Firmat më të mëdha të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale kanë regjistruar humbje të mëdha në vlerë tregu në një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, ku Demokratët arritën një fitore të thellë. Rëniet prekën jo vetëm kompanitë që lidhen drejtpërdrejt me çipin dhe infrastrukturën e të dhënave, por edhe lojtarët e mëdhenj të ekosistemit teknologjik si Elon Musk, përmes kompanive të tij.
Sipas të dhënave të tregut, rëniet e aksioneve u shtrinë në të gjithë sektorët e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Një nga shkaqet lidhej me shqetësimet e investitorëve për rregullore më të ashpra pas rezultateve në shtetet kryesore të qendrave të të dhënave. Në këtë kontekst, investitorët po i referohen edhe planeve dhe debatit publik për kufizimin e zhvillimit të qendrave të të dhënave në vende si Teksasi, Ohajo dhe Xhorxhia, ku u përqendruan edhe pjesë e fushatave politike.
Pas zgjedhjeve, disa drejtues të teknologjisë u shprehën se industrisë i duhet të bëjë më shumë përpjekje në marketingun dhe komunikimin e qendrave të të dhënave dhe Inteligjencës Artificiale. Demokratët, gjatë fushatës në garat në gjithë SHBA-në, i vendosën në qendër kundërshtimet ndaj qendrave të të dhënave dhe inteligjencës artificiale, ndërsa në shumë raste u miratuan edhe masa në fletëvotime që synonin kufizimin e zhvillimit të këtyre objekteve.
Rregulloret dhe qendrat e të dhënave nxisin rënien e aksioneve
Në Teksas, fushata e fortë kundër qendrave të të dhënave u lidh me premtimin e guvernatorit të zgjedhur, Gina Hinojosa, i cili deklaroi se do të kërkohet një moratorium për ndërtimet e reja në këtë sektor. Këto sinjale politike ndikuan drejtpërdrejt te pritjet e tregut, veçanërisht për kompanitë e ekspozuara shumë ndaj qendrave të të dhënave dhe inteligjencës artificiale, duke nxitur edhe lëvizje më të gjera në bursë.
Efektet u panë qartë në çmimet e aksioneve të kompanive kryesore. Aksionet e Nvidia ranë me më shumë se 9%, duke zbritur mbi 400 milionë dollarë nga vlera e tregut e firmës. Edhe prodhuesit e tjerë të çipave dhe gjysmëpërçuesve pësuan rënie të forta: AMD dhe Micron shënuan rënie me më shumë se 17%. Ndërkaq, aksionet e Intel ranë me 10.3%, ndërsa prodhuesi i kartave të memories SanDisk ra me më shumë se 22%. Në të njëjtën kohë, indeksi i Gjysmëpërçuesve i Filadelfias, që ndjek performancën e 30 prej kompanive më të mëdha të përfshira në prodhimin e gjysmëpërçuesve, ra me më shumë se 12%.
Rënia preku edhe kompanitë e lidhura me Elon Musk. Aksionet e SpaceX ranë me 8%, ndërsa Tesla ra gati 11%. Totali i ndikimit në vlerë tregu nga këto rënie arriti të ulë më shumë se 300 milionë dollarë nga vlerat e firmave gjatë ditës së enjten. Në këtë periudhë, Musk kishte shpenzuar rreth 450 milionë dollarë duke mbështetur fushatat republikane, përfshirë të paktën 45 milionë dollarë për mbështetjen e Ken Paxton për postin e senatit Në Teksas, por Teksasi u kthye “blu” në “cunamin demokrat” të martën në mbrëmje.
Lëvizjet në sektorin e teknologjisë patën ndikim të shpejtë edhe te indekset kryesore të bursës amerikane. Nasdaq Composite ra me më shumë se 5.5%, duke shënuar rënien më të thellë njëditore në 19 muaj. Rënia ishte aq e madhe sa analistët e tregut e përmendën si hyrje në “zonë korrigjimi”, një situatë ku vlera e një indeksi ose e një kompanie bie të paktën 10% nën nivelin e saj më të lartë të kohëve të fundit. S&P 500 ra me 4.4% deri në mbyllje të sesionit, ndërsa Dow Jones Industrial Average mbylli ditën me rënie më shumë se 3.4%, duke humbur fitimet e arritura të mërkurën.
Në këtë realitet, Susannah Streeter, stratege kryesore e investimeve në “Wealth Club”, tha se shitjet masive në Nasdaq dhe S&P 500 sollën tronditje edhe në tregje të tjera. Ajo theksoi se “një panik i ri” lidhur me investimet në Inteligjencën Artificiale ka goditur rëndë Wall Street-in, duke u ndërthurur me idenë se shumat e mëdha të investuara në infrastrukturën e IA-së mund të mos sjellin kthimet që prisnin investitorët. Po ashtu, disa drejtues të teknologjisë pranuan se industria është gjetur e papërgatitur përballë kundërshtimeve ndaj qendrave të të dhënave.
Greg Brockman, president dhe bashkëthemelues i “OpenAI”, tha se beson që të gjithë u befasuan nga reagimi ndaj këtyre qendrave dhe se nevojitet më shumë punë për të siguruar mbështetjen e komuniteteve lokale. Dina Powell McCormick, drejtuese në “Meta”, nënvizoi nevojën që industria të përpiqet më shumë për ta prezantuar Inteligjencën Artificiale si një nismë pozitive, duke kërkuar që të dyfishohen e madje të trefishohen përpjekjet për ta shpjeguar më mirë vizionin. Në sfond të këtyre lëvizjeve, disa investitorë kanë shprehur shqetësimin se aksionet e lidhura me IA-në mund të jenë pjesë e një “flluske” që kërkon një korrigjim.
Botuar fillimisht në Telegrafi








