Pse disa shmangen përgjegjësitë, ndërsa të tjerët i marrin përsipër

Kur përgjegjësitë nuk shpërndahen drejt, dallohet shpejt një model i përsëritur: një pjesë e njerëzve në momentet më të vështira del e para për të ndihmuar, ndërsa të tjerët gjejnë mënyra për t’u tërhequr. Ndërsa njëra anë mendon si të përfundojë puna dhe mban barrën mbi vete, tjetra kërkon arsyetime për të mos u angazhuar. Në shumë mjedise pune, shkollë apo projekte kolektive, kjo përfundon duke krijuar një disbalancë që ndikojnë si te rezultatet, ashtu edhe te marrëdhëniet mes njerëzve.

Fenomeni nuk është rastësi. Psikologjia e shpjegon me një prirje që quhet dembelizëm social: njerëzit tentojnë të bëjnë më pak përpjekje kur punojnë në grup, krahasuar me rastet kur rezultati varet vetëm nga individi. Në vitin 1979, psikologët Bibb Latané, Kipling Williams dhe Stephen Harkins treguan se, në disa detyra kolektive, angazhimi individual zvogëlohet kur kontributi personal nuk dallohet qartë. Me fjalë të tjera, kur nuk është e qartë se kush po bën çfarë, është më e lehtë që detyrat t’i marrë përsipër dikush tjetër.

Ky shpjegim lidhet edhe me mënyrën se si është organizuar puna. Një studim i botuar në Journal of Management e lidh dembelizmin social me faktorë konkretë si organizimi i punës, dukshmëria e kontributit dhe marrëdhëniet mes punonjësve. Kur individët nuk e shohin qartë lidhjen mes përpjekjes së tyre dhe asaj që pritet prej tyre, rritet rreziku që përgjegjësitë të shpërndahen “nga heshtja”. Kjo është arsyeja pse shfaqet edhe një logjikë e brendshme e justifikimit: “Pse të mundohem unë, kur të tjerët nuk bëjnë asgjë?”

Ndonëse ky mekanizëm shpjegon pse disa punojnë më pak në grup, ai nuk do të thotë se çdo person që kontribuon pak është domosdoshmërisht i papërgjegjshëm. Pranë dembelizmit social mund të fshihen edhe rrethana të tjera: lodhja, pakënaqësia, ndjenja e nënvlerësimit ose drejtimi i dobët. Pikërisht për këtë arsye, mënyra më e saktë për ta kuptuar situatën nuk është të gjykohet një sjellje si “karakter”, por të shqyrtohen rrethanat dhe shpeshtësia e përsëritjes së saj. Një rast i vetëm mund të ketë shpjegime, ndërsa një model i qëndrueshëm kërkon vëmendje të veçantë.

Kur të drejtat duken të qarta, por detyrimet shtyhen te të tjerët

Përveç çështjes së angazhimit në grup, një pjesë e problemit vjen nga mënyra se si disa njerëz e trajtojnë marrëveshjen e përgjegjësive. Ka persona që e dinë saktësisht çfarë u takon dhe çfarë presin të tjerët prej tyre, por janë më pak të gatshëm të pranojnë përgjegjësitë personale. Kjo sjellje lidhet shpesh me ndjenjën psikologjike të privilegjit: bindjen se meritojnë trajtim të veçantë, edhe pa arsye të përligjura. Kur dikush e sheh veten në një pozicion “të veçantë”, mund të reagojë fort kur mendon se po i cenohen të drejtat, ndërkohë që nuk e vëren ndikimin që sjellja e vet ka te kolegët.

Një studim i psikologut W. Keith Campbell dhe bashkëpunëtorëve e lidhi këtë prirje me më shumë konflikte ndërpersonale. Kjo do të thotë se kur dikush kërkon trajtim të veçantë, pa marrë parasysh marrëveshjet dhe nevojat e të tjerëve, tensionet rriten. Duhet theksuar se kërkimi i respektimit të të drejtave nuk është privilegj. Pushimi, koha e lirë dhe mbrojtja e interesave personale janë të ligjshme. Problemi shfaqet kur kërkohet trajtim i posaçëm në mënyrë të njëanshme, pa u mbështetur te detyrimet dhe respektimi i barazisë brenda ekipit.

Në anën tjetër, njerëzit që marrin përgjegjësitë seriozisht shpesh e kanë të vështirë të lënë një detyrë të papërfunduar. Ata punojnë më shumë, korrigjojnë gabimet e kolegëve, marrin përsipër punë shtesë dhe përpiqen të shmangin vonesat. Ky reagim lidhet me kompensimin social: rritjen e përpjekjeve personale për të mbuluar kontributin e pamjaftueshëm që pritet nga të tjerët. Në afat të shkurtër, kjo mund të shpëtojë punën e përbashkët dhe të mbajë projektin në ritëm, por kur bëhet zakon, sjell pasoja. Rraskapitja, pakënaqësia dhe ndjenja e padrejtësisë janë efektet që shfaqen zakonisht, sidomos kur përkushtimi i një personi merret si i mirëqenë, ndërsa shmangia e detyrimeve nga dikush tjetër tolerohet vazhdimisht.

Pasojat nuk prekin vetëm produktivitetin. Me kalimin e kohës, dëmtohen besimi, marrëdhëniet mes kolegëve dhe gatishmëria për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen. Për këtë arsye, vendosja e kufijve pa grindje kërkon qasje të qartë. Një hap i parë është të mos e konsideroni veten përgjegjës për gjithçka: detyrat, afatet dhe pritshmëritë duhet të përcaktohen qartë, në mënyrë që secili ta dijë pjesën e vet. Kur një detyrim nuk përmbushet, flisni për problemin konkret dhe për pasojën e tij, jo për karakterin e personit. Për shembull, në vend të “Ti nuk bën kurrë asgjë”, më e saktë është: “Kjo detyrë nuk ka përfunduar, prandaj të tjerët po marrin punë shtesë”. Në të njëjtën kohë, drejtuesit duhet të identifikojnë dhe korrigjojnë shpërndarjen e pabarabartë të ngarkesës, sepse funksionimi i ekipit nuk mund të mbështetet vazhdimisht te ata që janë më të përkushtuar. Të jesh i përgjegjshëm nuk do të thotë të pranosh përgjegjësi të përhershme edhe për të tjerët, ndërsa kur kjo ndodh, të tjerët përfundojnë duke paguar çmimin.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version