Në maj të vitit 1919, ndërsa Konferenca e Paqës në Paris po përpiqej të vendoste fatet e kombeve pas Luftës së Parë Botërore, një zë i ngritur “për arsyen” erdhi edhe në mbrojtje të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që jetonin nën Malin e Zi. Kolonel Sherman Miles, i dërguar i posaçëm ushtarak amerikan në Ballkan, u përfshi drejtpërdrejt në debatin ndërkombëtar përmes memorandumeve dhe analizave të shkruara.
Dokumentet e tij i drejtoheshin Komisionit Amerikan në Konferencën e Paqës në Paris dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit Negociues të Paqës. Në to, Miles paraqiti një analizë të kthjellët dhe të guximshme për realitetin e vështirë me të cilin përballeshin shqiptarët në Ballkan, në fillim të shekullit të kaluar. Në atë periudhë, Shqipëria rrezikonte të zhdukej si shtet nga harta politike e Evropës, pikërisht sepse vendimet e fuqive të mëdha po merren shpesh pa u mbështetur tek përbërja reale e popullsive në terren.
Pretendimet e fqinjëve synonin ndarjen e territoreve shqiptare, duke shpërfillur realitetin etnik dhe vullnetin e popullsisë shqiptare në trojet shekullore iliro-arbërore. Serbia, Greqia dhe Italia ishin ndër shtetet që ngritën pretendime territoriale, të cilat synonin të copëtonin hapësirat shqiptare mes tyre. Përballë këtyre planifikimeve, Koloneli amerikan Sherman Miles hodhi poshtë pretendimet territoriale me një argument që ai e konsideronte të pakundërshtueshëm: realiteti etnik në terren nuk mund të injorohej nga Konferenca e Parisit.
Realiteti etnik në terren, argumenti kryesor i Sherman Miles
Pas vizitave të tij në rajon dhe duke u bazuar në memorandume për gjendjen në terren, Sherman Miles iu drejtua Konferencës së Paqës në Paris në maj të vitit 1919. Thelbi i qëndrimit të tij ishte i drejtpërdrejtë: shumë nga territoret që fqinjët i pretendonin ishin të banuara në shumicë nga shqiptarë autoktonë. Në analizën e tij, ai shkruante se “shumica e popullsisë në këto rajone është shqiptare dhe nuk mund të trajtohet si një pakicë e shpërfillshme në vendimet territoriale”. Ky konstatim, i mbështetur në të dhëna konkrete, vinte në pikëpyetje planet e fuqive të mëdha evropiane për ndarjen e Shqipërisë midis shteteve fqinje.
Për Miles, drejtësia nuk ishte thjesht një nocion diplomatik. Ajo lidhej me detyrimin për t’u mbështetur te faktet që ai i kishte vëzhguar gjatë udhëtimeve në Ballkan. Ai paralajmëroi gjithashtu se një vendim i padrejtë, që do të copëtonte territoret shqiptare pa marrë në konsideratë karakterin kombëtar të popullsisë, do të sillte pasoja të rënda. Në dokumentet e tij, ai theksoi rrezikun e konfliktit të ardhshëm, duke nënvizuar idenë se vendimet pa respekt ndaj realitetit njerëzor prodhojnë tensione afatgjata.
Parashikimi i tij u formulua në një mënyrë që në retrospektivë del si “profetike”: “Çdo zgjidhje që nuk merr parasysh karakterin kombëtar të popullsisë do të mbjellë farat e konflikteve të ardhshme në Ballkan.” Referimi i tij ishte i lidhur me logjikën historike të rajonit, ku kufijtë e imponuar pa respektuar përbërjen etnike dhe vullnetin e popujve autoktonë shpesh kthehen në burim tensioni dhe konflikti. Në të njëjtën linjë, memorandumi i përfaqësuesit amerikan në Ballkan, i paraqitur në maj të vitit 1919, përputhej edhe me vizionin e Presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili kishte shpallur parimin e vetëvendosjes së popujve si themel të rendit të ri botëror.
Në thelb, dokumentet e Kolonel Sherman Miles ishin një thirrje që diplomacisë ndërkombëtare t’i vendoste drejtësinë dhe të vërtetën përpara interesave afatshkurtra të fuqive evropiane. Edhe pse nuk konsiderohet si vendimi i vetëm në këtë proces, memorandumi dhe argumentet e tij kontribuuan në krijimin e një klime më të favorshme për ruajtjen e kufijve të shtetit shqiptar nga ndarje të mëtejshme të tokave shqiptare. Në të njëjtën kohë, Miles përshkroi shkurtimisht edhe formën fisnore të qeverisjes së Shqipërisë së asaj kohe dhe vështirësitë e mëdha me të cilat ajo përballej për të ruajtur rendin brenda kufijve. Ai e lidhte këtë me nevojën që Shqipëria të merrte mbrojtje ose ndihmën e një fuqie të madhe të jashtme.
Botuar fillimisht në Bota Sot