Maroku po i afrohet “lavdisë” në Botërorin 2026 dhe këtë e ka nisur ta tregojë me një fitore bindëse ndaj Kanadasë. Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën, mesfushori Azzedine Ounahi ka qenë vendimtar, duke shënuar dy gola në fitoren 3:0. Me këtë rezultat, Maroku u bë ekipi i parë që siguroi zyrtarisht çerekfinalen e Kupës së Botës.
Ndeshja nuk nisi në mënyrën më të mirë për marokenët. Në pjesën e parë, Maroku nuk arriti ta thyejë Kanadanë dhe loja e skuadrës kanadeze u duk më e organizuar në fazën ofensive. Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pushimit. Në pjesën e dytë, Maroku shpërtheu, krijoi më shumë hapësira dhe gjeti golat në kohën e duhur.
Dy golat e Ounahit i hapën rrugën fitores së thellë. Ndërsa Kanadaja ishte më e pranishme në pjesën e parë, Maroku arriti të rregullojë ritmin dhe të marrë kontrollin e lojës pas pushimit. Për këto ndryshime, selektori i Marokut, Mohamed Ouahbi, foli për një rregullim të sistemit që e ka shtyrë lojtarin më përpara në fushë.
Ndryshimi i sistemit i solli Ounahit më shumë role në sulm
“Ne e kemi ndryshuar sistemin tonë, kështu që ai luan më përpara në fushë”, ka thënë selektori Mohamed Ouahbi. Sipas tij, pozicionimi i ri i jep Azzedine Ounahit më shumë hapësirë për të qenë i rrezikshëm. “Ai duhet të luajë më shumë në sulm. Ai është lojtar shumë i vlefshëm dhe i aftë që të thyejë presionin e kundërshtarit me vrapimet e tij dhe pasimin mes linjave”. Kjo qasje u reflektua në lojë pikërisht në momentet kur Maroku rriti presionin ndaj portës së Kanadasë.
Nga ana tjetër, trajneri i Kanadasë, Jesse Marsch, e vlerësoi ndeshjen duke theksuar dominimin e skuadrës së tij në pjesën e parë. “Ekipi e kishte kontrollin e plotë”, tha ai. Por, pavarësisht asaj që u pa deri në pushim, Kanadaja nuk arriti të ruante ritmin gjatë pjesës së dytë, ndërsa Maroku bëri përmirësimet e nevojshme. Se çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes e sqaroi vetë selektori maroken.
“Pjesa e parë ishte shumë intensive. Ishin disa përmirësime që duhej t’i bënim për pjesën e dytë. Ne treguam disa video në pushim dhe pas kësaj kishim shumë më tepër kontroll. Nuk do të hyjë në detaje sepse kemi edhe ndeshje të tjera për të luajtur. Ne nuk ndryshuam identitetin apo filozofinë tonë të lojës. Por u desh të përdornim mesfushën dhe portierin Yassine Bounou për t’i ndalur kanadezët që të bënin presion”, ka theksuar Ouahbi. Në këtë mënyrë, për marokenët rëndësia u vendos te kontrolli pas pushimit dhe te aftësia për t’i rezistuar presionit të kundërshtarit.
Selektori ka folur edhe për qëndrueshmërinë e skuadrës, veçanërisht duke pasur parasysh se Kanadaja po dominonte në pjesën e parë. “Ua kemi bërë të qartë lojtarëve tanë se kjo është Kupë e Botës, që do të thotë se do të ketë momente të vështira. Ajo që ka rëndësi është se kur nuk jemi në momentin më të mirë, duhet të jemi fleksibil. Kur njerëzit flasin për Marokun, ata flasin për një pretendent të vërtetë dhe një vend të madh të futbollit. Ky është një burim i madh krenarie. Ne duam të vazhdojmë, nuk duam të ndalemi. Do të ruajmë ambicien dhe qëllimin për ta fituar Kupën e Botës”, tha Mohamed Ouahbi.
Azzedine Ounahi, që aktivizohet për Gironan në Spanjë, po e tregon formën e tij edhe në skenën më të madhe. 26-vjeçari ka 11 gola në 54 paraqitje për Marokun dhe në ndeshjen ndaj Kanadasë u vlerësua si më i miri i lojës. Ndërkaq, Maroku vjen nga Botërori i kaluar ku arriti deri në gjysmëfinale. Tani synon hapin tjetër: çerekfinalet janë në horizont, por përpara pritet një sfidë e fortë, pasi kundërshtari në çerekfinale do të jetë Franca.
Botuar fillimisht në Koha.net
