Një 39-vjeçar shqiptar, Luka Beqiraj, u ekzekutua me armë zjarri në Spanjë. Ngjarja ndodhi në Orihuela Costa, në provincën Alicante, paraditen e sotme, në një zonë pranë fushave të një klubi padeli. Në momentin e të shtënave ndodheshin sportistë dhe dëshmitarë të tjerë, ndërsa autoritetet po mbledhin të dhëna nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat spanjolle, autori iu afrua viktimës dhe e qëlloi nga një distancë e afërt. Menjëherë pas sulmit, ai u largua me shpejtësi nga vendngjarja duke përdorur një skuter elektrik. Dyshimet e para të hetuesve u rritën për shkak të mënyrës së kryerjes së vrasjes, e cila sugjeron se mund të bëhet fjalë për një veprim të planifikuar dhe të kryer me pagesë.
Viktima është identifikuar si Luka Beqiraj, me origjinë nga Vlora. Emri i tij ka qenë më herët i njohur për autoritetet shqiptare dhe italiane, lidhur me çështje penale që përfshijnë plagosje të rëndë, trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale. Hetuesit spanjollë po kontrollojnë edhe mundësinë e një lidhjeje mes krimit të organizuar që vepron në atë pjesë të Spanjës dhe historikut penal të viktimës.
Si u shfaq Luka Beqiraj në hetimet për drogë e armë
Luka Beqiraj rezulton të ketë pasur përplasje me drejtësinë prej vitit 2016. Në atë kohë, ai u arrestua në Vlorë në moshën 28-vjeçare, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje. Më pas, një vit tjetër ky emër doli përsëri në qendër të hetimeve: në vitin 2019, emri i tij u përfshi në një dosje penale me shtrirje ndërkombëtare.
Beqiraj u arrestua në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë “Lulet e Pranverës”, i zhvilluar njëkohësisht Në Shqipëri dhe Itali. Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, nën akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve të autoriteteve, rrjeti dyshohej se trafikonin sasi të mëdha lëndësh narkotike, si dhe armë e municione nga Shqipëria drejt territorit italian.
Në Shqipëri, gjatë ndërhyrjes së policisë, u ndaluan gjashtë persona: Luka Beqiraj, Bilbil Kabello, Arbnor Hoxhaj, Denis Pashaj, Kujtim Elmazi dhe Kristian Llanaj. Për çështjen në Shqipëri ishin caktuar prokurorët Pranvera Hoxha dhe Përparim Kulluri. Paralelisht, në Itali, operacioni me kod “Lulet e Pranverës” çoi në arrestimin e 27 personave, prej të cilëve 21 ishin shtetas shqiptarë. Ata akuzoheshin për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit.
Operacioni u zhvillua me angazhimin e mbi 100 efektivëve të Karabinierisë së Lecces, strukturave qendrore italiane që merren me hetimin e krimit të organizuar dhe Guardia di Finanza, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Hetimet italiane zbuluan aktivitetin e një rrjeti kriminal që dyshohej se kishte trafikuar rreth 10 tonë lëndë narkotike gjatë viteve të aktivitetit. Sipas këtyre hetimeve, droga, kryesisht marijuanë, transportohej nga Shqipëria drejt Italisë, ku fillimisht magazinohej në zonën e Salentos. Më pas, lënda narkotike shpërndahej në rajone të ndryshme të territorit italian, përmes lidhjeve të rrjetit kriminal. Organizata dyshohej gjithashtu për trafikim armësh dhe municionesh, duke shfrytëzuar rrugë të paligjshme të transportit mes dy vendeve.
Në vitin 2020, Luka Beqiraj, atëherë 32 vjeç, u dënua me katër vite e gjysmë burg dhe një gjobë prej 24 mijë eurosh, për përfshirjen e tij në veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës. Në përfundim të procesit gjyqësor në Itali, dënimet e dhëna për pjesëtarët e grupit arritën në një total prej 136 vitesh burg. Ky operacion u vlerësua si një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve që përdornin Shqipërinë si pikënisje për transportin e lëndëve narkotike drejt Italisë dhe më pas në tregje të tjera evropiane.
Vrasja e Luka Beqirajt në Orihuela Costa ka rikthyer vëmendjen te aktiviteti i organizatave kriminale me origjinë nga Ballkani në bregdetin spanjoll. Hetuesit spanjollë po shqyrtojnë mundësinë që sulmi të jetë kryer nga një person i paguar dhe po verifikojnë lidhjet e mundshme të viktimës me individë apo grupe të përfshira në veprimtari kriminale. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se e shkuara penale e 39-vjeçarit apo dënimi i tij në Itali kanë lidhje direkte me motivin e vrasjes në Spanjë.
Botuar fillimisht në Bota Sot