Mumja e quajtur “Gruaja që bërtet”, e një gruaje elitare egjiptiane e varrosur më shumë se tre mijëvjeçarë më parë, vazhdon të nxisë kuriozitet edhe pas rishikimit me teknika moderne. Për një kohë të gjatë, shprehja e saj e shtrembëruar me gojë hapur u shpjegua si rezultat i balsamimit të pakujdesshëm ose të keq. Por studimet më të fundit e zhvendosin debatin nga supozimi i gabimeve gjatë mumifikimit drejt një skenari të rrallë, të lidhur me momentin e vdekjes.
Mumja u zbulua në vitin 1935 në Tebë dhe u gjet e varrosur pranë varrit të Senmutit, arkitektit mbretëror që i shërbeu Mbretëreshës Hatshepsut gjatë dinastisë së 18-të të Egjiptit. Që prej zbulimit, shprehja e fytyrës së saj u interpretua shpesh si diçka e “mbetur” nga procesi i balsamimit. Megjithatë, kur studiuesit shqyrtuan me më shumë kujdes cilësinë e varrimit dhe materialet e përdorura, u pa se nuk bëhej fjalë për një ceremoni të kryer me nxitim apo pa kujdes.
“Gruaja që bërtet”: goja hapur lidhet me një spazëm muskulore
Sipas të dhënave që përshkruhen në materialin e publikuar nga revista “Popular Mechanics”, trupi i gruas, fashot prej liri dhe parukeja e saj luksoze ishin të mbuluara me temjan dhe rrëshirë dëllinjeje të importuar. Këto materiale cilësohen si jashtëzakonisht të shtrenjta, të rezervuara ekskluzivisht për varrimet e personave me status të lartë shoqëror. Temjani, sipas të dhënave historike, mendohet se u soll nga mbretëria e Puntit, një rajon i njohur për eksportin e arit dhe rrëshirave aromatike, dhe më pas arriti në Egjipt përmes njerëzve që punonin për vetë Hatshepsutin.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe parukeës: ajo nuk ishte e bërë nga qime njeriu, por nga fibra palme hurme. Parukeja ishte e lyer me një këna të rrallë të kuqërremtë dhe e spërkatur me një përzierje të imët kuarci, magnetiti dhe albiti. Përzierja e këtyre përbërësve, si dhe mënyra e realizimit, sugjeron se bëhej fjalë për një procedurë me aftësi teknike superiore dhe me kosto të konsiderueshme. Në këtë kuadër, teza se mumifikimi ishte i nxituar ose i dobët, humb terren, sepse vetë varrimi pasqyronte një standard që i përshtatej elitës.
Megjithatë, mbetet i pazgjidhur pikërisht pjesa më e ndërlikuar: procesi i balsamimit. Studiuesit theksojnë se organet e brendshme të kësaj gruaje nuk u hoqën, nuk u thanë dhe nuk u vendosën në vazo kanopike, praktikë e zakonshme në atë kohë. Po ashtu, në trup nuk u gjet asnjë prerje që të shpjegonte mungesën e këtij veprimi. Me fjalë të tjera, mumja ruan elemente që nuk përputhen plotësisht me rutinat e njohura të mumifikimit, duke e bërë edhe më të vështirë të kuptohet çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Çfarë zbuluan skanerët? Në vitin 2024, radiologia e specializuar në mumie, Sahar Selim, nga Universiteti i Kajros, në bashkëpunim me Samia El-Mergani të Ministrisë Egjiptiane të Turizmit dhe Antikiteteve, ekzaminoi mumjen duke përdorur një sërë metodash jo-invazive. Hulumtimi përfshiu rrezet X dhe tomografinë e kompjuterizuar (CT), si dhe mikroskopinë elektronike skanuese që kap detaje të sipërfaqes në rezolucion jashtëzakonisht të lartë. U përdorën gjithashtu spektroskopia infra e kuqe me transformim Furier (FTIR) dhe difraksioni i rrezeve X, teknika që mundësojnë analizën e strukturës molekulare dhe kristalore të materialit.
Pavarësisht se u përdorën të gjitha këto teknika moderne, studiuesit nuk arritën të përcaktonin shkakun e saktë të vdekjes. Por interpretimi i shprehjes së fytyrës u orientua drejt një fenomeni muskulor: një “spazmë kadavrike”, një reagim i rrallë në të cilin disa muskuj mund të bllokohen në momentin e vdekjes. Ndryshe nga rigor mortis, që ndodh gradualisht dhe ngurtëson trupin në tërësi, rigor mortis prek grupe të caktuara muskujsh dhe shfaqet brenda sekondave. Në studim, i botuar në revistën shkencore Frontiers in Medicine, përshkruhet se shprehja ulëritës e fytyrës së mumjes mund të interpretohet si rezultat i një spazme, duke nënkuptuar se gruaja vdiq duke bërtitur në agoni ose dhimbje të pabesueshme. Pjesa që mbetet ende e panjohur është ajo çfarë e shkaktoi saktësisht vdekjen. Ndër skenarët e mundshëm përmendet një atak në zemër, një goditje në tru, një aneurizëm i këputur apo edhe një pickim gjarpri helmues, por hetuesit nuk gjetën asnjë shenjë kafshimi në trup.
Botuar fillimisht në Telegrafi






