Në “Dukagjini” promovohet libri “Welcome to This Moment”

Në librarinë “Dukagjini” është promovuar libri “Welcome to This Moment”, i autores Likana Cana. Promovimi u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës, teksa në ambient u mblodhën të pranishëm që e ndoqën nga afër rrëfimin e autores për librin dhe idetë që e shoqërojnë atë.

Nga tash e tutje, në mesin e mijëra titujve që gjenden në këtë librari, “Welcome to This Moment” mban një vend të veçantë. Historia e librit nuk vjen thjesht si një produkt leximi, por si një përvojë e ndjerë nga autorja, e cila e lidh shkrimin me ndryshime reale në jetë: rritje, reflektime dhe kërkim të vetvetes.

Libri është shkruar mes përjetimeve personale dhe reflektimeve të brendshme mbi mënyrën se si njeriu përballet me ndryshimin. Sipas përmbajtjes së prezantuar në promovim, ai i çon lexuesit në një botë mes kaosit dhe qetësisë, duke sjellë një përvojë të afërt për ata që e ndjekin rrugëtimin e autores. Përmes faqes së librit, aty ku shfaqen mendime të brendshme, kuptohen edhe temat e rritjes dhe transformimeve që shoqërojnë jetën e njeriut.

Një libër që kap ndryshimin mes kaosit dhe qetësisë

“Welcome to This Moment” është i shtrirë në tri vera, të cilat shënojnë kthesa të rëndësishme. Kjo strukturë e pazakontë, e ndërtuar mbi kalimin natyrshëm nga vajzëria në amësi, i jep librit një ritëm të veçantë. Përmes këtyre tre periudhave, lexuesi njihet me mendime dhe ndjenja që ndryshojnë bashkë me njeriun, duke e bërë tekstin më shumë se thjesht një rrëfim, por një udhëtim emocional.

Autorja, Likana Cana, shpjegoi edhe si ka lindur ideja e librit. Ajo tha se libri është një dokumentim i mendimeve të përditshme, pra i atyre reflektimeve që i vjen kur hyn në rrjete sociale, kur bisedon me shokë e shoqe dhe kur i ndan këto momente në format postimesh. Në këtë kuptim, shkrimi i librit nuk është marrë si diçka e rastësishme, por si një vendim i vetëdijshëm për të marrë disa shënime dhe për t’i vendosur në një formë më të gjatë, më të plotë.

Cana tregoi gjithashtu se e ka përjetuar procesin e shkrimit në faza të ndryshme të trupit të saj dhe të jetës. Ajo përmendi se ka qenë vajzë e re 27-vjeçare kur e ka nisur librin, ndërsa më pas ka kaluar në periudhën kur ka qenë shtatëzanë, është bërë nënë dhe më tej në fazën e mas lindjes. Përfshirja e këtyre realiteteve personale lidhet drejtpërdrejt me tematikat e librit, që i trajton ndjenjat dhe mendimet si pjesë e një procesi të gjatë.

Në promovim, autorja foli edhe për zgjedhjen e gjuhës. Ajo u shpreh se vendosi ta shkruajë librin në gjuhën angleze, duke shpjeguar se në gjuhën shqipe, në Kosovë, shpesh flitet me familjen dhe me shoqërinë, ndërsa të shprehurit në shkollë dhe për detyrat e hartimeve kërkon një mënyrë tjetër komunikimi. Sipas saj, kjo ka krijuar një disonancë të madhe mes mënyrës se si ajo ndjen dhe mendon dhe mënyrës se si shprehet në angazhimet formale. Cana shtoi se më e natyrshmja për të ka qenë që të gjejë një zë personal në gjuhën angleze, duke përmendur edhe se literatura që ajo konsumon, si dhe arti që ka ndjekur, janë kryesisht në këtë gjuhë.

Ndërkohë, të pranishmit ndanë përshtypjet e tyre të para pas leximit të librit. Arbër Salihu, familjar, e përshkroi “Welcome to This Moment” si një lloj ditari, duke e quajtur atë “ditar artistik”. Ai theksoi se libri shpalos mendime të fragmentuara, jo domosdoshmërisht me një kronologji konkrete, por si mendime të autores për tema të ndryshme. Sipas tij, këto tema janë relevante për njerëzit që po jetojnë në këtë epokë dhe në këtë vend, ndërsa qasja artistike e librit e çon diskutimin përtej kornizave me të cilat jemi mësuar të mbajmë tabutë.

“Welcome to This Moment” është botim i shtëpisë botuese Dukagjini dhe, sipas prezantimit në këtë eveniment, është libri i dytë i botuar nga autorja, Likana Cana.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version