Shkëndija s’ia lë rastin: Vane Kërstevski para Strugës

Sulmuesi i krahut të Shkëndija e Tetovës, Vane Kërstevski, ka folur në konferencën për shtyp në prag të sfidës së xhiros së katërt në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut kundër Struga Trim&Lum. Ndeshja e ardhshme është caktuar të zhvillohet të hënën (sot) në kompleksin e FFM-së në Shkup, me fillim nga ora 19:00.

Kërstevski u shpreh se pas nisjes së fortë në kampionat, ekipi po mban një ritëm pozitiv. Pas tre fitoreve radhazi në tre ndeshjet e para të kampionatit, ai theksoi se në grup mbizotëron motivim dhe besim, ndërsa synimi kryesor mbetet të vazhdohet aty ku u la. Për të, vazhdimësia e rezultateve është çelësi për ta mbajtur fokusin te garat e brendshme, me idenë për të qenë sa më pranë objektivit të titullit kampion.

Shkëndija synon ritëm fitues edhe ndaj Struga Trim&Lum

“Në ekip mbizotëron një atmosferë e shkëlqyer. Po përgatitemi ngadalë për Strugën, e dimë se nesër na pret një ndeshje e fortë dhe e kemi analizuar mirë”, tha Kërstevski. Ai shtoi se skuadra e nisi mbarë kampionatin me tre fitore dhe pret që të njëjtin trend ta vazhdojë edhe në ndeshjen e radhës.

Sulmuesi i krahut foli edhe për ndikimin e eliminimit europian në dinamikën e skuadrës. Ai tha se paraqitja në Evropë i ka ngacmuar pak, pasi u eliminua pa fat, megjithëse ekipi dëshironte të përsëriste suksesin e vitit të kaluar. Megjithatë, Kërstevski theksoi se tani ekipi është i fokusuar te kampionati dhe synon që ta arrijë titullin këtë vit. Sipas tij, pas realizimit të këtij objektivi, synimi do të jetë ta përsërisë edhe në edicionin e ardhshëm në gara europiane.

Në vazhdim të fjalës së tij, Kërstevski nënvizoi se ekipi duhet të ruajë profesionalizmin edhe pasi bie ndeshja e madhe ose pas një zhgënjimi. “Normalisht, ne gjithmonë shkojmë ndeshje pas ndeshjeje, çdo përballje është e rëndësishme pa marrë parasysh nëse është në Evropë apo në kampionat. Kishim një dëshpërim nga eliminimi, por si profesionistë nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj, duhet të ngrihemi, të vazhdojmë me punë dhe të fokusohemi për të përparuar në ligë, për të marrë fitore të reja dhe kjo është e gjitha”, u shpreh ai.

Ai foli edhe për gjendjen fizike dhe përgatitjen konkrete për takimin e së hënës. “Normalisht, të gjithë lojtarët që janë 100% të gatshëm për ndeshjen e nesërme mesi presim takimin. Mendoj se secili do të japë 100% nga vetja dhe këto tre fitore na japin si ‘erë në shpinë’, që të vazhdojmë në këtë tempo”, shtoi Kërstevski. Për të, rezultatet e deritanishme nuk janë vetëm shifra, por një shtysë që e mban skuadrën në ritëm dhe i jep energji për sfidën e rradhës.

Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe kushteve të ndeshjes dhe rolit të tifozëve. Kërstevski theksoi se luajtja nën dritat e reflektorëve është përparësi, edhe pse kushtet e motit mund ta bëjnë lojën më të vështirë. Ai tha se në Tetovë ekipi është mësuar me mbështetjen e publikut, por jashtë qytetit ka munguar, ndërsa shpreson që në ndeshjen e nesërme tifozët të jenë sërish pjesë e përkrahjes. “Mendoj se është përparësi dhe privilegj të luajmë nën dritat e reflektorëve. Koha është mjaft e nxehtë dhe në kushte të tilla është e vështirë të luhet. Edhe jashtë Tetovës, siç e përmendët, na mungonte publiku, por shpresojmë që nga ndeshja e nesërme do t’i kemi në mbështetje dhe gjithçka do të jetë më e lehtë?”, përfundoi sulmuesi i Shkëndijës.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version