Prekaz: vëzhgim nga janari, sulm më 7 mars 1998

Detaje nga aktakuza flasin se lagjja Jasharëve në fshatin Prekaz i Poshtëm ishte vënë nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia për Operacione Speciale që nga fillimi i janarit të vitit 1998. Ky vëzhgim dhe përgatitje, sipas dokumenteve të përshkruara në aktakuzë, vijoi pandërprerë deri në sulmin e armatosur të 7 marsit 1998.

Gjatë kësaj periudhe, në Prekaz i Poshtëm ishte i pranishëm komandanti i Njësisë për Operacione Speciale, Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”. Aktakuza thekson se ai jo vetëm që kishte rol drejtues, por edhe udhëhiqte veprimet e njësisë gjatë kohës kur lagjja po monitorohej. Në anën tjetër, në vëzhgimin dhe përgatitjen e operacionit kishte marrë pjesë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e drejtuar nga komandanti Çedomir Bozhoviq.

Nga dosja prej 155 faqesh e Prokurorisë Speciale, që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Bozhoviq ishte po ashtu i pranishëm në të gjithë periudhën e vëzhgimit dhe të përgatitjes për sulmin në Prekaz. Këto njësi ishin vendosur brenda kompleksit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, në një objekt të njohur si “Villa”. Pikërisht nga “Villa”, njësitë kryenin vëzhgim të vazhdueshëm të lagjes Jasharaj – si fizikisht, ashtu edhe përmes kamerave të vendosura në një rezervuar uji të Fabrikës së Municionit.

Aktakuza shpjegon se kamerat ishin vendosur në një lartësi rreth 50 metra dhe regjistronin lagjen 24 orë në ditë, 7 ditë të javës. Kjo mënyrë monitorimi, sipas përshkrimit në dosje, u mundësonte forcave të përfshira kontrollimin dhe monitorimin e çdo lëvizjeje të banorëve të lagjes. Pas një periudhe të gjatë të vëzhgimit dhe mbledhjes sistematike të të dhënave, në zbatim të planit operacional, më 3 mars 1998 në kompleksin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj kishte filluar përforcimi i kapaciteteve njerëzore të njësive policore për realizimin e sulmit të planifikuar.

Nga vëzhgimi te sulmi i planifikuar, gjithçka përgatitej në Skenderaj

Gjatë kësaj faze, aktakuza tregon se ishte rritur numri i pjesëtarëve të njësive të angazhuara dhe ishin dislokuar mjete e armatim i rëndë luftarak. Në listën e pajisjeve të përmendura përfshihen automjete të blinduara të pajisura me mitraloz të tipit “Browning”, “HBG” dhe “DSHK”, tanke ushtarake, minahedhës, armë kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake. Përforcimi nuk u ndal vetëm me 3 mars; ai vazhdoi edhe gjatë mbrëmjes së 4 marsit 1998, kur në Fabrikën e Municionit u sollën mjete shtesë luftarake të destinuara për kryerjen e sulmit.

Mes mjeteve që u sollën më 4 mars 1998, aktakuza përmend autoblinda, praga, mjete luftarake tre tytëshe të kalibrit 20mm, si dhe edhe dy tytëshe të kalibrit 20mm. Po ashtu përmenden automjete të blinduara të pajisura me mitraloz të kalibrit 12.6mm, minahedhës të kalibrave 60 deri në 106mm, armë kundërajrore dhe dy tanke ushtarake, të transportuara nga Mitrovica. Pas përforcimit dhe dislokimit të forcave shtesë, me datë 4 mars 1998, në objektin “Villa”, në zonën e Fabrikës së Municionit ishte formuar shtabi për realizimin e sulmit të planifikuar.

Aktakuza thotë se shtabi udhëhiqej dhe koordinohej nga i pandehuri Goran Radosavljeviq, i njohur me nofkën “Guri”. Në këtë strukturë ishin edhe të pandehurit Zhivko Trajkoviq, komandant i të gjitha Njësive Speciale Antiterroriste; Zoran Simoviq, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Beograd; Branko Çurçiq, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Novi Sad; dhe Radislav Staleviq, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Prishtinë. Në shtab, sipas përshkrimit, u përcaktuan detyrat konkrete për secilën njësi. Në ndarjen e detyrave, me kërkesë të Milorad Ulemek “Legia”, sulmi ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit iu caktua Njësisë për Operacione Speciale nën komandën e tij.

Për pjesë të tjera të aksionit, aktakuza e lidh zonimin e roleve me njësi të ndryshme. Pozicioni i njohur si “Bunkeri” iu caktua Njësisë Speciale Antiterroriste nga Novi Sadi, nën komandën e Branko Çurçiq, i cili gjatë gjithë kohës së sulmit qëndroi në shtab për të dhënë urdhra dhe për të koordinuar njësinë. Në terren, Njësia u drejtua nga i pandehuri Zhelimir Mrdal si zëvendës i tij. Ndërsa pjesa tjetër e lagjes, duke filluar nga rruga e lagjes Jasharaj nga drejtimi i Skenderajt e tutje, do të sulmohej nga Njësia Speciale Antiterroriste nga Beogradi, nën komandën e Zoran Simoviq, si dhe nga Njësia Speciale Antiterroriste nga Prishtina, nën komandën e Radislav Staleviq.

Aktakuza vijon duke thënë se Zoran Simoviq dhe Radislav Staleviq qëndruan në shtab duke drejtuar veprimet e njësive të tyre, ndërsa në terren njësitë u udhëhoqën nga Spasoje Vuleviq dhe Vlado Todoroviq. Po ashtu, në dokument përmendet Njësia e Posaçme e Policisë, e përbërë nga detashmente dhe kompani me komandantët e tyre, përfshirë Detashmentin e Uzhicës me komandant Branko Prljeviq, Detashmentin e Nishit me komandant Radoslav Mitroviq, Kompaninë e Leskovcit me komandant Milivoje Stojilkoviq, Togun e Nishit me komandant Nenad Stojkoviq, Kompaninë e Vranjes me komandant Srgjan Iliq, si dhe Detashmentin e Kosovës me komandant Bozhidar Filiq. Në listë përmendet edhe Detashmenti 24 i Prishtinës me komandant Zharko Brakoviq, Kompania e Mitrovicës me komandant Çedomir Bozhoviq, si dhe Togu i Skenderajt me komandant Zharko Rok.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version