Protesta e pestë në Tiranë, dhuna dhe alarmi në SHBA

Protesta e pestë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama në Tiranë është shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, duke sjellë zjarre dhe dëme të shumta materiale në disa zona të kryeqytetit. Protestuesit kanë dalë sërish në rrugë me kërkesën për dorëheqjen e Ramës, ndërsa tensionet kanë vijuar për orë të tëra, nga pjesa pranë Ministrisë së Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe vende të tjera në kryeqytet.

Sipas të dhënave të raportuara, nga protestat e së shtunës janë lënduar 34 persona: 21 zyrtarë policorë dhe 13 protestues. Tubimi nisi rreth orës 11:00 para Ministrisë së Arsimit. Pas disa orësh, situata u tensionua më tej, ku protestuesit dogjën kosha të mbeturinave, shkulën kangjella të trotuarit dhe hodhën gurë e sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë.

Për të shpërndarë turmën, Policia e Shtetit përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës. Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku përplasjet u rikthyen dhe vijuan. Në këtë pjesë të qytetit janë raportuar hedhje molotovësh, gurësh dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit. Gjatë incidenteve, një automjet u përfshi nga flakët, ndërsa në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit.

Pas disa orësh tensionesh, policia nisi një operacion për largimin e protestuesve nga zona pranë Kryeministrisë. Në aksion u angazhuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivë të strukturave Operacionale, të cilët përdorën katër autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës dhe lirimin e bulevardit. Gjatë ndërhyrjes nisën edhe shoqërimet e para të protestuesve, ndërsa incidentet nuk u ndalën plotësisht edhe pas largimit të turmës nga bulevardi.

Dhuna në Tiranë vazhdon edhe pas operacionit të policisë

Pas shpërndarjes, u raportuan sërish akte të tjera të dhunës. Molotovë u hodhën drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke shkaktuar zjarr në hyrje të institucionit. Zjarre u raportuan edhe në ambientet e Gjykatës së Lartë. Po ashtu, në zonën përreth u dogj një biznes dhe automjete. Më vonë, protestuesit u shpërndanë në rrugë të tjera të kryeqytetit, ku u dëmtuan kioska dhe tabela sinjalistike, si dhe u dogjën kazanë të mbeturinave. Për pasojë, në disa zona u shkaktuan dëme materiale në pronën publike dhe private, ndërsa policia vazhdoi ndërhyrjet për menaxhimin e situatës.

Në terren, para Kryeministrisë, ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet dhe operacionin për shpërndarjen e protestuesve. Kryeministri Edi Rama, deri më tani, ka refuzuar thirrjet për dorëheqje, ndërsa ka deklaruar se aktet e dhunës nuk vijnë nga studentët.

Përshkallëzimi i protestave në Shqipëri ka sjellë edhe reagime nga zyrtarë amerikanë. Kongresisti Joe Wilson ka thënë se po e përcjell me shqetësim krizën në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë të përmbahet nga dhuna ndaj protestuesve, dhe duke theksuar nevojën për liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Wilson ka deklaruar se “Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale”, ndërsa i bëri apel qeverisë të shmangë çdo formë dhune ndaj protestuesve. Një tjetër kongresist, Robert Aderholt, ka shprehur po ashtu shqetësim për trazirat dhe ka kërkuar që të respektohen sundimi i ligjit dhe të drejtat e protestuesve paqësorë. Edhe kongresisti Keith Self i ka cilësuar protestat si pasojë e mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësisë për mosrespektimin e sundimit të ligjit, duke kërkuar që udhëheqësit shqiptarë të dëgjojnë kërkesat për ndryshime thelbësore.

Ndërkohë, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i ka bërë thirrje qytetarëve që protestojnë të veprojnë në mënyrë paqësore dhe të shmangin aktet e dhunës. Përmes një reagimi në Facebook, ambasada ka theksuar se dhuna, trazirat, lëndimi fizik i personave të tjerë dhe shkatërrimi i pronës nuk përbëjnë angazhim qytetar, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. Në të njëjtën linjë është kërkuar vetëpërmbajtje dhe qetësi nga të gjitha palët.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version