Qytetarët të lodhur nga zgjedhjet: bie pjesëmarrja

Zgjedhjet e 7 qershorit janë vlerësuar si ndër proceset më të rregullta zgjedhore në historinë e re të vendit, por në të njëjtën kohë kanë shënuar daljen më të ulët të votuesve në dekadën e fundit. Organizata joqeveritare “Demokracia në Veprim” i ka lidhur këto dy realitete me një fenomen të qartë: lodhjen e qytetarëve nga proceset e shpeshta elektorale që kanë pasuar njëra-tjetrën në periudhën relativisht të shkurtër.

Në një deklaratë preliminare pas vëzhgimit të zgjedhjeve të 7 qershorit, drejtuesit e “Demokracia në Veprim” kanë vlerësuar se zgjedhjet e shpeshta gjatë 16 muajve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në gatishmërinë e qytetarëve për të dalë në votim. Sipas tyre, kombinimi i ritmeve të shpejta zgjedhore dhe përsëritja e ofertave politike ka ulur motivimin për t’u përfshirë në proces.

Hulumtuesi i organizatës, Eugen Cakolli, ka thënë se përqindja e daljes në këto zgjedhje ishte më e ulëta në dekadën e fundit. Ai ka theksuar se kjo rënie nuk shihet thjesht si momentale, por si rezultat i lodhjes që është shfaqur te elektorati, ku në disa raste ndodh “riciklim” i ofertave politike dhe, rrjedhimisht, ulje e interesit për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Janë karakterizuar nga një lodhje e cila është manifestuar me riciklim të ofertave politike dhe pastaj ulje të motivimit qytetarë për të marrë pjesë në zgjedhje. Me ç’rast kemi shënuar daljen në zgjedhje përqindjen më të ulët për gati një dekadë”, ka deklaruar Cakolli. Ai ka shtuar se dalja në votim ishte më e ulët se 40 për qind.

Ndryshe nga ky tregues i pjesëmarrjes, vlerësimet për vetë ditën e zgjedhjeve kanë qenë pozitive sa i përket atmosferës dhe rregullshmërisë së procesit. Cakolli ka thënë se e gjithë periudha zgjedhore është karakterizuar nga qetësia dhe mungesa e parregullsive të theksuara. Sipas tij, dita e votimit u zhvillua në një ambient të qetë dhe ky proces konsiderohet ndër më të rregulltët në historinë e re të Kosovës, si për nga numri i incidenteve serioze, ashtu edhe për përmirësimin e mangësive që kishin shoqëruar zgjedhjet paraprake.

Lodhja zgjedhore u përkthye në pjesëmarrje më të ulët

Në konferencën për media, Cakolli ka folur edhe për fushatën elektorale. Ai ka theksuar se, sipas vlerësimit të organizatës, fushata nuk ishte e barabartë. Si arsye përmendet vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për disa kategori shoqërore, të cilat, sipas tij, kanë krijuar avantazh të padrejtë për subjektet në pushtet në raport me partitë e tjera politike.

Për sa i përket fazës pas ditës së votimit, Cakolli ka deklaruar se procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon në mënyrë të rregullt. Ai ka thënë se deri në momentin e deklarimit nuk kishte incidente që do të cenonin integritetin e procesit të numërimit.

Këto zgjedhje vijnë pas një periudhe të ngjeshur elektorale në vend. Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare dhe ato lokale me balotazh që nga 9 shkurti i vitit 2025. Në këtë kontekst, organizata “Demokracia në Veprim” e sheh uljen e pjesëmarrjes jo vetëm si rezultat të momentit, por si një pasojë të ritmit të lartë të proceseve zgjedhore dhe ndikimit që ato kanë në lodhjen e qytetarëve.

Botuar fillimisht në Koha.net

Exit mobile version