Ndryshojnë rregullat e Superiores: nisën nga 2026/2027

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së zhvilloi këtë të martë mbledhjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”. Në fokus të diskutimeve ishin disa vendime të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimin e futbollit shqiptar, duke nisur nga ndryshimet në rregulloret e garave e deri te formatet e kampionateve, si dhe projektet infrastrukturore.

Në mbledhjen e sotme, një nga vendimet më të rëndësishme ishte ndryshimi i formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”. Ky format i ri është parashikuar të hyjë në fuqi duke filluar nga sezoni 2026/2027. Sipas planit, ndryshimet synojnë të rrisin konkurrueshmërinë e kampionatit, të mbajnë interesin sportiv deri në fund të sezonit dhe të përmirësojnë përgatitjen e klubeve shqiptare për pjesëmarrje në kompeticionet europiane.

Superiore me format të ri: 27 javë në 3 faza nga 2026/2027

Nga sezoni 2026/2027, kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza të rregullta, 36 javë garë dhe fazën “Final 4”. Në vend të kësaj, formati i ri parashikon zhvillimin e tre fazave të rregullta, me gjithsej 27 javë. Pas përfundimit të këtyre tre fazave, skuadrat do të ndahen në dy grupe bazuar në renditjen përfundimtare.

Një element kyç i sistemit të ri lidhet edhe me pikët: pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out. Ky rregull ndikon direkt në mënyrën si do të “zhvendoset” lufta për pozicionet kryesore dhe për mbijetesë, duke e bërë garën më të hapur për pjesën vendimtare të sezonit.

Gjashtë skuadrat e renditura në vendet e para do të kualifikohen në fazën play-off. Në këtë fazë do të zhvillohen ndeshje me sistem vajtje-ardhje, me një total prej 10 javësh garë. Skuadra që mbyll në vendin e parë në përfundim të fazës play-off do të shpallet kampione e edicionit 2026/2027.

Ndërkohë, katër skuadrat e renditura në vendet e fundit, nga vendi i 7-të deri në vendin e 10-të, do të luajnë në fazën play-out. Edhe këtu sistemi është vajtje-ardhje-vajtje, në një total prej 9 javësh garë. Skuadra që renditet në vendin e fundit në fund të fazës play-out bie automatikisht në Kategorinë e Parë. Po ashtu, dy vendet e para të Kategorisë së Parë në përfundim të këtij sezoni ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”.

Për të vendosur edhe një skuadër tjetër që do të ruajë ose sigurojë vendin në elitë, parashikohet një sërë ndeshjesh shtesë. Ekipet që përfundojnë në vendet 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë në fazën play-off do të zhvillojnë ndeshje sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e këtyre dy çifteve do të përballen në një finale, dhe fituesja e finales do të ngjitet në “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm. Kjo finale zhvillohet përballë edhe një skuadre tjetër: ajo që vjen nga faza play-out e “Abissnet Superiore”, pra nga vendi i parafundit. Fituesja e këtij dueli do të sigurojë pjesëmarrjen në “Abissnet Superiore”.

Ndryshimet nuk ndalen me kaq: duke filluar nga sezoni 2027/2028, kampionati “Abissnet Superiore” zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Sipas formatit të ri, kampionati do të zhvillohet në dy faza të rregullta, me gjithsej 22 javë garë. Pas përfundimit të tyre, skuadrat ndahen në dy grupe sipas renditjes përfundimtare pas 22 javësh, ndërsa pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt përsëri përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Në këtë sezon të zgjeruar, gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën play-off me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë. Skuadra në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028. Po kështu, gjashtë skuadrat e renditura në gjysmën e poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë, ndërsa dy skuadrat në dy vendet e fundit bien automatikisht në Kategorinë e Parë për sezonin pasardhës.

Ndërkohë, skuadra e renditur e treta e parafundit do të luajë një “play-off” për qëndrimin në kategori kundër fituesit të fazës play-off të Kategorisë së Parë. Ky duel do të përfshijë skuadrat e renditura në vendet 3-4-5-6 të Kategorisë së Parë, në mënyrë që të përcaktohet ekipi që do të marrë të drejtën të luajë në “Abissnet Superiore” pas sezonit 2027/2028.

Botuar fillimisht në Sport Ekspres

Exit mobile version