Pacientët me kancer metastatik, të cilët trajtohen me Palbociclib në Klinikën e Onkologjisë, po përballen me një ndërprerje të gjatë të terapisë. Të dhënat flasin për mungesë të vazhdueshme për rreth tre muaj, ndërsa çështja po mbetet pa përgjigje institucionale nga ShSKUK-ja.
Terapia e pacientëve me kancer metastatik dhe që kushton nga 1.500 deri në 1.900 euro për një cikël trajtimi nuk po gjendet në Klinikën e Onkologjisë për një periudhë të tillë. Palbociclib është ilaç që përdoret për trajtimin e pacienteve me kancer metastatik të gjirit, me qëllim që të ngadalësojë përparimin e sëmundjes.
Ndonëse furnizimi nuk po vazhdon për muaj të tërë, as Klinika e Onkologjisë dhe as Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës nuk kanë dhënë sqarime publike për arsyet pse po vonohet shpërndarja e kësaj terapie. Po ashtu, nuk është bërë e ditur se kur pritet të rifillojë dhënia e Palbociclib për pacientët.
Pacientët kërkojnë rifillimin sa më të shpejtë të Palbociclib-it
Ylfete Gashi, e cila trajtohet me Palbociclib, ka thënë se pacientët nuk kanë marrë asnjë njoftim nga klinika. Ajo ka shpjeguar se kur është marrë terapia, të nesërmen i janë bërë mungesë të tjerëve, ndërkohë që disa pacientë nuk e kanë marrë as gjatë muajve maj dhe qershor, duke e çuar situatën edhe më tej deri në korrik. Sipas saj, terapi që nuk sigurohet në kohë i shtyn pacientët që ta kalojnë ciklin në muajin pasardhës.
“Terapinë unë, dmth, që 1 muaj e tash nëse nuk vjen, hyj në muajin e dytë. Kur e kam marrë unë terapinë, të nesërmen veç u kanë mungesë, dmth të tjerët pacientë nuk e kanë marrë as të majit, qershorit, e dmth hyjmë edhe në korrik. Se e dini qysh është gjendja, çmimet janë shumë të mëdha. Hajt, disi ia bën, po po mbajmë shpresë që po vjen në klinikë”, ka thënë pacientja.
Edhe pacientja tjetër, Kimete Hoxha, ka shprehur shqetësim për përkeqësimin e gjendjes së saj. Ajo ka treguar se këtë javë e ka të planifikuar të shkojë për kontroll në Klinikën e Onkologjisë. Hoxha ka thënë se po përpiqet të kuptojë si po lëviz situata, duke e lidhur këtë me trajtimin që duhet të vazhdojë sipas planit. Sipas saj, gjendja e saj po rëndohet çdo ditë.
“Jo, zgjidhje s’kam bërë, se të hënën kam m’u kthy në Prizren për t’i bërë analizat, me shiku sa m’u kanë rritur vlerat ose a i kam hup a kanë stagnu. Edhe të mërkurën kam me shku në Onkologji se kam kontroll, se e marr edhe Zometën. E veten çdo ditë e ma lodhët, jam t’u e ndie, çdo ditë e ma keq, po çka me ba tash, të shoh në bazë t…”, ka deklaruar Hoxha, duke e vënë theksin te rritja e shqetësimit për shkak të mungesës së terapisë.
Ndërkohë, përballë ndërprerjes së terapisë, pacientët po kërkojnë që furnizimi të rifillojë sa më shpejt. Një pjesë e tyre i drejtohen kontrolleve dhe analizave për të vlerësuar gjendjen, por shqetësimi mbetet i njëjtë: trajtimi me Palbociclib, i rëndësishëm për ngadalësimin e sëmundjes, nuk po ofrohet në klinikë ashtu siç pritet.
Botuar fillimisht në Koha.net






