Shqipëria e vajzave fiton 5-2 ndaj Malit të Zi, play-off

Kombëtarja shqiptare e vajzave ka shkruar një tjetër kapitull në historinë e saj, duke mposhtur Malin e Zi me rezultatin 5:2 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të kualifikueseve për Botërorin “Brazil 2027”. Një fitore e thellë, e arritur pas një ndeshjeje ku ekipi kuqezi ka dominuar me lojë sulmuese, duke përmbysur ritmin që në pjesën e parë.

Vajzat kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, e kanë nisur ndeshjen me intensitet të lartë dhe me kërkesë të vazhdueshme për ta vendosur topin në zonë. Formacioni i Shqipërisë në këtë sfidë përbëhej nga Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Mikaela Metalla, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Vanesa Levendi, Fortesa Berisha dhe Megi Doçi (c).

Që në minutat e para Shqipëria ka tentuar të gjejë avantazhin. Në minutën e katërt, një goditje e Fortesa Berishës ndalet nga traversa, duke i mohuar skuadrës sonë golin e parë. Edhe më pas, ekipi vazhdon presionin dhe krijon raste të tjera në minutat 11 dhe 12: së pari me Ezmiralda Franjen dhe më pas me Fortesa Berishën, por pa arritur të finalizojnë me saktësinë e duhur.

Dy penallti, përmbysje dhe dopietë drejt play-off-it

Edhe kur duket se goli po vonohet, Shqipëria nuk ndalet. Në minutën e 13-të, sërish Fortesa Berisha provon përpara portës, por tentativa e saj nuk konkretizohet. Malazezet, megjithatë, gjejnë momentin e tyre: në minutën e 20-të kalojnë në avantazh. Reagimi i Shqipërisë është i menjëhershëm. Në atë moment, kapitenia Megi Doçi del përpara portës për të kontrolluar një top të gjatë, por pengohet nga portierja kundërshtare. Gjyqtarja akordon penallti në favor të Shqipërisë dhe ndëshkon me karton të kuq portieren malazeze, duke i lënë kundërshtaret me 10 lojtare. Nga pika e bardhë, Megi Doçi nuk gabon: në minutën e 22-të rikthen baraspeshën në 1-1.

Pas barazimit, skuadra shqiptare vazhdon të kërkojë golin e avantazhit, duke rrezikuar përsëri me Fortesa Berishën dhe më pas me Ilarja Zarkën, por pa e gjetur rrugën e rrjetës. Megjithatë, në minutën e 45-të vijnë sërish golat nga ana e Malit të Zi, që rikthehen në avantazh me 1-2. Vetëm pak çaste më vonë, situata ndryshon sërish. Fortesa Berisha rikthen ekuilibrat pas një aksioni të ndërtuar nga Megi Doçi: kapitenia pason në krahun e djathtë për Klea Hamonikajn, e cila e dërgon topin në zonë për Berishën. Sulmuesja kuqezi kësaj here nuk gabon dhe dërgon topin në rrjetë për rezultatin 2-2, me të cilin mbyllet pjesa e parë.

Pjesa e dytë nis me një Shqipëri më kërkuese dhe më dominuese në lojë. Vajzat kuqezi kontrollojnë ritmin e takimit dhe krijojnë vazhdimisht situata të rrezikshme përpara portës kundërshtare. Goli i përmbysjes vjen në minutën e 63-të: kapitenia Megi Doçi provon nga distanca dhe gjen rrjetën me një goditje të bukur, duke befasuar portieren dhe mbrojtjen malazeze. Një gol me peshë që i jep avantazhin Shqipërisë dhe kompleton dopietën personale të kapitenes.

Dominimi vazhdon edhe në minutat në vijim. Në minutën e 67-të, Gresa Berisha shënon golin e katërt për Shqipërinë, pas një asisti elegant të Ezmiralda Franjës. Vetëm tre minuta më pas, Shqipëria gjen sërish rrugën drejt rrjetës: kësaj radhe autor është mbrojtësja Arbiona Bajraktari, e cila realizon pas një tjetër asisti të saktë nga Ezmiralda Franja. Rezultati përfundimtar vuloset 5-2, duke i dhënë ekipit kuqezi një mbrëmje të paharrueshme në “Loro Boriçi”.

Falë kësaj fitoreje dhe tre pikëve ndaj Malit të Zi, Shqipëria siguron kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të kualifikueseve për Botërorin “Brazil 2027” për vajza. Me këtë rezultat, ekipi konfirmon edhe qëndrimin në Ligën B dhe vendos një rekord të ri, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në një grup të Ligës B. Një arritje e rëndësishme për Kombëtaren e vajzave, që vijon të ndërtojë rrugën e saj dhe të tregojë progres të vazhdueshëm në futbollin e vajzave në vendin tonë.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version