Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Grenlanda kanë arritur një marrëveshje të re për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjen e ishullit strategjik në Arktik. Lajmi vjen pas muajsh tensionesh, të nxitura nga kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit mbi këtë territor.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet javën e ardhshme, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa Trump e ka paraqitur marrëveshjen si një fitore të madhe për SHBA-në, duke deklaruar se ajo do t’i japë Uashingtonit “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë dhe “të gjitha nevojat e tjera” në Grenlandë.
Presidenti amerikan ka pohuar se marrëveshja do t’u mundësojë Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin veprimet që i konsiderojnë të nevojshme për mbrojtjen e Grenlandës. Ai ka theksuar gjithashtu se zbatimi i saj nuk do t’i kushtojë para SHBA-së dhe ka shtuar se dokumenti përfshin një rregull ku asnjë vend kundërshtar i Shteteve të Bashkuara nuk do të mund të krijojë prani ushtarake apo të kryejë investime të ndjeshme në Grenlandë pa miratimin e shprehur të Uashingtonit.
Megjithatë, teksti i plotë i marrëveshjes nuk është bërë publik. Për këtë arsye, pretendimet e Trumpit për shkallën e kontrollit amerikan nuk janë konfirmuar në të njëjtën mënyrë nga autoritetet daneze. Ndërkohë, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e konfirmoi arritjen e marrëveshjes dhe nënshkrimin e planifikuar, por përdori formulime më të kujdesshme, duke e vendosur theksin te respektimi i parimeve të sovranitetit.
“Kontroll i përhershëm” – si e sheh marrëveshjen Danimarka dhe Grenlanda
Frederiksen tha se marrëveshja forcon sigurinë e përbashkët në Arktik dhe në zonën e Atlantikut të Veriut, ndërsa njëkohësisht njeh sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Mbretërisë së Danimarkës. Një element tjetër që ajo e veçoi është njohja e së drejtës së popullit të Grenlandës për vetëvendosje.
Kryeministrja daneze sqaroi edhe procesin e brendshëm: marrëveshja nuk hyn automatikisht në fuqi pas nënshkrimit. Dokumenti duhet të kalojë në procedurat përkatëse parlamentare dhe të marrë miratimin e ligjvënësve në Danimarkë dhe Grenlandë. Kjo do të thotë se, edhe pse nënshkrimi pritet të bëhet javën e ardhshme në kuadër të OKB-së, hapat juridikë e politikë do të jenë të domosdoshëm për hyrjen në fuqi.
Edhe në Grenlandë, përgjigjja ka qenë pozitive. Kryetari i qeverisë së Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e mirëpriti marrëveshjen, duke deklaruar se ajo garanton dhe forcon sigurinë e Grenlandës, Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara. Nielsen shtoi se dokumenti njeh interesat e Grenlandës dhe pozicionin e saj në bashkëpunimin ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi marrëveshjen historike dhe një fitore të madhe për SHBA-në. Ai tha se dokumenti adreson në mënyrë të përhershme shqetësimet amerikane për sigurinë në Grenlandë.
Rëndësia strategjike e Grenlandës lidhet me pozitën e saj mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, me praninë pranë rrugëve të Arktikut dhe me pasuritë minerare që mendohet se ka në rajon. Shtetet e Bashkuara kanë tashmë prani ushtarake në ishull, përmes Bazës Hapësinore Pituffik.
Gjatë një periudhe të mëparshme, Trump kishte deklaruar vazhdimisht se dëshironte ta blinte ose ta merrte Grenlandën, pa e përjashtuar më herët as përdorimin e forcës. Këto qëndrime kanë sjellë reagime të ashpra në Danimarkë, në Grenlandë dhe në vende të tjera anëtare të NATO-s. Marrëveshja e re, sipas zhvillimeve që janë raportuar, duket se shmang kalimin e sovranitetit tek Shtetet e Bashkuara, por mundëson zgjerimin e pranisë dhe të rolit amerikan në sigurimin e ishullit.
Ndërkohë, deri në publikimin e dokumentit, mbetet e paqartë nëse formulimi i Trumpit për “kontroll të përhershëm” përputhet me përmbajtjen juridike të marrëveshjes apo pasqyron interpretimin e tij politik. Procesi i nënshkrimit dhe më pas ai i ratifikimit në Danimarkë e Grenlandë do të përcaktojnë hapat konkrete për zbatimin e marrëveshjes.
Botuar fillimisht në Bota Sot





