Mettraux kandidon për ICC-në: a mund të gjykojë Putinin?

Gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux, i cili më 16 shtator ishte pjesë e trupit gjykues që dënoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, po synon një post shumë të rëndësishëm në drejtësinë penale ndërkombëtare. Mettraux është kandidati zyrtar i Zvicrës për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë, për mandatin 2027–2036.

Zgjedhjet pritet të zhvillohen në dhjetor të këtij viti. Nëse do të zgjidhet, Mettraux do të bëhej zvicerani i parë që shërben si gjyqtar në këtë gjykatë. Kjo kandidaturë ka tërhequr vëmendje te mediat zvicerane pikërisht për shkak të lidhjes që ka krijuar me çështje të tjera të trajtuara nga institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale.

Në këtë kontekst, gazeta zvicerane Blick ka ngritur pyetjen nëse Mettraux një ditë mund të përfshihet edhe në një proces lidhur me presidentin rus Vladimir Putin. Ideja vjen nga fakti se Mettraux ishte ndër gjyqtarët që morën pjesë në panelin që shpalli fajtor Thaçin dhe të tjerët, ndërsa në ICC aktualisht ekziston një urdhërarrest për Putinin.

Mettraux në ICC: çfarë do të ndodhë nëse Putini sillet para gjykatës

Mettraux është aktualisht gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai ka qenë pjesë e Panelit Gjykues II së bashku me Charles L. Smith III dhe Christoph Barthe. Dokumentet zyrtare të Dhomave të Specializuara e konfirmojnë këtë përbërje. Më 16 shtator, paneli shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për disa krime lufte. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli mori 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet.

Presidenti rus Vladimir Putin është subjekt i një urdhërarresti të ICC-së që nga 17 marsi 2023. Gjykata ka deklaruar se ka arsye të bazuara për të besuar se Putin mban përgjegjësi penale individuale për krimin e pretenduar të luftës të deportimit dhe transferimit të paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara të Ukrainës në Rusi. Këto pretendime, sipas informacioneve të dhëna nga Gjykata, nuk janë gjykuar ende në një proces penal dhe Putin mbetet jashtë juridiksionit fizik të ICC-së.

Prandaj, lidhja e mundshme që ngre Blick qëndron te skenari i ardhshëm: nëse Mettraux zgjidhet në ICC dhe nëse Putin, një ditë, sillet para gjykatës, gjyqtari zviceran mund të jetë potencialisht pjesë e një trupi gjykues që trajton një çështje të tillë. Megjithatë, aktualisht nuk ekziston asnjë vendim që të vërtetojë se Mettraux do të caktohet në rastin Putin. Po ashtu, duhet bërë dallimi mes dy institucioneve: Dhomat e Specializuara të Kosovës ku Mettraux gjykoi rastin Thaçi dhe të tjerët, dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), të cilat janë institucione të ndryshme, edhe pse të dyja kanë selinë në Hagë.

ICC është një gjykatë e përhershme ndërkombëtare që merret me gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe, në kushte të caktuara, krimin e agresionit. Hetimi i situatës në Ukrainë është hapur në mars 2022. Ndërkaq, Mettraux është 52 vjeç dhe ka punuar më parë si avokat, këshilltar dhe ekspert në një varg procesesh ndërkombëtare. Dokumentacioni i kandidaturës së tij thekson se ai ka edhe rreth 12 vjet përvojë me procedurat e brendshme të ICC-së. Kandidatura zyrtare e Zvicrës e përshkruan Mettraux si profesionist me mbi 25 vjet përvojë në drejtësinë penale ndërkombëtare, si dhe me punë në gjashtë institucione ndërkombëtare, përfshirë ICC-në, tribunalet për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, si dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version