Maran flet për Finlandën: fitore, por jo gjithçka i pëlqeu

Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, u shpreh i lumtur pas fitores ndaj Finlandës. Në vlerësimin e tij, rezultati ishte pozitiv, por ai theksoi se mbrëmja në tërësi u kthye në një festë për tifozët kuqezi.

Trajneri italian tha se skuadra i dha mbështetësve një përjetim të veçantë në stadium, ku atmosfera dhe ajo që u shfaq në fushë e bënë ndeshjen të ndihej ndryshe. Sipas tij, tifozët u argëtuan gjatë gjithë kohës dhe në fund u larguan nga impianti me buzëqeshje, duke qenë të kënaqur për fitoren.

“I lumtur? Si të mos jem! Përtej rezultatit, ishte një festë për të gjithë. Tifozët u argëtuan, u kthyen në shtëpi me buzëqeshje dhe të lumtur për këtë fitore. Në këto orë do t’i gëzohemi kësaj fitoreje, sepse që nga nesër do të mendojmë për Bjellorusinë”, deklaroi Maran.

Vëmendja kalon te Bjellorusia, Maran analizon momentet

Në vijim, Maran foli edhe për mënyrën si ka ndryshuar loja dhe si po e interpreton skuadra kërkesën për të qenë më kompakte. Ai theksoi se futbolli nuk vendoset vetëm nga individët, por nga puna për të gjetur pozicionin e duhur në fushë dhe nga presioni ndaj ekipit kundërshtar. Sipas tij, lojtarët e kanë kuptuar mirë këtë qasje dhe e kanë vënë në zbatim në mënyrë të saktë.

“Futbolli ka ndryshuar pak. Nuk bëhet vetëm nga individët, por nga kërkimi i pozicionit dhe presioni ndaj ekipit kundërshtar. Këta djem e interpretojnë mirë këtë. Në letër i vendosim në një mënyrë, por më pas mundohemi të gjejmë zgjidhjet e duhura në fazën e mbajtjes së topit. Edhe kur mbrohemi, përdorim karakteristikat tona për të qenë efikasë”, tha ai.

Maran vlerësoi edhe performancat e disa futbollistëve, duke përmendur Pilo, Hysajn dhe Mitajn. Megjithatë, ai nënvizoi se meritat nuk duhen ndarë vetëm për një emër, duke theksuar se kontributi vjen nga e gjithë skuadra. “Të përmend vetëm një emër nuk do të ishte e drejtë. Edhe Hysaj, nga ana tjetër, po bën mirë. Mitaj po luan në një rol që e ka praktikuar pak, por po e bën në mënyrë shembullore, shpesh duke u pozicionuar në qendër apo duke dalë përpara. Mendoj se të gjithë po japin kontributin e tyre në këtë mënyrë”, shtoi përzgjedhësi.

Ndërsa analizoi ndeshjen ndaj Finlandës, italiani pranoi se pati momente kur skuadra u tërhoq më shumë se ç’duhej. Ai vuri në dukje veçanërisht fundin e pjesës së parë, duke shpjeguar se kur ekipi ul presionin, kundërshtarët gjejnë hapësira dhe bëjnë lëvizjet e tyre me më shumë liri. “Në fund të pjesës së parë u tërhoqëm dhe nuk ushtruam presion. Ne nuk duhet të bëhemi ekip pasiv, sepse kur ndodh kjo, kundërshtarët gjejnë hapësira dhe bëjnë lëvizjet e tyre. Duhet të kemi presionin e duhur. Kur e ulim atë, siç ndodhi në fund, shihet se nuk jemi aty ku duhet”, tha Maran.

Ai vazhdoi më tej me detaje nga loja: sipas tij, skuadra pati shumë prekje në zonën kundërshtare dhe qëndroi shpesh pranë portës. Por, në fazën e tranzicioneve, ai kërkoi shpjegime dhe përmirësime, duke theksuar se ekipi duhet të jetë më i mirë në momentet kur kalon shpejt nga mbrojtja në sulm. “Mendoj se kemi pasur shumë prekje në zonën kundërshtare dhe kemi qëndruar shpesh aty. Në tranzicione duhet të jemi shumë më mirë. Nuk patëm shumë gjuajtje, por krijuam shumë situata dhe arritëm të qëndronim në zonën kundërshtare. Ishte një ndeshje e ekuilibruar dhe kjo ndikoi shumë”, u shpreh ai.

Për golin e Ernest Muçit, Maran vlerësoi si cilësinë e realizimit, ashtu edhe peshën që sulmuesi mban brenda ekipit. “Unë zgjedh rëndësinë, por ai ka shënuar një gol të madh. Me kontrollin dhe goditjen e një goli të tillë, këtë e pres nga ai dhe të tjerët. Na ka treguar se mund të shënojë gola të tillë. Jam i bindur se i ka në këmbët e tij këto cilësi. I përgëzova djemtë dhe tani duhet të rikuperojmë, sepse të dielën kemi një tjetër betejë”, përfundoi trajneri.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version