Lionel Mesi ka njoftuar sot tërheqjen e tij nga Kombëtarja e Argjentinës. Ish-ylli i Barcelonës e ka komunikuar vendimin përmes një postimi në kanalet e tij zyrtare në rrjetet sociale, duke i dhënë fund një kapitulli që ka zgjatur plot 20 vjet në fanellën e albicelestes.
“I shkrova këto fjalë më 21 korrik, dy ditë pas finales… sot, pas asaj që ndodhi me babanë tim, jam edhe më i bindur për këtë vendim se më parë. Pas gjithë kësaj kohe që nga finalja, dhe pasi e kam menduar shumë, dua t’u them të gjithëve se po tërhiqem nga ekipi kombëtar”, ka shkruar Mesi në mesazhin e tij.
Sipas rrëfimit të tij, vendimi është marrë pas finales së Kupës së Botës, por me kalimin e kohës Mesi e ka përforcuar edhe më shumë këtë qasje. Ai e ka lidhur qartë momentin me ngjarjen në familje, duke thënë se ajo që ndodhi me babanë i ka dhënë një dimension të ri vendimit që e kishte nisur më herët, duke e bërë të ndihet edhe më i sigurt.
Mesi mbyll ciklin: i dhanë gjithçka kombëtares, tani largohet me krenari
Argjentinasi ka theksuar se vendimi i tij nuk ka qenë i lehtë. “I ishte një vendim që më dhembi dhe ende më dhemb thellë brenda, por e kuptoj se ky është momenti i duhur”. Ai ka nënvizuar se e ka dhënë gjithmonë maksimumin, si në vitet e fundit kur ekipi fitoi trofe, ashtu edhe para kësaj periudhe. Për Mesin, fanella e Argjentinës nuk ka qenë thjesht një detyrim, por një rrugëtim ku ka luftuar vazhdimisht për t’i sjellë lumturi kombit dhe për t’i bërë tifozët të ndihen krenarë.
Ai ka folur edhe për ndjesinë e mbylljes së kapitujve: “Nuk ka mbetur shumë kohë dhe kapitujve të ndryshëm po i vjen fundi”. Mesazhi i tij e shpreh se ai e ka dashur, e do dhe do ta dojë gjithmonë pjesëmarrjen në Kombëtare, por në këtë moment kërkon të largohet. Mesi ka shkruar se “dhashë gjithçka që kisha dhe nuk kam asgjë më shumë për të dhënë”, duke hapur një hapësirë edhe për të ardhmen e skuadrës.
Në të njëjtën kohë, ai ka vënë në pah edhe praninë e lojtarëve të rinj. “Gjithashtu, ka lojtarë të rinj të shkëlqyer që po dalin dhe meritojnë të jenë këtu”, ka shtuar Mesi, duke e lidhur tërheqjen me idenë se është koha që skuadra të ecë përpara me talentet që po shfaqen. Mesazhi i tij përfshin një falënderim të gjerë për tifozët, duke theksuar: “Faleminderit për gjithë dashurinë gjatë këtyre 20 viteve”.
Ai ka thënë se do t’i mungojë mënyra si tifozët i shprehin dashurinë “nga brenda”, ndërsa ka premtuar se edhe pas tërheqjes do të vazhdojë t’i mbështesë “nga jashtë”, si në kohë të mira, ashtu edhe në kohë të vështira. Mesi nuk ka lënë pa përmendur edhe familjen, e cila, sipas tij, ka qenë gjithmonë aty. Po ashtu, ka falënderuar trajnerët, shokët e skuadrës dhe drejtori me të cilin ka pasur mundësinë ta ndajë përvojën e gjatë.
Në mbyllje, Lionel Mesi ka përsëritur se po largohet me paqe dhe krenari. Ai ka shkruar se, së bashku me shokët e tij të skuadrës, i kanë dhënë Argjentinës “momente që dikur i ëndërronim”, duke e quajtur një “çmenduri” përjetimin e gjithë kësaj rruge me fanellën kombëtare. “Po largohem me paqe dhe krenari, duke e ditur se së bashku me shokët e mi të skuadrës ju dhamë momente që dikur i ëndërronim. Ishte çmenduri të përjetoja të gjitha këto me ju. Ju dua! Faleminderit Zot që më bëre argjentinas”, ka përfunduar ai./Sport Ekspres/
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
