Jetesa e rehatshme nuk ka një përkufizim të vetëm. Për disa njerëz nënkupton stabilitet financiar dhe mundësi për të mbuluar shpenzimet pa stres, ndërsa për të tjerë lidhet me cilësinë e jetës, kursimet dhe sigurinë afatgjatë. Në kushtet kur çmimet ndryshojnë shumë nga një shtet në tjetrin, dhe edhe brenda të njëjtit vend, pyetja “sa para duhen” bëhet edhe më e vështirë për t’u kthyer në një shifër të qartë.
Për të dhënë një ide konkrete, Euronews Business ka llogaritur të ardhurat neto mujore të familjeve që duhet të kenë për të arritur nivelin e barabartë me 150 për qind të të ardhurave mesatare kombëtare. Ky prag shërben si pikënisje për përcaktimin e shtresës së mesme të lartë. Në këtë mënyrë, matja nuk bëhet vetëm mbi pagat, por mbi të ardhurat e disponueshme, duke marrë parasysh realitetin e shpenzimeve dhe të ngarkesave fiskale.
Të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara merren duke mbledhur të gjitha të ardhurat monetare të anëtarëve të një familjeje: nga puna, investimet, përfitimet sociale dhe burime të tjera. Pas kësaj, nga shuma zbriten tatimet dhe kontributet shoqërore. Rezultati më pas pjesëtohet me numrin e anëtarëve të familjes, duke përdorur një shkallë ekuivalentimi që llogarit madhësinë dhe përbërjen e familjes. Kjo do të thotë se treguesi nuk përfaqëson domosdoshmërisht të ardhurat individuale, por një nivel të përshtatur për familjen si njësi jetese.
Sipas përkufizimit të OECD-së, shtresa e mesme përfshin familjet me të ardhura të disponueshme të ekuivalentuara nga 75 deri në 200 për qind të të ardhurave mesatare kombëtare. Kjo kategori ndahet në tri grupe: 75–100 për qind konsiderohet shtresa e mesme e ulët, 100–150 për qind është shtresa e mesme, ndërsa 150–200 për qind i referohet shtresës së mesme të lartë. OECD thekson se, nëse të dhënat e vetme janë ato për të ardhurat, mund të supozohet se shumica e familjeve që fitojnë mbi 150 për qind të mesatares kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar relativisht rehat.
Megjithatë, edhe kur arrihet ky nivel, studiues të tjerë vënë në dukje se të ardhurat mbi 150 për qind nuk garantojnë gjithmonë siguri financiare. Për këtë arsye, llogaritja e Euronews Business është ndërtuar për të treguar sa neto nevojiten për tri lloje familjesh, me qëllim të qartë: arritja e pragut të shtresës së mesme të lartë.
Pragu 150% i të ardhurave: shifrat ndryshojnë sipas vendit dhe familjes
Në vitin 2025, të ardhurat mesatare të disponueshme të ekuivalentuara në Bashkimin Evropian ishin 22.939 euro në vit, ose 1.912 euro në muaj. Për një person të vetëm, që jeton pa anëtarë të tjerë të familjes, niveli i nevojshëm për të arritur 150 për qind të mesatares është 2.867 euro në muaj. Në 34 shtete evropiane, kjo shumë varion nga 603 euro në muaj në Maqedoninë e Veriut deri në 6.491 euro në Zvicër.
Brenda BE-së, shuma lëviz nga 1.023 euro në Rumani deri në 6.256 euro në Luksemburg. Në disa vende, pragun e 4.000 eurove e tejkalojnë edhe: Norvegjia, ku shifra shkon në 5.240 euro në muaj, Austria me 4.568 euro, Danimarka me 4.524 euro, Irlanda me 4.392 euro dhe Holanda me 4.308 euro. Ndër katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Gjermania ka pragun më të lartë me 3.611 euro në muaj. Pas saj vjen Franca me 3.307 euro, rreth 15 për qind më shumë se niveli i BE-së, ndërsa Italia rezulton pak më poshtë, me 2.758 euro. Spanja ka pragun më të ulët ndër këto katër vende, me 2.546 euro.
Diferenca mes vendeve është e dukshme. Një person i vetëm në Gjermani ka nevojë për 1.065 euro më shumë në muaj sesa një person në Spanjë për të arritur të njëjtin nivel relativ të të ardhurave. Edhe jashtë BE-së, ky prag mbetet i ulët në disa vende: në Shqipëri arrin në 723 euro në muaj, në Turqi në 755 euro, në Mal të Zi në 825 euro dhe në Serbi në 975 euro. Së bashku me Maqedoninë e Veriut, këto pesë shtete janë kandidate për anëtarësim në BE. Në 11 vende të BE-së, shuma është nga 1.000 deri në 1.900 euro në muaj, ku Portugalia figuron me 1.808 euro, Polonia me 1.799 euro, Greqia me 1.463 euro, Bullgaria me 1.108 euro dhe Hungaria me 1.099 euro.
Për llojet e tjera të familjes, llogaritjet ndryshojnë sepse shpenzimet nuk përballohen gjithmonë njësoj kur njerëzit jetojnë bashkë. Një çift pa fëmijë nuk ka nevojë për dyfishin e të ardhurave të një personi që jeton vetëm. Meqë çifti ndan shpenzimet, si qiraja dhe energjia elektrike, Eurostat vlerëson se i nevojitet 1,5 herë më shumë të ardhura. Kështu, në BE, një çift ka nevojë për të ardhura neto prej 4.301 eurosh në muaj për të arritur këtë prag. Për një çift me dy fëmijë nën moshën 14-vjeçare, shuma rritet në 6.021 euro në muaj.
Renditja e shteteve mbetet e njëjtë për çiftet dhe familjet, pasi shifra e secilit vend shumëzohet me koeficientin përkatës: 1,5 për çiftet dhe 2,1 për familjet me dy fëmijë. Grafikët interaktivë paraqesin shifrat për të tria llojet e familjeve në secilin shtet, duke e bërë më të lehtë krahasimin midis vendeve dhe strukturave të familjes.
Botuar fillimisht në Telegrafi







