Opozita refuzon takimin konsultativ me Haxhiun për presidentin

Opozita ka refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin konsultativ të së martës, ku ishte paraparë të diskutohej për zgjidhjen e ngërçit institucional dhe për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Dy partitë opozitare kryesore, PDK-ja dhe Aleanca, e konsideruan këtë format si të papërshtatshëm dhe zgjodhën të mos marrin pjesë.

PDK-ja e cilësoi ftesën si “manipulim politik”. Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu. Sipas Ismailit, zgjidhja duhet të kërkohet brenda Kuvendit, dhe jo përmes takimeve konsultative, duke theksuar se në Kosovë pushteti bazohet te legjislativi.

Në argumentimin e tij, Ismaili tha se kjo po shënon një tentativë tjetër të manipulimit, duke lidhur çështjen me zvarritjen e afateve kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi se Haxhiu “më mirë kishte me qenë me i shkrua letër Avni Deharit”, duke shtuar se Kuvendi në këtë situatë është i suspenduar dhe se nuk mund të ushtrohen mandate pa një rrugë të qartë brenda institucioneve.

“Ejani në Kuvend, mos ikni” – opozita kërkon zgjidhje vetëm brenda Kuvendit

Ismaili bëri të ditur edhe një kërkesë të re të PDK-së. Ai tha se grupi parlamentar i PDK-së i ka kërkuar sërish kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës më 16 gusht. Sipas tij, qëllimi është të rikthehet rendi kushtetues, të propozohet kryetari i Kuvendit dhe të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Deputeti i PDK-së argumentoi se nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se Kosova nuk mund të mbetet peng pafundësisht. Ismaili nënvizoi se partia e tij nuk do ta pranojë dhe nuk do ta normalizojë një qasje të tillë, duke paralajmëruar moslejimin e asaj që e cilësoi si vazhdim të sjelljes së njëanshme.

Edhe Aleanca refuzoi pjesëmarrjen në takimin e së martës. Kryetari i saj, Ardian Gjini, akuzoi Vetëvendosjen se po e zvarrit krizën institucionale me synimin që zgjedhjet e reja të mbahen në një datë që i konvenon kësaj partie. Gjini shkroi se “qëllimi juaj është më shumë se kaq” dhe se Aleanca e ka kuptuar “lojën”, duke i mohuar Vetëvendosjes çdo arsyetim të mundshëm.

Sipas Gjinit, nëse Vetëvendosja kërkon votat dhe kuorumin e Aleancës, atëherë duhet t’i pranojë gjashtë kërkesat e saj. Këto kërkesa përfshijnë pranimin e gazit amerikan, ndërtimin e kapaciteteve energjetike, përfundimin e infrastrukturës kryesore, ngritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lirimin e bujqve nga tatimi në pronë dhe investimet në kryeqytet.

Pas refuzimeve të PDK-së dhe Aleancës, reagoi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari. Ai bëri thirrje për dialog dhe marrëveshje ndërmjet partive politike, duke paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një dakordim paraprak mund ta përshkallëzojë situatën. Dehari tha se çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit.

Dehari shtoi se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, një skenar që, sipas tij, duhet të evitohet. Ftesa e Haxhiut erdhi pasi LDK-ja deklaroi se heq dorë nga partneriteti potencial për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe bëri thirrje për kandidatura konsensuale për president. Ndërkohë, një javë më parë përfundoi afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Legjislaturës së 11-të: deputetët kanë dhënë betimin, por procesi ka mbetur i bllokuar te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka arsyetuar refuzimin për propozimin e kryetarit të Kuvendit me mungesën e një marrëveshjeje për presidentin. Ai ka paralajmëruar se pa një marrëveshje politike mund të konsumohet edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Kriza institucionale vijon të mbetet e pazgjidhur, ndërsa partitë politike deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për zhbllokimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version