Presidenti apo Qeveria e para pas zgjedhjeve? Ja logjika

Debati i hapur së fundi mbi renditjen e krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve ka sjellë në qendër një pyetje me rëndësi kushtetuese: kur posti i Presidentit është vakant dhe kompetencat presidenciale ushtrohen nga ushtruesi i detyrës, a duhet të zgjidhet fillimisht Presidenti, apo duhet të formohet Qeveria?

Për t’iu përgjigjur kësaj dileme, nuk mjafton të mbështetemi te preferencat politike. Duhet të kthehemi te logjika e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke parë se si funksionon rendi i legjitimitetit dhe kush e krijon realisht pushtetin ekzekutiv.

Në një republikë parlamentare si Kosova, Kuvendi është pika e nisjes së legjitimit demokratik. Kushtetuta e bën të qartë se institucioni i vetëm që buron drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve është Kuvendi. Të gjitha institucionet e tjera qendrore burojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga ky burim themelor.

Pas zgjedhjeve, Kushtetuta përcakton procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e organeve të tij. Vetëm pasi Kuvendi të jetë krijuar, mund të nisë ndërtimi i institucioneve të tjera. Prandaj, rendi i legjitimit kushtetues nuk është vetëm çështje kronologjie, por rregull juridik i burimit të pushtetit: Qytetarët – Kuvendi – Qeveria – Presidenti.

Kur Kuvendi vjen i pari, Qeveria ka rrugë kushtetuese

Një element kyç i debatit lidhet me pretendimin se Presidenti e “krijon” shumicën parlamentare. Neni 95 i Kushtetutës i jep Presidentit kompetencën për të mandatuar kandidatin për Kryeministër. Por kjo nuk do të thotë se Presidenti prodhon shumicën politike. Presidenti vetëm konstaton ekzistencën e saj dhe nis procedurën formale të mandatimit.

Sipas logjikës kushtetuese, shumica politike ekziston para dekretit presidencial. Ajo provohet dhe konsolidohet përfundimisht përmes votimit të Qeverisë në Kuvend. Në këtë mënyrë, legjitimiteti i Qeverisë nuk rrjedh nga Presidenti si burim i pavarur, por nga Kuvendi si hallkë ku shumica merr miratimin demokratik. Kjo është arsyeja pse, nga pikëpamja juridike, Qeveria legjitimohet në Kuvend, jo përmes mandatimit si akt i vetëm.

Por çfarë ndodh kur posti i Presidentit është vakant? Kushtetuta nuk e lë shtetin pa mekanizëm funksionimi në një situatë të tillë. Pikërisht për këtë arsye është paraparë institucioni i ushtruesit të detyrës së Presidentit. Qëllimi i tij është të garantojë vazhdimësinë kushtetuese dhe të shmangë vakumin institucional, në mënyrë që proceset e nevojshme shtetërore të mos mbeten pezull.

Nëse do të pranohej një interpretim sipas të cilit ushtruesi i detyrës nuk do të mund të ushtrojë kompetencën e mandatimit të Kryeministrit, vetë ekzistenca e institucionit të ushtruesit të detyrës do të humbte kuptimin kushtetues. Një përfundim i tillë do të krijonte paradoks: Kuvendi do të konstituohej dhe shumica parlamentare do të ekzistonte, por shteti do të mbetej pa Qeveri derisa të gjendej një shumicë tjetër për zgjedhjen e Presidentit. Një rezultat i tillë, i bllokuar nga vakanca presidenciale, vështirë se mund të konsiderohet në frymën e Kushtetutës.

Debati publik shpesh është fokusuar te pyetja se kush e mandaton Kryeministrin. Megjithatë, ekziston një pyetje edhe më themelore, e lidhur drejtpërdrejt me mënyrën se si duhet të ecë shteti pas zgjedhjeve kur Presidenti nuk është në detyrë: renditja kushtetuese e veprimeve dhe ndërtimi i institucioneve në përputhje me parimin e legjitimitetit. Në këtë kornizë, pika kyçe mbetet logjika që e vendos Kuvendin si nisje, ndërsa Qeveria formohet përmes procedurës që lidhet me votimin në të.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version