Nuk e di nëse ajo që ndjej duhet ta quaj dëshirë, tundim apo një lloj çmendurie. Gjithçka nis pa guximin që t’i them dikujt atë që po më rrotullon në mendje prej kohësh. Unë jam në një lidhje prej vitesh. Në pamje të parë, gjithçka duket e qetë dhe normale. Por kohët e fundit kam filluar t’i mendoj shpesh disa gjëra për një burrë tjetër dhe të vërej se mes nesh po krijohet një tension që e ndiej sa herë që jemi pranë.
Problemi është se ne nuk kemi bërë asgjë që ta quaj tradhti. Nuk ka hapa të qartë, as veprime që ta bëjnë të pamohueshme diçka mes nesh. Megjithatë, ekziston ajo ndjesi e përzier: sikur ka një energji që nuk mbyllet dot. Në momentet kur jemi në të njëjtën hapësirë, trupi im e kupton më shpejt se mendja. Ai nuk ka nevojë të bëjë shumë që ta ndiej ndryshimin. Mjafton prania, mjafton afërsia.
Një mbrëmje u gjendëm vetëm në një dhomë. Ai nuk më preku. Nuk tha asgjë të drejtpërdrejtë për të më shtyrë në një drejtim të caktuar. Por më pa për disa sekonda më gjatë se zakonisht dhe më tha: “Ti e di shumë mirë çfarë po ndodh mes nesh.” Fjalët ishin të qeta, por të ngarkuara. Ato më lanë me një ndjesi që s’pushonte. Pas asaj nate, kur u ktheva në shtëpi, nuk munda të flija. Mendja më mbeti e hapur, sikur skenat që po krijoja të ishin realitet i plotë.
Në vend që të shuhet, gjithçka u bë më e fortë brenda meje. Më dukej sikur ende e ndieja praninë e tij pranë, ashtu siç ndodh kur je në ëndërr dhe trupi nuk e kupton ende që je zgjuar. Zemra ime rrihte njëlloj sikur të kishte ndodhur gjithçka, edhe pse, faktikisht, nuk kishte ndodhur. Dhe aty vjen frika më e madhe: jo se do të bëj diçka, por se nuk ndihem fajtore kur mendoj për të. Ndihem… e gjallë. Është kjo ndjesi që e bën të vështirë të kuptosh ç’po ndodh me mua dhe pse po ndodh.
Një vështrim mund të hapë dyert e një dëshire që s’e dinit se ekzistonte
Ka një pyetje që më ndjek: pse një vështrim e trazonte kaq shumë një grua? Pse ato pak sekonda, një shikim më i gjatë se zakonisht, arrijnë të ndezin mendimet dhe të përmbysin qetësinë që mendoja se e kisha? Dhe një tjetër pyetje, po aq e fortë: pse më duket sikur s’kam frikë prej tij, por prej vetes sime? Sikur problemi të mos ishte tek ai, por tek ajo që unë e ushqej pa e kuptuar. Sikur emocionet të mos lidhen vetëm me një person, por me atë çfarë mungon tek unë.
Ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është “A e dëshiroj atë?”, por “Çfarë po zgjon ai tek unë?” Shpesh dëshira nuk është thjesht për një individ. Ajo lidhet me mënyrën si ndihemi kur dikush na shikon vërtet, kur na vëren, kur na bën të kujtojmë një version të vetes që e kemi lënë pas dore. Për këtë arsye, fakti që një vështrim të ka trazuar nuk do të thotë domosdoshmërisht se duhet ta ndjekësh atë dëshirë. Por, njëkohësisht, nuk do të thotë që duhet ta mohosh. Është si një shenjë brenda teje që kërkon të kuptohet.
Prandaj ia vlen të ndalesh e të pyesësh: çfarë më mungon? Afërsia? Vëmendja? Misteri? A më mungon ndjenja se jam ende një grua që mund të dëshirohet? Ndonjëherë fantazia bëhet më e fuqishme se realiteti, pikërisht sepse nuk ka pasur ende mundësinë të zhgënjejë. Ajo nuk ka marrë formë në veprime konkrete që të vendosin kufij, prandaj imagjinata vazhdon të ndërtojë skena dhe të japë përgjigje që s’janë provuar. Në këtë kontekst, nxitimi për të vendosur “po” ose “jo” mund të jetë më i vështirë se sa duket.
Mos u ngut të vendosësh nëse duhet ta hapësh apo ta mbyllësh atë derë që është krijuar në mendje. Sepse ndoshta ai burrë nuk është përgjigjja. Ndoshta ai është vetëm pasqyra që po të tregon diçka për veten tënde, diçka që ke kohë pa e parë. Dhe kur e kupton këtë, edhe nëse nuk bën asgjë, qartësia të vjen: jo përmes veprimit, por përmes vëzhgimit të asaj që po ndodh brenda teje.
Botuar fillimisht në Bota Sot





