Prishtina e Orges Shehit po vazhdon të shkëlqejë në Superligën e Kosovës dhe nuk po njeh humbje në këtë periudhë. Pas një serieje të gjatë rezultatesh pozitive, skuadra kryeqytetase ka mbetur e vetmja në kampionat që ende nuk e ka shijuar disfatën, duke e ruajtur ritmin ndeshje pas ndeshje.
Rruga e bardhekaltrëve është ndërtuar me shifra të qarta në fushë: në nëntë ndeshjet e fundit, Prishtina ka regjistruar shtatë fitore dhe dy barazime. Kjo e ka mbajtur ekipin në pozita shumë të forta në tabelë dhe e ka rritur pritshmërinë te tifozët, të cilët pas disa vitesh rikthejnë besimin në një garë për titull.
Fitorja më e fundit erdhi në një udhëtim të vështirë, teksa Prishtina u përball me Ballkanin në Suharekë. Në atë ndeshje, skuadra e Shehit arriti të fitojë me rezultat minimal 1-0, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës. Golin e vetëm e shënoi Rin Ahmeti, i cili vendosi fatin e takimit dhe i dha Prishtinës avantazhin që në fund rezultoi vendimtar.
Fitorja 1-0 ndaj Ballkanit e mban Prishtinën pa humbje dhe rrit ambiciet për titull
Pas kësaj fitoreje, Prishtina ka grumbulluar 23 pikë dhe udhëheq së bashku me Malishevën. Në të njëjtën kohë, skuadra kryeqytetase ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar ndaj Dritës nga xhiroja e dytë, çka e bën poziten në tabelë edhe më interesante për vazhdimin e kampionatit.
Për transformimin që po e shfaq ekipi, merita të mëdha i atribuohen trajnerit Orges Shehi. Nën drejtimin e tij, Prishtina ka arritur të krijojë një identitet të ri, duke sjellë më shumë stabilitet dhe një mentalitet që i përshtatet objektivave të mëdha. Të gjitha këto shihen edhe në mënyrën se si ekipi po e menaxhon ndeshjen dhe si po arrin t’i kthejë momentet e vështira në pikë, edhe kur kushtet nuk janë ideale.
Vetë trajneri Shehi e vuri theksin pas ndeshjes te angazhimi i lojtarëve dhe te mënyra se si e përballën sfidën, veçanërisht pasi Prishtina mbeti me një lojtar më pak. Ai foli gjithashtu për problemet fizike që kishin disa futbollistë. “Futbolli është lojë dy luftimesh dhe, për këtë, gjej rastin t’i falënderoj publikisht çunat, edhe pse ua thashë edhe në zhveshtore, sepse meritojnë vlerësimin maksimal. Edhe pse mbetëm me një lojtar më pak dhe me dy lojtarë që nuk mundën të vazhdonin për arsye fizike, si Baftiu dhe Assane, të cilët edhe ata sakrifikuan shumë, kjo është një fitore e rëndësishme. Bravo e madhe djemve për shpirtin e garës që treguan”, deklaroi Shehi.
Shehi theksoi më tej se vazhdimësia dhe mentaliteti i duhur janë vendimtare për të arritur objektiva të mëdha. “Jemi të kënaqur me vazhdimësinë, ecurinë dhe mentalitetin e duhur. Sigurisht, për të arritur objektiva madhore, ky mentalitet është shumë i nevojshëm”, shtoi ai. Ndërkaq, Prishtina tani e ka radhën për ndeshjen e ardhshme, ku do të luajë para tifozëve të saj kundër Dritës. Një rezultat pozitiv në atë takim do të ishte edhe një dëshmi tjetër se kryeqytetasit janë pretendentë seriozë për titullin e kampionit, ndërsa seri e tyre pa humbje synon të vazhdojë.
Botuar fillimisht në Telegrafi




