Disa foshnja i befasojnë prindërit dhe mjekët duke ardhur në jetë para se nëna të arrijë në maternitet. Edhe pse lindja zakonisht lidhet me sallën e maternitetit, ekipin mjekësor dhe përgatitjen e kujdesshme, realiteti është se ajo mund të ndodhë më shpejt se sa pritet. Në këto raste, lindja mund të ndodhë në makinë, në rrugë, në një pikë karburanti, para derës së maternitetit ose edhe brenda automjetit të ndihmës së shpejtë.
Mjekët e urgjencës janë të njohur me situata të tilla dhe e vlerësojnë shpejt nëse nëna mund të transportohet ende drejt spitalit apo nëse lindja ka nisur dhe duhet të kryhet aty ku ndodhet. Nëse ekipi mjekësor nuk ka mbërritur, zakonisht ndërkohë mbahen lidhjet telefonike me personin që është pranë gruas, duke i dhënë udhëzime të qarta hap pas hapi. Por ka disa veprime që duhen bërë pa humbur kohë, sidomos në momentet kur situata duket se po përshpejtohet.
Thirrni urgjencën menjëherë dhe qetësoni situatën deri në mbërritjen e ndihmës
Hapi i parë është thirrja e urgjencës. Nëse kontraksionet janë shumë të shpeshta, nëna ndien presion të fortë për të shtyrë, ose koka e foshnjës shihet tashmë, nuk duhet pritur. Duhet thirrur menjëherë urgjenca dhe duhet ndjekur çdo udhëzim i operatorit ose i ekipit mjekësor. Ndërkohë, specialistët këshillojnë që nëna të vendoset në një pozicion sa më të sigurt: e ulur ose e shtrirë, në një vend të pastër dhe të ngrohtë. Qëndrimi në këmbë nuk rekomandohet, sepse foshnja mund të dalë papritur dhe mund të ketë rrezik për lëndim.
Gjatë pritjes së udhëzimeve, nëna duhet të inkurajohet të marrë frymë ngadalë dhe të shtyjë vetëm atëherë kur ndjenja për të shtyrë bëhet e pakontrollueshme. Nëse është e mundur, poshtë saj duhet vendosur një peshqir, çarçaf apo rrobë e pastër, që të krijohet një ambient sa më i higjienizuar. Po ashtu, ka gjëra që nuk duhen bërë: nuk rekomandohet tërheqja e foshnjës gjatë daljes. Foshnja nuk duhet të tërhiqet me forcë; ajo duhet të mbështetet lehtë dhe të pritet që lindja të vazhdojë natyrshëm.
Një gabim po ashtu i rrezikshëm është prerja e kordonit të kërthizës. Kordoni i kërthizës nuk duhet të pritet nga persona të paautorizuar, sidomos në kushte jo sterile. Prioriteti në lindje jashtë maternitetit është që nëna dhe foshnja të jenë të sigurta deri në mbërritjen e ndihmës profesionale. Nëse foshnja lind përpara se të arrijnë mjekët, ajo duhet të thahet me një peshqir të pastër dhe të vendoset mbi gjoksin ose barkun e nënës—lëkurë më lëkurë—nëse gjendja e të dyve e lejon. Më pas, foshnja duhet mbuluar me një batanije ose rrobë të thatë, sepse të porsalindurit humbin nxehtësinë shumë shpejt.
Pas lindjes, duhet të kontrollohet menjëherë frymëmarrja e foshnjës. Duhet parë nëse foshnja merr frymë, qan ose lëviz. Nëse nuk qan menjëherë, por merr frymë dhe ka ngjyrë të mirë, nuk ka nevojë për panik. Mund të bëhet fërkimi i butë i shpinës me një peshqir të thatë, për ta stimuluar. Hunda dhe goja mund të pastrohen me kujdes vetëm nëse ka sekrecione të dukshme, pa futur asgjë thellë në gojë apo hundë. Nëse foshnja nuk merr frymë, nuk lëviz ose duket e zbehtë apo blu, duhet të ndiqet menjëherë udhëzimi i urgjencës në telefon deri në ardhjen e ekipit mjekësor.
Kur nëna dhe foshnja arrijnë në maternitet, kujdesi vijon sipas protokolleve mjekësore. Pas përfundimit të ndërhyrjes në terren, transportimi bëhet drejt maternitetit më të afërt. Në raste kur foshnja ka lindur jashtë maternitetit, zakonisht bëhet një dokumentim i hollësishëm i rrethanave të lindjes. Personi i pranishëm—qoftë punonjës i urgjencës, policisë apo dëshmitar—mund të japë deklaratë zyrtare për vendin dhe mënyrën si ka ndodhur lindja. Në maternitet, nëna kontrollohet nga gjinekologu, ndërsa foshnja nga neonatologu. Vlerësohen gjendja e përgjithshme, frymëmarrja, temperatura, ngjyra e lëkurës, kordoni i kërthizës dhe rreziku nga infeksionet.
Lindja jashtë maternitetit nuk do të thotë domosdoshmërisht se gjithçka shkon keq, por kushtet shpesh nuk janë sterile. Për këtë arsye, mjekët i kushtojnë vëmendje të veçantë rrezikut nga infeksionet, hipotermisë dhe mënyrës se si është trajtuar kordoni i kërthizës. Në disa raste, sipas vlerësimit të mjekut dhe protokolleve lokale, mund të nevojitet mbrojtje shtesë kundër tetanosit, sidomos nëse kordoni është prerë në kushte jo higjienike ose me mjete jo sterile. Po ashtu, Mayo Clinic thekson se kordoni i kërthizës pas lindjes duhet mbajtur i pastër dhe i thatë, ndërsa prerja dhe kujdesi rreth tij duhet të bëhen në mënyrë të sigurt për të ulur rrezikun nga infeksionet.
Sa i përket kohës kur duhet të niset drejt maternitetit, rekomandohet kërkimi i ndihmës së menjëhershme mjekësore nëse kontraksionet bëhen shumë të shpeshta dhe të forta, nëse ka gjakderdhje, temperaturë, dhimbje të pazakontë, ulje të lëvizjeve të foshnjës, dalje të ujërave me ngjyrë të pazakontë ose një ndjesi se foshnja po del. Cleveland Clinic thekson se lindja e shpejtë mund të jetë e paparashikueshme dhe, edhe kur përfundon mirë, mund të shoqërohet me komplikime për nënën dhe foshnjën. Gratë që kanë pasur më parë lindje shumë të shpejtë ose faktorë rreziku duhet ta diskutojnë planin me mjekun, në mënyrë që të dinë kur të nisen menjëherë.
Botuar fillimisht në Telegrafi






