Ky sezon ka marrë një drejtim krejt të kundërt me pritjet që shoqëruan Real Madridin. “Los Blancos” kanë mbetur pa trofe, duke u eliminuar në mënyrë befasuese nga Kupa e Mbretit nga Albacete, një skuadër e ligës më të ulët. Në kampionat, situata nuk ka qenë më e mirë: Barcelona i largoi nga gara për titull disa xhiro para fundit, duke i dhënë një goditje tjetër një sezoni që në letër ishte planifikuar ndryshe.
Pas dështimit, në Madrid kanë nisur të shtrohen pyetje për fajtorët dhe për arsyet që çuan te rënia e performancës. Një nga emrat që është përfolur prej kohësh është Kylian Mbappe, i cili, sipas analizës së publikuar, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për atë që bën në fushë, por edhe për ndikimin e tij brenda skuadrës dhe jashtë saj, shpesh në mënyrë negative.
Kur Mbappe u transferua te Real Madridi në verën e vitit 2024, u prezantua si “Galactico” – një yll që pritej të sillte një kombinim fitimprurës force sportive dhe marketingu, në frymën e epokës së Florentino Perezit në fillim të viteve 2000. Megjithatë, edhe para nënshkrimit kishte dyshime se Reali po përsëriste një skemë ku pesha e emrit peshonte më shumë se nevoja për ekuilibër brenda skuadrës. Në këtë vlerësim, problemi kryesor lidhet me faktin se Mbappe dhe Vinicius Junior preferojnë të njëjtën zonë të fushës: krahun e majtë. Për më tepër, atyre u atribuohen tipare të ngjashme si në sulm, ashtu edhe në fazën mbrojtëse, çka, sipas analizës, ka prodhuar çekuilibër.
Real Madridi, gjithnjë sipas shkrimit, e ndërtoi dominimin e tij në Evropë mbi një ide të qartë ekuilibri. Në periudha të mëparshme, yje si Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema mbështeteshin nga një mesfushë e disiplinuar dhe inteligjente, me figura si Casemiro, Luka Modric dhe Toni Kroos. Ky model, theksohet se funksionoi edhe në vitet 2022 dhe 2024, kur përvoja dhe kontrolli i mesfushës i jepnin skuadrës ritëm, qetësi dhe rrjedhshmëri. Por, pas largimeve të Kroos dhe Benzemas (si dhe më pas të Modric), shkrimi pretendon se Reali e ka humbur boshtin e ekuilibrit si në mesfushë, ashtu edhe në sulm: në mesfushë, thuhet se i mungon një lojtar që e kontrollon ritmin e ndeshjes, ndërsa në sulm është shtuar një yll që nuk e zgjidh këtë problem, por e thellon, për shkak të mënyrës së tij të lojës.
Pse Reali është i bllokuar me Mbappen
Në këtë kuadër, analiza e sheh një lidhje të drejtpërdrejtë mes çekuilibrit të shfaqur në fushë dhe vështirësisë për ta rregulluar situatën. Për shkrimin, problemi kryesor nuk është thjesht sportiv, por edhe kontraktual e financiar: Mbappe ka një kontratë dhe kërkesa të tilla financiare që e bëjnë të vështirë largimin e tij. Vetëm pak klube, në logjikën e këtij vlerësimi, do të kishin mundësi t’i përballonin kushtet, dhe edhe ato që mund ta bëjnë, nuk duan ta destabilizojnë projektin e tyre me një profil që prodhon polemika.
Si rrjedhojë, opsionet që shihen si realiste janë të kufizuara. Në analizë përmenden dy drejtime kryesore: ose Arabia Saudite si alternativë që mund ta mbajë financiarisht profilin e tij, ose që Mbappe ta çojë kontratën deri në fund, ndërkohë që Reali të përpiqet të përshtasë pjesën tjetër të skuadrës. Shkrimi shton se, nëse kjo qasje nuk ndryshon ndjeshëm dhe nëse Mbappe qëndron pa një rikonfigurim të rolit të tij, Real Madridi rrezikon ta thellojë më shumë gabimin. Në përfundimin e tekstit theksohet se klubi e ka provuar diçka të ngjashme edhe në epokën e parë të “Galaktikëve”, kur theksi mbi yjet nuk u shoqërua në mënyrën e duhur me nevojat e balancës së ekipit.
Analiza e lidh këtë edhe me bankinën dhe me trajnerët që janë përballur me situatën. I pari që u “dogj” nga problemi i çekuilibrit, sipas shkrimit, është Carlo Ancelotti: ai u largua pavarësisht se kishte fituar Ligën e Kampionëve me të njëjtin grup në dy nga tri sezonet e mëparshme. Më pas erdhi Xabi Alonso, një nga trajnerët më të kërkuar në Evropë, por edhe ai, sipas analizës, u përball me probleme të thella që nuk kishin të bënin vetëm me futbollin, por edhe me dhomën e zhveshjes dhe disiplinën.
Në fund, shkrimi e nënvizon edhe një trend më të gjerë të futbollit modern: ekipet elitare kërkojnë presion të lartë dhe angazhim të plotë të çdo lojtari në fazën mbrojtëse. Në këtë model, thuhet se është e vështirë të tolerohen lojtarë që “kursejnë energji” pa top. Për Realin, analiza vlerëson se në vijën e parë ka dy elementë të tillë. Po ashtu, Mbappe përmendet edhe për qasje që konsiderohen të diskutueshme jashtë fushës, duke theksuar se skuadra ka dhënë përshtypjen se luan më mirë pa të – jo rastësi, por pasojë e roleve më të qarta dhe angazhimit më të madh pa top.
Botuar fillimisht në Telegrafi
