E përshëndesim dhe e mirëpresim propozimin e qeverisë për projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet”. Në të njëjtën linjë, falënderojmë ministrinë përgjegjëse për sportin për përpjekjet, deputetët nismëtarë si dhe të gjithë anëtarët e komisionit parlamentar, nga të dy krahët politikë, për qëndrimet përgjithësisht dashamirëse të shprehura gjatë diskutimit. Mbështetja e sportit kërkon pikërisht këtë frymë bashkëpunimi.
Për të paktën dhjetë vite, komuniteti i futbollit dhe FSHF-ja kanë kërkuar një ndryshim thelbësor në mënyrën e nxitjes së sponsorizimeve. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur propozime konkrete dhe është zhvilluar një dialog i vazhdueshëm me institucionet, me qëllim që mekanizmi të mos mbetet vetëm në letër, por të sjellë financim e zhvillim real.
Projektligji shihet si një hap përpara, por që të prodhojë rezultatet e pritura duhen disa përmirësime të rëndësishme. Kërkesa për mbështetje nuk vjen vetëm nga interesat e sektorit të futbollit, por edhe nga kontributi që ky sport jep për buxhetin dhe ekonominë e Shqipërisë. Vetëm FSHF-ja dhe anëtarët e saj paguajnë 342,400,806 lekë tatime e kontribute në vitin 2025.
Futbolli, përtej detyrimeve fiskale, sjell edhe financime nga jashtë, krijon punësim dhe gjeneron aktivitet për bizneset shqiptare. Studimi UEFA GROW SROI, i mbështetur në të dhënat e vitit 2020, i vlerësonte përfitimet ekonomike, sociale dhe shëndetësore të pjesëmarrjes në futboll në rreth 46 milionë euro në vit. Duke pasur parasysh se në atë kohë kishim 18.587 futbollistë të regjistruar, ndërsa sot ky numër ka shkuar në 25.000, përfitimet ekonomike, sociale e shëndetësore vlerësohen se arrijnë në 70 milionë euro në vit.
Që sponsorizimet të funksionojnë, duhen rregulla të qarta e fonde të mjaftueshme
Prandaj, mbështetja e futbollit duhet parë si një investim që krijon vlerë për ekonominë dhe shoqërinë, dhe jo vetëm si një mekanizëm për të mbuluar shpenzime sportive. Në këtë kuadër, kërkohet që një pjesë e këtij kontributi të rikthehet për zhvillimin e futbollit: për fëmijët, akademitë, klubet dhe infrastrukturën sportive.
Së pari, sponsorizimi duhet të përcaktohet qartë si pagesë alternative e tatimit mbi fitimin. Brenda nivelit prej 30% dhe kufijve ligjorë, shuma që biznesi drejton për sponsorizim duhet të njihet si detyrim tatimor i shlyer. Që kjo të japë siguri për subjektet, formulimi ligjor duhet të jetë i qartë dhe të sqarojë mënyrën e trajtimit të kontributit të biznesit.
Së dyti, fondi i përgjithshëm duhet të jetë më i madh dhe të rritet çdo vit, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme për futbollin. Tavani i propozuar prej 2 miliardë lekësh për artin, kulturën dhe të gjithë sportin shihet si kufizues për nevojat reale të këtyre sektorëve. Kërkohet që vlera e përgjithshme vjetore e sponsorizimeve që përfitojnë nga ky mekanizëm të jetë jo më pak se 10 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, ligji duhet të parashikojë një mekanizëm të detyrueshëm të rritjes së kësaj vlere çdo vit, në përputhje me rritjen e ekonomisë dhe të të ardhurave tatimore, në mënyrë që të mos ketë ulje.
Brenda kësaj shume, kërkohet një kuotë e garantuar për futbollin, me një ndarje të qartë e transparente për Federatën, klubet sipas kategorive dhe akademitë. Duhet të sigurohet që nga mekanizmi të përfitojnë edhe klubet e vogla dhe akademitë, sepse sponsorizimi i tyre shihet si investim për të rinjtë dhe për ekipet Kombëtare të së ardhmes. Njëkohësisht, marrëdhënia mes biznesit dhe sportit duhet të funksionojë pa miratime paraprake për çdo kontratë: kriteret e përfitimit duhet të përcaktohen në ligj dhe veprimtaria futbollistike që i përmbush këto kritere duhet të njihet si veprimtari me interes publik, pa qenë e nevojshme që të provohet për çdo sponsorizim.
Transparenca duhet të garantohet përmes regjistrimit, dokumentimit dhe kontrollit financiar e ligjor pas realizimit të sponsorizimit, me sanksione të qarta për shkelësit. Kështu synohet të ketë siguri për bizneset dhe përgjegjësi për institucionet përfituese. Së fundi, një pjesë e fondeve duhet të garantohet për infrastrukturën sportive: fushat dhe mjediset e stërvitjes janë nevoja më e madhe, ndërsa baza për rritjen e pjesëmarrjes shërben për komunitetet dhe mbetet për brezat që vijnë. Investimet në këto elemente nuk mund të realizohen me limitin e propozuar prej 2 miliardë lekësh në vit, ndaj kërkohet që të parashikohet jo më pak se 10 miliardë lekë në vit.
Këto propozime synojnë ta bëjnë nismën funksionale, të parashikueshme dhe të kontrollueshme. Si FSHF, kërkohet të vazhdohet bashkëpunimi me qeverinë, Kuvendin dhe të gjithë aktorët e interesuar, me qëllim që kjo mundësi të përkthehet në më shumë fëmijë në sport, klube më të qëndrueshme dhe infrastrukturë më të mirë në të gjithë Shqipërinë.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
