Kur mjeku më dha lajmin e mirë, mendova se vuajtjet kishin marrë fund. Por s’e dija se pas atij momenti, përveç sëmundjes, më priste edhe një tjetër sfidë. Quhem Edonisa, jam 38 vjeçe dhe jam nënë e dy fëmijëve. Nëse do të më shihnit para disa viteve, nuk do të dyshonit se diçka e rëndë po më priste, sepse jeta ime dukej e zakonshme: punë, familje, halle shtëpie dhe një dëshirë e thjeshtë për të jetuar pranë atyre që doja.
Punoja në një dyqan veshjesh. Çdo mëngjes zgjohesha para orës shtatë, përgatisja mëngjesin dhe i bëja gati djalin për shkollë e vajzën për kopsht. Bashkëshorti im, Donjeti, punonte në një kompani private. Nuk kishim shumë të ardhura, por ia dilnim me atë që kishim: një banesë e vogël e mobiluar pak nga pak dhe një veturë e vjetër që shpesh na sillte shpenzime të papritura. Fundjavave zakonisht shkonim te prindërit e Donjetit. Vjehrra, Luljeta, gatuante drekën, ndërsa vjehrri, Atdheu, merrej me fëmijët.
Fëmijët kishin rolin e tyre në përditshmërinë time. Drenori, djali ynë dhjetëvjeçar, e ndiqte gjyshin kudo, ndërsa Norea, pesëvjeçare, e donte shumë gjyshen, sepse ajo gjithmonë gjente kohë t’ia dëgjonte tregimet dhe t’i përgatiste diçka që i pëlqente. Në jetën time kishin vend edhe shoqet. Rineta, kolegia me të cilën punoja prej vitesh, ishte ndër njerëzit më të afërt. Me të ndaja kafen e mëngjesit, shqetësimet për fëmijët dhe ndonjëherë edhe pakënaqësitë që sillte martesa. Unë besoja se, pavarësisht vështirësive, kisha një familje të qëndrueshme dhe doja vetëm t’i rrisja fëmijët e të plakesha pranë njeriut që kisha zgjedhur.
Gjithçka ndryshoi nga një shqetësim i hershëm: një dhimbje në gjirin e djathtë, që herë pas here përhapej drejt sqetullës. Për disa javë, unë e arsyetoja si lodhje. Qëndroja gjatë në këmbë në dyqan, ngrija kuti, pastaj kthehesha në shtëpi e rraskapitur. Një ditë ia përmenda Rinetës. Ajo më tha: “Shko te mjeku, Edonisa. Nuk humb asgjë nëse kontrollohesh.” Edhe pse e shtyva edhe disa ditë, vendosa të bëja një ultrazë të gjirit. Mjekja që më kontrolloi nuk foli shumë, por fytyra e saj ndryshoi teksa shihte monitorin. Më rekomandoi ekzaminime të tjera dhe biopsi.
Kur erdhi rezultati, Donjeti më shoqëroi në ordinancë. Mjeku na shpjegoi se kisha karcinomë invazive të gjirit. Analizat e mëtejshme treguan se ishte një tumor trefish negativ, me indeks të lartë të shumimit të qelizave dhe me përfshirje të disa nyjave limfatike. “Është një formë agresive, por kemi mundësi trajtimi. Duhet të fillojmë sa më shpejt”, më tha mjeku. Unë nuk mbaj mend gjithçka që u tha atë ditë, sepse pyeta vetëm për një gjë: a kisha mundësi të shërohesha. Mjeku më shpjegoi se trajtimi do të kishte synim shërimin dhe se çdo fazë duhej ndjekur me kujdes, pa u mbështetur te përqindje.
Kur dolëm nga ordinanca, Donjeti më përqafoi dhe më tha se do ta kalonim bashkë. Unë i besova. Atëherë nuk e dija se, krahas sëmundjes, do të përballesha edhe me vetminë që do të linte pas largimi i tij. Trajtimi nisi në Onkologji, në Prishtinë. Mjekët më shpjeguan se fillimisht do të merrja kimioterapi dhe se më pas do të rivlerësohej tumori për të vendosur për operacionin. Terapia përfshinte cikle me doksorubicinë dhe ciklofosfamid, të ndjekura nga paklitakseli.
“Duhet të fillojmë sa më shpejt”, mes kimioterapisë dhe një jete që u copëtua
Në fillim u përpoqa të vazhdoja si më parë: përgatisja ushqimin, merresha me fëmijët dhe ndonjëherë i telefonoja Rinetës për të pyetur si po shkonte puna. Por çdo terapi e dobësonte trupin. Kishte ditë kur s’mund ta duroja erën e ushqimit dhe të tjera kur edhe ecja deri në banjë dukej e vështirë. Pastaj filluan të më binin flokët. Një mëngjes gjeta shumë flokë në jastëk. I mblodha me dorë dhe qëndrova gjatë duke i shikuar. Pas disa ditësh shkova te parukierja dhe kërkova t’i priste krejt.
Kur u ktheva në shtëpi, Drenori më pa pa folur dhe pastaj erdhi e më përqafoi. Norea më pyeti nëse do të më rriteshin përsëri flokët. “Shpresoj se po, zemër”, iu përgjigja. “Mirë, se dua të t’i bëj prapë bishtaleca”, tha ajo. Atë natë qava para pasqyrës. Nuk po qaja vetëm për flokët, por për jetën që më ishte ndryshuar brenda pak muajsh, për ditët në spital dhe për frikën që më shoqëronte vazhdimisht.
Me kalimin e kohës, sfida ndryshoi formë. Në fillim Donjeti më shoqëronte në kontrolle, më sillte barna dhe përpiqej të më ndihmonte me fëmijët. Por më vonë vura re ndryshime: ai bëhej gjithnjë e më i heshtur, rrinte gjatë në telefon, dilte shpesh dhe kthehej vonë. Kur flisja për shqetësimet e mia, ai më thoshte se edhe ai kishte problemet e veta. Një natë e pyeta nëse ende më donte, por s’më dha përgjigje. Pas disa javësh më tha se nuk po mundej më të jetonte ashtu, i ishte lodhur nga spitalet, shqetësimet dhe pasiguria. “Edhe unë jam lodhur”, i thashë. “Por unë nuk kam ku të largohem nga sëmundja ime.” Ai uli kokën. Disa ditë më vonë mori një pjesë të rrobave dhe doli.
Botuar fillimisht në Telegrafi
