Shqipëria e vajzave triumfon 5-2 me Malin e Zi

Kombëtarja e vajzave ka shkruar një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj, duke e nisur mbrëmjen në mënyrën më të mirë me një fitore të thellë 5-2 ndaj Malit të Zi. Ndeshja u luajt në stadiumin “Loro Boriçi” dhe i dha ekipit kuqezi jo vetëm 3 pikë, por edhe një hap të sigurt drejt fazës tjetër të kualifikimit për Botërorin “Brazil 2027”.

Takimi u drejtua nga trajneri Armir Grima dhe solli një lojë me presion të vazhdueshëm, sidomos në fazën ofensive, ku Shqipëria kërkoi golin që në minutat e para. Pavarësisht se në një moment malazezet arritën të kalonin në avantazh, reagimi i skuadrës kuqezi ishte i menjëhershëm dhe rrjedha e pjesës së parë u mbyll me barazim 2-2, duke e lënë gjithçka të hapur për 45 minutat e dyta.

Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion: Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Mikaela Metalla, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Vanesa Levendi, Fortesa Berisha dhe Megi Doçi (c). Që në start, Shqipëria u shfaq më e rrezikshme, duke provuar që në minutën e katërt. Një goditje e Fortesa Berishës u ndal nga traversa, duke mos e lejuar ekipin të kalonte në avantazh.

Vajzat kuqezi vazhduan me ritëm të lartë dhe krijuan raste të tjera të mira për shënim në minutat 11 dhe 12. Fillimisht u ndal rasti nga Ezmiralda Franjen, ndërsa më pas Fortesa Berisha pati një tjetër mundësi, pa arritur të gjente rrugën e rrjetës. Në minutën e 13-të, Berisha sërish provoi përballë portës, por tentativa e saj nuk u konkretizua. Në këtë periudhë, malazezet u detyruan të mbrohen, ndërsa Shqipëria kërkonte golin e avantazhit pa sukses të menjëhershëm.

Penalltia dhe përmbysja çojnë Shqipërinë drejt play-off-it

Në minutën e 20-të, Malit të Zi i erdhi goli i parë dhe kaloi në avantazh, por Shqipëria nuk u step. Kapitenia Megi Doçi doli përpara portës për të kontrolluar një top të gjatë, por u pengua nga portierja kundërshtare. Gjyqtarja akordoi penallti në favor të Shqipërisë dhe, për shkak të ndërhyrjes, portierja malazeze u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën kundërshtare me 10 lojtare. Nga pika e bardhë, Megi Doçi nuk gaboi dhe në minutën e 22-të vendosi baraspeshën, duke e çuar rezultatin në 1-1.

Edhe pas golit, Shqipëria vazhdoi të kërkonte avantazhin dhe sërish rrezikoi me Fortesa Berishën e më pas me Ilarja Zarkën, por pa arritur të finalizonte. Megjithatë, në minutën e 45-të, malazezet gjetën sërish rrugën e rrjetës dhe kaluan 1-2. Vetëm pak çaste më vonë erdhi përgjigjja e Shqipërisë: Fortesa Berisha riktheu ekuilibrat pas një aksioni të ndërtuar nga Megi Doçi. Kapitenia pasoi në krahun e djathtë për Klea Hamonikajn, e cila e dërgoi topin në zonë për Berishën, dhe sulmuesja kuqezi e dërgoi topin në rrjetë për 2-2, duke mbyllur pjesën e parë me barazim.

Pjesa e dytë nisi me Shqipërinë më kërkuese e dominuese në lojë. Kombëtarja kuqezi kontrolloi ritmin dhe krijoi vazhdimisht situata të rrezikshme para portës së kundërshtareve. Përmbysja erdhi në minutën e 63-të, kur kapitenia Megi Doçi provoi nga distanca dhe gjeti rrjetën me një goditje të bukur, duke befasuar portieren dhe mbrojtjen malazeze. Ky gol i dha avantazhin Shqipërisë dhe një dopietë personale kapitenes. Dominimi vazhdoi menjëherë: në minutën e 67-të, Gresa Berisha shënoi golin e katërt pas një asisti elegant të Ezmiralda Franjës. Vetëm tre minuta më vonë, erdhi edhe goli i pestë, këtë herë nga Arbiona Bajraktari, e cila gjeti rrjetën pas një pasimi të saktë nga Ezmiralda Franja, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2.

Falë kësaj fitoreje dhe 3 pikëve të siguruara ndaj Malit të Zi, Shqipëria siguroi kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të kualifikueseve të Botërorit 2027 për vajza. Kombëtarja konfirmoi qëndrimin në Ligën B dhe vendosi edhe një rekord të ri: për herë të parë grumbulloi 7 pikë në një grup të Ligës B. Një arritje e rëndësishme për ekipin e vajzave, që vazhdon të shkruajë historinë dhe të tregojë progres në futbollin e femrave.

Botuar fillimisht në Sport Ekspres

Exit mobile version