Protestat ngadalësojnë turizmin, Shqipëria humb 97 mijë vizitorë

Shqipëria po ruan një pozicion pozitiv për totalin e vizitorëve të huaj në raport me vitin e kaluar, por të dhënat e muajit qershor 2026 tregojnë një frenim të fortë të ritmit të rritjes turistike. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ngritur shqetësimin se agjendat konfliktuale, protestat dhe tensioni publik po ndikojnë drejtpërdrejt te ekonomia e turizmit.

Sipas ministrit, perceptimi i pasigurisë nga vizitorët e huaj ka sjellë anulime rezervimesh dhe rënie të dukshme nga disa prej tregjeve kryesore. Ndërsa në nivel të përgjithshëm vendi vazhdon të mbajë rritje, qershori shënoi një ecuri më të dobët se muajt e mëparshëm, duke nxjerrë në pah se rritja nuk po vazhdon me të njëjtin intensitet.

Statistikat e prezantuara nga drejtuesi i turizmit tregojnë se rritja në qershor është minimale në krahasim me standardet e periudhës para saj. Konkretisht, gjatë qershorit 2026 Shqipëria regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, që përkthehet në një rritje prej vetëm 17,075 vizitorësh, ose +1.28% kundrejt qershorit të vitit 2025.

Krahasimi me trendin e rritjes e bën edhe më të qartë ngadalësimin. Kjo rritje prej +1.28% është rreth 12.2 herë më e ulët se rritja e regjistruar në muajin maj 2026 dhe 6.3 herë më e ulët se ritmi mesatar i rritjes gjatë 5-mujorit janar-maj. Me fjalë të tjera, ndërsa në fillim të vitit dinamika ishte më e fortë, qershori e uli ndjeshëm tempo-n e rritjes.

Protestat godasin perceptimin e sigurisë, duke ulur vizitorët

Ndikimi negativ bëhet i dukshëm edhe kur shihen shifrat për periudhën gjashtëmujore. Për gjashtëmujorin e parë të 2026-ës, vendi priti 5,059,069 vizitorë të huaj, me një rritje totale prej +6.25%. Megjithatë, deri në maj, rritja e përgjithshme ishte +8.2%. Futja e qershorit të dobët në llogari e ka ulur mesataren dhe ka sjellë një ngadalësim prej afro 24% të dinamikës totale të rritjes.

Efektet negative dalin më qartë edhe në analiza të tregjeve specifike. Vetëm në qershor 2026, Shqipëria regjistroi 96,852 vizitorë më pak, duke shënuar rënie prej -13%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar nga pesë shtetet kryesore. Në këtë grup, Maqedonia e Veriut shënon 15,223 vizitorë më pak.

Ministri Gonxhja ka theksuar se ky ngadalësim nuk vjen nga tregu global apo nga mungesa e ofertës turistike, por nga klima e brendshme politike dhe imazhi i dëmtuar ndërkombëtarisht. Ai u është referuar sinjaleve të operatorëve turistikë, hotelierëve dhe agjencive të udhëtimit, që sipas tij po konfirmojnë shqetësimet për hezitime dhe anulime nga jashtë. “Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë”, ka deklaruar ministri.

Duke e konsideruar turizmin jo vetëm si statistikë, por si “ekonomi reale, vende pune dhe të ardhura për familjet”, Gonxhja ka bërë edhe një apel publik për mbrojtjen e industrisë. Ai ka theksuar se është thelbësore që të gjithë të mbrojnë industrinë turistike nga çdo agjendë destabilizuese dhe konfliktuale. Ndërkohë, protestat që po mbahen prej 48 ditësh në Tiranë kanë njoftuar se të shtunën do të zhvillohet mbledhja e parë e Kuvendit Kombëtar Qytetar, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët të plotësojnë procedurat e nevojshme përmes njoftimeve publike.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version