Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vlerësuar qëndrimin e Serbisë ndaj Moskës, duke veçuar refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Në këtë kontekst, kreu i Kremlinit ka shprehur edhe një pritshmëri politike, duke thënë se shpreson që Aleksandar Vuçiq të rikthehet në pushtet si kryeministër i Serbisë.
Putin i bëri këto deklarata gjatë fjalës së tij në seancën plenare të klubit ndërkombëtar të diskutimeve “Valday”. Ai tha se Moska e konsideron si të rëndësishme “qëndrimin e përmbajtur” që, sipas tij, Serbia ka mbajtur në disa çështje “kyçe” dhe “shumë të ndjeshme” që lidhen me Rusinë.
“Ne mirëpresim qëndrimin shumë të përmbajtur të Serbisë në një numër çështjesh kyçe dhe shumë të ndjeshme, si dhe refuzimin e saj për të marrë ndonjë vendim që nënkupton sanksione kundër Rusisë”, tha Putin. Në vazhdim, ai iu drejtua drejtpërdrejt liderit serb Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur qëndrimin e Beogradit me kursin e udhëheqjes së ardhshme politike.
“Udhëheqja aktuale e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deri vonë ishte president dhe, shpresoj, do të jetë kryeministër në të ardhmen, udhëheq një politikë të përmbajtur dhe tregon dëshirë për bashkëpunim me Rusinë. Ne sigurisht që e mirëpresim këtë dhe do t’i kthejmë përgjigje në të njëjtën mënyrë”, deklaroi presidenti rus.
Putin: Vuçiq të bëhet kryeministër, Moska e mirëpret kursin e Beogradit
Gjatë të njëjtës dalje, Putin foli edhe për marrëdhëniet mes serbëve dhe Perëndimit. Ai tha se nuk e kupton arsyen, siç e cilësoi, të një trajtimi “të padrejtë dhe asimetrik” ndaj popullit serb gjatë dekadave të fundit. Sipas tij, Perëndimi i ka ndarë serbët në disa pjesë, duke bërë që ata të përfundonin në “entitete të ndryshme shtetërore”.
“Personalisht, është absolutisht e paqartë për mua pse Perëndimi kolektiv e ka trajtuar popullin serb në mënyrë kaq të padrejtë dhe asimetrike gjatë dekadave të fundit. Ata e ndanë popullin serb në disa pjesë dhe serbët e gjetën veten në entitete të ndryshme shtetërore”, tha Putin. Ai më tej e përshkroi këtë fenomen si një padrejtësi që, sipas tij, sjell pasoja afatgjata, “ndërlikime” dhe “konflikte”.
Putin iu rikthye edhe Bosnjë e Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Dejtonit. Ai përmendi takimin e tij të fundit me presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik. “Ditën tjetër u takova me Milorad Dodikun. Ata e formuluan vetë Marrëveshjen e Dejtonit dhe tani askush nuk dëshiron ta zbatojë atë, ndërsa në raste të tjera u imponojnë disa zgjidhje serbëve”, tha presidenti rus.
Sipas Putinit, serbët janë “një popull i ndarë në Evropë”, duke theksuar se kjo ndarje, sipas tij, është “e imponuar” dhe e padrejtë. “Serbët janë bërë një popull i ndarë në Evropë – dhe të ndarë me forcë. Është e padrejtë. Dhe kjo është keq, sepse çdo padrejtësi çon në ndërlikime dhe konflikte”, u shpreh ai.
Deklaratat e Putinit vijnë në një periudhë kur Vuçiq ka lënë postin e presidentit të Serbisë dhe po synon të kthehet në skenën politike përmes postit të kryeministrit. Në të njëjtën kohë, Moska vazhdon të vlerësojë politikën e Beogradit për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa Serbia zyrtarisht deklaron se synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Botuar fillimisht në Telegrafi






