Pas një sulmi ndaj një qytetari nga qentë endacakë pranë Urës së Ibrit, në Mitrovicë ka nisur edhe dyshimi për helmim të qenve. Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve alarmojnë se fenomeni nuk është sporadik, por i përhapur në disa pjesë të qytetit, teksa thonë se institucionet nuk kanë reaguar pavarësisht raportimeve të shumta.
Sipas rrëfimeve të aktivistëve, disa qen janë gjetur në gjendje të rëndë. Në një bashkëbisedim për KosovaPress, një aktiviste në Mitrovicë ka thënë se situata është alarmante dhe se, pas njoftimeve nga qytetarët, ajo ka dalë në vendin e ngjarjes. Aty ka parë disa qen të helmuar, ndërsa për gjendjen e tyre, sipas saj, është njoftuar policia, por reagimi nuk ka ardhur.
Aktivistja u shpreh se ishte e shokuar nga ajo që pa. Ajo ka treguar se ekipet e saj kanë lajmëruar policinë, mirëpo sipas saj nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Kur u tha të kontaktohej numri 112, ajo thotë se as aty nuk morën ndihmë. Në të njëjtën zonë, sipas aktivistes, kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe karabinierët pranë Urës së Ibrit, të cilët kanë parë gjendjen e qenve.
Aktivistja tha se disa nga qentë kanë arritur t’i shpëtojnë helmimit, ndërsa një tjetër ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Ajo theksoi se ky nuk është rasti i parë i helmimit të qenve në Mitrovicë, duke shtuar se dyshon se është rasti i katërt ose i pestë që qentë helmohet në qytet. Sipas njoftimeve që thotë se kanë marrë, mungojnë edhe rreth 20 qen, ndërsa disa të tjerë janë parë të ngordhur.
Aktivistët kërkojnë reagim: helmimi po rrezikon edhe njerëzit
Një shqetësim i veçantë i aktivistes lidhet me faktin se helmimi dyshohet të jetë bërë në hapësira publike. Ajo përmendi se në shkallët tek Ura e Ibrit “ka qenë përplot me helm”, duke ngritur alarmin se kjo situatë nuk prek vetëm kafshët. Sipas saj, aty kalojnë fëmijë, gra shtatzëna dhe qytetarë të tjerë, prandaj rreziku shtrihet edhe për njerëzit. Aktivistja shtoi se ajo dhe kolegët e saj kanë foto dhe video nga vendi i ngjarjes, por pretendon se askush nuk po i merr parasysh.
Aktivistja ngriti edhe problemin e reagimit institucional. Ajo tha se kanë kontaktuar Komunën e Mitrovicës përmes emailit dhe rrjeteve sociale, por pa marrë asnjë përgjigje. Sipas saj, mungesa e reagimit po e rëndon edhe më shumë situatën me qentë endacakë në qytet. Në këtë kontekst, ajo përmendi se disa qentë që aktivistët i kanë sterilizuar dhe i kanë ushqyer me mjetet e tyre mungojnë, përfshirë edhe qentë te Kisha Ortodokse dhe në pjesë të tjera të Mitrovicës. Ndërkohë, ajo thotë se së bashku me një kolege kanë arritur të shpëtojnë rreth 5-6 qen, por numri i saktë i atyre që kanë qenë të helmuar mbetet i paqartë.
Përveç pretendimeve për helmime të përsëritura dhe mungesë reagimi nga institucionet, aktivistja kërkoi të merret seriozisht rreziku i përdorimit të helmeve në zona ku qarkullon qytetaria. Sipas rrëfimit të saj, në vendin ku u panë shenjat e helmimit ishin të pranishëm edhe forca të sigurisë, ndërsa qytetarët kishin raportuar rastin duke bërë që ajo të dalë në terren. Megjithatë, ajo pretendon se kërkesat dhe njoftimet për rastin nuk u shoqëruan me veprime adekuate, duke e lënë situatën të vazhdojë të shqetësojë komunitetin në Mitrovicë.
Botuar fillimisht në Bota Sot