë gjente mundësinë që të shpjegonte taktikën duke përdorur pjesë buke ose gota ose pirunja, thika, kështu që ishte diçka shumë e bukur!”, kujton Igli Tare. Sipas rrëfimit të tij, këto sende shndërroheshin në objekte që e bënin më të lehtë kuptimin e lojës dhe të pozicioneve, duke i kthyer në elementë të një skeme taktike që merrej vesh në tavolinë.
Guardia e kishte të qartë se futbolli nuk mbaronte te 90 minutat e ndeshjes. Në këtë formë, gjatë darkave, pjesët e bukës, gotat, pirunjtë dhe thikat merrnin kuptim të ri: bëheshin “lojtarë”, pozicione dhe alternativa të një skenari loje. Për Taren, kjo mënyrë e shpjegimit ishte e veçantë jo vetëm për kreativitetin, por edhe për faktin se Guardiola e trajtonte futbollin si një organizim të mendimit, jo vetëm si veprim në fushë.
Tare kujton edhe një element tjetër që i ka mbetur në mendje, përtej taktikave. “Por një djalë shumë i thjeshtë edhe ai, edhe ajo të bënte ta ndjeje shumë atë thjeshtësinë e madhe që ata kishin si njerëz.” Në rrëfimin e tij, kjo “thjeshtësi” nuk lidhet me truke apo me mënyrë për të bërë përshtypje, por me faktin që Guardiola dhe ata përreth dukej se kishin një qëndrim normal, pa e tepruar me gjithçka që lidhej me rolet e futbollit.
Në atë kohë, askush nuk mund ta dinte se lojtari spanjoll që kishte mbërritur në Brescia do të ndërtonte vite më vonë një karrierë të jashtëzakonshme si trajner. Megjithatë, për Taren, ekziston një vijë e përbashkët mes Guardiolës së atyre viteve dhe trajnerit që bota njeh sot. “Ajo që ka qenë më e bukura është se Guardiola që kemi parë sot, ka qenë i njëjti njeri edhe kur ka qenë futbollist.” Kjo ide përforcohet edhe nga marrëdhënia mes tyre, e cila nuk u ndërpre me largimin nga Brescia.
Igli Tare thotë se ata kanë ruajtur kontaktet gjatë viteve dhe se ka pasur mundësi ta takojë sërish Guardiolën edhe kur ai drejtonte Manchester Cityn. Tare rrëfen se e ka vizituar Guardiolën në një ndeshje të Premier League kundër Nottingham Forest, ku kanë biseduar bashkë pas ndeshjes për gati dy orë. Për Taren, kthimi te ai imazh i Brescias—kur një copë buke apo një pirun mund të shndërrohej në pjesë të një skeme taktike—mbetet një mënyrë për të shpjeguar se Guardiola ka pasur të njëjtën qasje ndaj lojës dhe njerëzve.
Ky rrëfim, bashkë me pamjet e rralla të vitit 2001 dhe historitë e një karriere që nisi në Brescia dhe më pas vijoi në Lazio dhe Milan, bëjnë pjesë në dokumentarin ekskluziv “Igli Tare – Të shkruash historinë”, realizuar nga gazetari Endi Tufa.
Botuar fillimisht në Bota Sot